Duke iu referuar zhvillimeve të fundit të aktualitetit në Shqipëri, veçanërisht pas rastit “Xhisiela”, kryeministri Edi Rama, deklaroi se qeveria është duke përgatitur një paketë antishpifje.

Sigurisht, rikthimi i këtij propozimi, pas debateve të vitit 2015 për kriminalizimin e shpifjes, krijon shqetësim në opinionin publik, kryesisht në radhët e gazetarëve.

Sikurse është raportuar në media qëllimi i mazhorancës është të huazojnë modelin gjerman, sipas të cilit “shpifja” duhet të konsiderohet si krim dhe jo kundravajtje penale dhe të dënohet me nga tre deri në pesë vite burg.

Ndërkaq, legjislacioni aktual shqiptar, falë dhe presionit ndërkombëtar, nuk parashikon burg për shpifjen, por vetëm dënim me gjobë:

Përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë.
Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.”. (ligji nr. 23/2012, neni 120)

Gjithashtu, në Kodin Civil, janë parashikuar dhe një sërë nenesh të cilat mbrojnë dinjitetin e personit, si ai 617, 625 e 647/a apo dhe neni 10 i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, neni 19 i Deklarates Universale e të Drejtave të Njeriut e Rezoluta nr. 1577/2007 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. (Rezarta Mataj, Shqipëria dhe tendenca europiane e dekriminalizimit të shpifjes?, 2014)

Por përtej debatit të përgjithshëm mbi shpifjen, me interes është qasja e qeverisë ndaj medias dhe e kësaj të fundit në raport me shpifjen.

“Shpifja” nuk është censurë për gazetarët!

Elementi i parë që duhet evidentuar është se liria e shprehjes, e mediave dhe ajo e informimit janë të drejta themelore që qytetarët shqiptare, të çdo profesioni, i garantohen në Kushtetutë dhe konventat ndërkombëtare, pjesë e të cilave është dhe Shqipëria.

Por liria absolute, e cila rëndon padrejtësisht mbi të tjerët, rrezikon të çojë drejtë kaosit. Për këtë arsye legjislatori ka parashikuar një seri kufizimesh që kanë të bëjnë me caktimin e disa limiteve të lirisë sonë, që mbrojnë nderin, dinjitetin dhe jetën private të personave të tjerë, që kanë të bëjnë me ndalimin e fyerjes, shpifjes, denigrimin, publikimin e të dhënave që përmblidhen brenda konceptit të privatësisë, etj… Ndaj, çdo abuzim me lirinë e shprehjes, sigurisht duke marrë parasysh një sërë rrethanash specifike rast pas rasti, ka dhe dënimet përkatëse të cilat duhet të jenë proporcionale me dëmin e shkaktuar.

Atëherë pse tremben gazetarët?

Në parantezë duhet thënë se qëllimi kryesor i këtij profesioni është raportimi i të vërtetës në funksion të interesit publik. Por shpesh herë e vërteta është e komplikuar dhe shumë ndryshe nga ajo që duket apo na serviret si e tillë. Dhe drama më e madhe e gazetarit është se ndodhet në udhëkryq: nga njëra anë detyrimi për ta publikuar atë dhe nga ana tjetër pamundësia për të arritur të vërtetën absolute.

Thënë këtë, çdo gazetar i përgjegjshëm duhet të bëjë shumë kujdes për të respektuar ato që njihen si parimet bazë të gazetarisë, ndër të cilat përpjekja për të qenë objektiv dhe i  drejtë në funksion të misionit për të raportuar të vërtetën.

Dikush, mund të thotë se këto janë parime në kushte ideale të profesionit sepse një gazetar nuk mund të jetë kurrë objektiv. Dhe kjo është e vërtetë! Gazetari, për vetë mënyrën sesi është gatuar qenia njerëzore, e ka të pamundur të jetë 100% objektiv, por metoda po! Pra nuk është gazetari por metoda që ai zgjedh për të raportuar objektive.

Dhe metoda e mbron këtë të fundit për të mos rënë shpesh herë pre e gjykimeve subjektive duke kaluar dhe në shpifje, fyerje apo denigrim të personave që preken nga raportimet e tyre.

Ky është filtri i parë!

I dyti, në radhët e mediave tradicionale të mirëstrukturuara, objektiviteti dhe paanësia e gazetarit garantohet dhe nga filtra të tjerë redaksional, siç janë kryeredaktorët apo drejtorët e informacionit, të cilët kanë distancë psikologjike dhe emocionale në raport me ngjarjen. Këta të fundit kanë detyrën dhe përgjegjësinë e editimit dhe paketimit te produktit final që transmetohet.

Hallka e tretë, veçanërisht në çështje sensitive që ka të bëjë me investigime të forta skandalesh e korrupsioni apo dhe raportime delikate ku të përfshirë janë fëmijë, minoritete dhe grupe të margjinalizuara të shoqërisë, është ekipi i juristëve të atashuar pranë redaksive të lajmeve. Kjo hallkë thuajse nuk ekziston në mediat shqiptare, tradicionale e të reja. Zyrat juridike funksionojnë pranë kompanive, por trajtojnë vetëm çështje juridike te medias si shoqëri tregtare, por nuk kontrollojnë, kur është nevoja, përmbajtjen mediatike.

Njëse një lajm në televizion, gazetë apo media tradicionale në versionin online nuk i nënshtrohet asnjë prej këtyre filtrave dhe transmetohet jashtë çdo standardi profesional, sikurse ndodh rëndom në Shqipëri, sigurisht qe ajo do të jetë e orientuar drejt pasaktësisë, fyerjes, shpifjes, etj., dhe media në fjalë duhet ndëshkuar për një produkt skarco që po i servir si të vërtetë opinionit publik. Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me censurë por me abuzim të lirisë së shprehjes me qëllim dëmtimin e imazhit dhe personalitetit të personave  të caktuar.

Kjo është njëra anë e problematikës, tjetra ka të bëjë me mediat online, por këtu situata është paksa më e komplikuar.

Paketa antishpifje, jo taksë për fjalën e lirë

Në një reagim të tij mbrëmjen e 10 tetorit kryeministri Rama deklaroi se “do të legalizojë të gjitha portalet” dhe forma më e mirë sipas tij është regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit:

Sigurisht, kryeministri, pavarësisht se zotëron vetë një televizion online si ERTV dhe është ndër politikanët më aktiv në rrjetet sociale, nuk është ekspert i medias dhe kjo duket qartë dhe në këtë propozim.

Atëherë, çfarë duhet të bëjë qeveria?

Hapi i parë që duhet ndërmarrë është kategorizimi i mediave online. Kemi të paktën tre lloje platformash online:

a) Janë portalet online me aktivitet fitimprurës – të cilat funksionojnë si biznes mediatik. Aty punësohen gazetarë, mirëmbajtës të faqeve të web, montazhierë, moderatorë, etj… të cilët prodhojnë një përmbajtje të caktuar mediatike dhe gjenerojnë të ardhura nga reklamat ose burime të tjera financiare sic mund të jenë sponsorizimet. Këto media duhet ë regjistrohen në QKB, të paguajnë sigurimet për punonjësit e tyre, të ofrojnë kontrata jofiktive dhe të respektojnë kodin e punës.

b) Janë portalet dhe blogjet pa aktivitet financiar – Zhvillimet e vrullshme teknologjike e kanë ridimensionuar lirinë e shprehjes online. Sot çdo qytetar mund të jetë një media, mjaft që ai të ketë dëshirën dhe vullnetin për të qenë aktiv në sferën publike online (cyberspace) apo për t’i shërbyer opinionit publik me dije, opinione, komente, foto, video etj në portale dhe blogje me tematika të caktuara, gjeneraliste ose të profilizuara… Kjo kategori nuk punëson askënd, por është një bashkim vullnetar i individëve me qëllime dhe ide të përbashkëta, që kontribuojnë me dije. Një portal apo blog i tillë, pa asnjë aktivitet financiar, kursesi nuk mund të regjistrohet në QKB, sepse ai nuk është biznes.

c) Janë rrjetet sociale – Secili prej qytetarëve ka të drejtën e një profili në rrjetet sociale. Megjithëse faqe të caktuara, mediash në rrjetet sociale apo dhe profile anonime individësh, mund ti drejtohen audiencave në territorin e Shqipërisë, qeveria nuk ka “fuqi” të drejtëpërdrejtë për mbylljen e tyre, por kjo realizohet sipas disa procedurave të përcaktuara nga Facebook, Twitter, Instagram, etj…

Thënë këtë, nëse qeveria vërtetë dëshiron të ndikojë në përmirësimin e këtij spektri mediatik, pa e censuruar atë, hapi i parë që duhet të ndërmarrë në kuadër të “paketës antishpifje”,  është identifikimi dhe regjistrimi pa pagesë (ndoshta në AKEP) i të gjitha portaleve që sot ekzistojnë në qarkullim, që sipas Unionit të Gazetarëve rezulton të jetë në mbi 700 faqe.

Në një anketim të Institutit të Medias, mbi “Peizazhin e medias online në Shqipëri”, grupi kërkimor kishte arritur të krijonte kontakte me rreth 120 drejtues të portaleve kryesore online, ose 17% të tregut. Pjesa tjetër, 83% ishin portale me themelues të paidentifikuar dhe pa të dhëna për mundësi kontakti. E pavarësisht kësaj, këto faqe publikojnë artikuj, shpesh herë dhe përmbajtje fyerjesh, shpifjesh, sulmesh personale, pa emër dhe pa adresë.

Këto janë kamikazë mediatik!

Por identifikimi dhe regjistrimi i tyre do të sillte dhe ndëshkimin sipas ligjit dhe automatikisht spastrimin e këtij grupi shpifësish publik, që fshihen pas sloganit “media e lirë dhe liri e medias”.

Nërsa hapi i dytë, gjithnjë brenda kuadrit ligjor, duhet të jetë regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit të vetëm atyre mediumeve online që kanë aktivitet ekonomik. Kjo do të formalizonte tregun e gazetarëve, pjesa më e madhe e të cilëve punojnë në të zezë.

Megjithatë, regjistrimi në QKB nuk është zgjidhja përfundimtare, sepse nga panorama e sotme mediatike vërejmë se problematikat më të mëdha me shpifjen vijnë nga media online me buxhete të konsiderueshme dhe me redaksi “extra large” lajmesh. Madje, për të rritur të ardhurat e tyre, këto media publikojnë çdo lloj informacioni pa kurrfarë verifikimi, mjaft që burimi i tij të jetë i atribuuar.  Gazetari dhe drejtuesi i tij “lajnë duart” duke botuar se: “X person akuzon Y për korrupsion!” edhe pse mund të dinë se ky lajm është një gënjeshtër!

Këtu rihyn në lojë paketa antishpifje, e cila i krijon bazë të qartë ligjore palës së dëmtuar për të marrë shpërblimin financiar të dëmit, për shkak të shumëfishimit të kësaj gënjeshtre publike, edhe pse ajo është e atribuar. Gazetarët, editorët, drejtuesit e tyre, sikurse ndodh në median tradicionale, duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo fjalë të publikuar në hapësirat mediatike ku punojnë, qofshin këto print, vizive apo në linjë…

Dhe, kjo nuk është censurë e medias përmes “ligjit të shpifjes” por kufizim i abuzimit, lajthitjeve dhe qëllimeve ekonomiko-politike të portaleve në fjalë nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, ruajtje e dinjitetit të çdo individi të sulmuar publikisht.

Sigurisht, që kriminalizimi i shpifjes dhe dënimi me disa vite burg mund të konsiderohet si një masë radikale, por me trysninë e duhur vendase dhe ndërkombëtare mund të trajtohet si një çështje civile, me masa më të ashpra të dëmshpërblimit financiar.

Megjithatë, e rëndësishme është që paketa antishpifje të mos kthehet në një taksë për fjalën e lirë dhe që censura e medias të mos shërbejë si mbulesë për shpifjet dhe gënjeshtrat e qëllimshme publike që kanë dëmtuar shumë individë.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

6 KOMENTE

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu