Kryeministri Edi Rama ka kërcënuar në mënyrë të përsëritur kundërshtarët apo kritikët e tij me “gjoba të majme” në rastet kur ai gjykon se ndaj tij dhe qeverisë së tij po shpifet. Kërcënimi apo proceset gjyqësore civile apo penale për shpifje nuk janë të reja në Shqipëri dhe as nëpër botë, ku akademikët i kanë vënë edhe një emër “Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike.”

Në vitet 1980, dy akademikë amerikanë shkruan një libër me titull: Slapps: Getting Sued For Speaking Out (Slapps: Të të hedhin në gjyq sepse ke folur), ku përshkruan se si në historinë e Amerikës, të famshmit, të fuqishmit dhe të pasurit, individë apo korporata, kanë abuzuar me të drejtën për të ngritur padi në gjykatë me synimin e shtyrjes së kritikëve drejt heshtjes. SLAPP është një akronim për Strategic Litigation Against Public Participation, (Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike), një fenomen ku një individ me pushtet apo një korporatë synon të shtyjë kritikët (ose jokritikët) drejt heshtjes përmes kërcënimit për pasoja të rënda financiare apo ngritjen e padive civile, ndjekja e të cilave mbart kosto të lartë e shpesh të papërballueshme për kritikët (ose jokritikët që japin raportime faktesh që të pushtetshmëve nuk u pëlqejnë).

SLAPP hyri kështu në terminologjinë juridike si rasti kur pushteti padit për shpifje apo dëm moral apo dëm jopasuror, pavarësisht nëse padia ka apo jo shanse për të fituar në gjykatë, por me arsyetimin se vetë procesi gjyqësor shkakton frikë dhe frika shkakton heshtje.

Duke qenë se padi të tilla zgjasin me vite, korporatat e kanë gjetur SLAPP si një zgjidhje të parapëlqyer për çështje aktuale. Fjala vjen, nëse dikush proteston kundër ndërtimit të një pallati, ndërtuesi ngre padi, (zakonisht për shpifje) për ta frikësuar protestuesin. Edhe nëse padia rrëzohet në gjykatë, gjyqi ka gjasa do të zgjasë muaj me radhë ndërkohë që protestuesi është i frikësuar nga rreziku për gjobë dhe pallati vijon të ndërtohet.

SLAP konsiderohen një problem i madh për demokracinë për shkak se janë një teknikë shumë efikase, veçanërisht në duart e korporatave të mëdha, të cilat i përdorin për të frikësuar kritikët. Nëse një qytetar ankohet ndaj një korporate, kjo e fundit ka para për të paguar avokatë për të ngritur padi. Ndryshe nga korporata, qytetari shpesh nuk i ka mjetet financiare apo vihet në vështirësi ekonomike për të paguar një avokat. Pavarësisht nëse korporata e fiton apo jo gjyqin, të gjithë të tjerët që kanë menduar të kritikojnë korporatën, do të tremben nga ideja se mundet edhe ata të hidhen në gjyq. Me pak fjalë, pabarazia e armëve në një proces gjyqësor përbën thelbin e ekzistencës së SLAP.

Paditë civile apo akuzat penale të ngritura nga politikanët ndaj gazetarëve apo qoftë edhe vetëm kërcënimet për padi apo akuza, kanë gjithashtu edhe efektin negativ në imazh, pasi vetë akuza për shpifje përbën një sulm verbal në të cilin politikani përdor fuqinë e tij mediatike për të sharë një gazetar që nuk ka të njëjtën fuqi mediatike.

Në Shtetet e Bashkuara një numër shtetesh, mes të cilave, Kalifornia është më e përparuara, kanë miratuar ligje-antislapp. Logjika e këtyre ndërhyrjeve ligjore është e thjeshtë. Pala e paditur për shpifje, apo shkelje tëtë drejtave të autorit, nëse e gjykon se ka të bëjë me SLAPP, mund të ngrejë një kundërpadi duke argumentuar se çështja që ai po mbron është njëçështje e interesit publik.

Në këtë pikë, gjykata ka për detyrë të ndërpresë gjykimin në rast se çështja gjykohet si interes publik. Në Europë nuk ka ende një përpjekje sistemike për të trajtuar një problem të tillë. Megjithatë, që nga viti 2018, një grup europarlamentarësh i ka kërkuar Komisionit Europian të krijojë një direktivë për mekanizëm  kundër gjyqeve të tilla, ose për të ngritur mekanizma të asistencës ligjore falas në rastet e akuzave për shpifje. /

Shënim: Titulli i këtij postimi është vendosur nga redaksia MediaLook. Artikulli i gazetarit Gjergj Erebara, publikuar në Reporter.al , mban titullin “Çfarë është SLAPP?”

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu