Reforma në Akademinë e Shkencave, e cila nisi pas një sërë denoncimesh publike të një grupi akademikësh, mes të cilëve dhe Akademik Artan Fuges, për zgjedhje farsë në kryesi, censurë të platformave reformuese dhe botime në revista shkencore të paindeksuara, e që u mbështet publikisht gjatë procesit të zgjedhjeve nga kryeministri, që paralajmëroi dhe “bllokimin e fondeve”,  ka hyrë në fazën e ballafaqimit mes dy platformave.

Në muajin shtator kreu i qeverisë Edi Rama, kërkoi që krahas draftit për reformim së paraqitur nga grupi i punës së Ministrisë së Arsimit, të kryesuar nga Prof. Skënder Gjinushi, të shqyrtohet dhe analizohet dhe platforma alternative, e propozuar nga Akademik Artan Fuga, i cili ishte dhe një nga kritikët më të fortë për mënyrën sesi funksiononte ky institucion.

Menjëherë pas këtij qëndrimi të kryeministrit, Ministria e Arsimit pranon propozimin e vetëm alternativ të hartuar nga Akademik Artan Fuga, të cilin, tashmë ia propozon dhe opinionit publik.

MediaLook po publikon draftin e plotë alternativ të reformimit të Akademisë së Shkencave, e cila që në pikën e parë të saj, propozon zgjerimin e konceptit dhe fushëveprimit në: Akademi të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik!

Sipas kësaj platforme, ndër të tjera, “Akademia funksionon kryesisht me projekte kërkimi shkencor që ndahen në tre tipologji”:

a. Projekte kërkimi shkencor që akademiku i kryen në institucionin ku është punësuar ose bashkëpunon dhe kryesisht në gjirin e ekipeve të atjeshme shkencore;

b. Projekte kërkimi shkencor mbi gjendjen e kërkimit shkencor, dijes, novacionit teknologjik, etj., që janë në aksin qendror të realizimit të misionit të Akademisë.

c. Projekte që i shpërndan te të tretët dhe Akademia është vetëm monitoruese, etj. e tyre.

Ndërkohë që publiku ende nuk eshte në dijeni të propozimit të grupit të punës së Ministrisë, që me aq sa është thënë në media, e koncepton Akademinë si një institucion me hierarki te theksuar vertikale, pra shumë të centralizuar.

Platforma me 33 pikat të Akademik Artan Fugës për rithemelimin e Akademisë së Shkencave:

1. Nocioni i akademisë zgjerohet duke u quajtur : Akademia e Shkencave dhe Novacionit Teknologjik.

2. Gjykimi për modelin e ardhshëm të Akademisë të vijë në dikaster nga përfaqësuesit e kërkuesve shkencorë dhe universitarë të vendit, të thirrur në një Juri të Madhe Konsultative, me kritere dhe jo me ftesa sipas parapëlqimeve, dhe të mos përmbyllet brenda antarëve të Akademisë, çka sjell konflikt interesi

3. Akademia të pozicionohet qartë në detyrat e veta, pra jo si kupola e kërkimit shkencor, pra jo si maja e piramidës të tij, as si kupolë institutesh, apo strehë bërthamash kërkimi shkencor në nivel të parë, por as si institut ose laborator kërkimi shkencor, detyrë që nuk i takon asaj ta kryejë. Përcaktohen detyrat dhe misioni i Akademisë që është jo kërkimi shkencor në nivel të parë, por « METASHKENCA » pra : Analiza dhe përpunimi i strategjive për zhvillimin shkencor dhe teknik të vendit, Përgatitja e platformave zhvilluese të energjive intelektuale të vendit, Matja e efikasitetit të kërkimit shkencornë plan kombëtar Promovimi dhe nxitja e aktorëve në kërkim shkencor, Studime mbi gjendjen dhe perspektivat e dijes, kërkimit shkencor dhe novacionit teknologjik, etj.

4. Hiqet dallimi midis akademikëve të rregullt dhe akademikëve të asociuar duke krijuar një asamble të përbashkët prej 30 akademikësh.

5. Forcohet statusi i « Akademikëve të nderit » si nga pikëpamja e nominimit ashtu edhe e statusit administrativ dhe financiar të tyre që realizohet për personalitete shumë të larta të shkencës, artit, teknologjisë tj, me VKM pas propozimit të Akademisë.

6. Statuti i Akademisë hyn në fuqi pasi firmoset nga ministri i arsimit për të shmangur konfliktin e interesit kolektiv midis akademikëve ku vetë vendosin e vetë vulosin.

7. Akademia do të funksionojë me produkt vjetor të përcaktuar në vijat më thelbësore vetëm sipas misionit dhe pozicionit të saj specifik, dhe nuk do t’a masi punën me veprimtarinë shkencore që akademikët bëjnë pranë institucioneve të tyre.

8. Akademikët, me përjashtim të dy antarëve të kryesisë që i cakton vetë kryesia nuk do të punojnë më në administratën e akademisë. Ndahet realisht administrata nga asambleja e akademisë.

9. Ndarja e seksioneve nuk bëhet më sipas objektit të shkencave, seksionet shkrihen, dhe në vend të tyre ngrihet njësia ndihmëse shkencore e asamblesë që strukturohet sipas funksioneve në shërbim të realizimit të misionit të Akademisë.

10. Asambleja ndahet fillimisht në pesë seksione duke i zgjeruar dhe nuancuar nënprofilet e saj dhe duke e specializuar gjykimin dhe punën e saj.

11. Hiqet posti i sekretarit të akademisë dhe vendoset posti i Kancelarit, jo akademik, që është administratori ekzekutiv i aparateve të Akademisë dhe i financave të saj. Akademikët nuk janë më edhe administratorë fianciarë që deri më sot ka sjellë shpërdorime financiare të parasë publike.

12. Aparati i Akademisë ndahet në Njësinë ndihmëse administrative dhe Njësinë ndihmëse shkencore të Asamblesë.

13. Akademiku del në pension krahas me daljen në pension si profesor ose kërkues shkencor. Atij i akordohen jo më shumë sesa dy vjet të tjerë përtej moshës të pensionit për të kryer veprimtari si « akademik », pa u konsideruar si « akademik në pension », por vetëm mbi bazën e një projekti të rëndësishëm reflektues mbi veprimtarinë e tij shkencore.

Jo një akademi të plakur!

14. Titulli honorifik « akademik » ruhet për të gjithë jetën pavarësisht se pas daljes në pension akademiku trajtohet si të gjithë shtetasit nga sigurimet shoqërore.

15. Akademiku duhet të jetë patjetër punonjës shkencor ose edhe kërkues pranë universiteteve, etj.

16. Vendoset statusi i akademikut korrespondent i rezervuar për shkencëtarë e kërkues të huaj.

17. Shpërblimi me honorar i akademikëve realizohet jo automatikisht por sipas vëllimit dhe cilësisë të punës në Akademi. Jo pagë për punë të pabërë sikurse deritani!

18. Parashikohet që nëse akademiku gjatë ushtrimit të statusit të tij ndryshon pozicionin e tij që ka qenë i domosdoshëm për t’u zgjedhur akademik, e humbet këtë të fundit, dhe gradualisht largohet si akademik, dhe e ruan këtë titull vetëm si honorifik.

19. Statusi i akademikut është i papajtueshëm me atë të personit që ushtron detyra drejtuese funksionale në parti politike ose në institucione që rregullohen nga Kushtetuta. Mjaft ndikimit nga politika dhe kryetar partie që kërkon të imponohet.

20. Zëvendëskryetari zgjidhet nga Kryesia dhe jo nga Asambleja që të mos ketë dyzim drejtimi, as solidaritete të sëmura, ose rrotacione farsë.

21. Antarët e kryesisë janë punonjës të jashtëm dhe jo pjesë e aparatit administrativ me përjashtim të dy rasteve të parashikuara.

22. Komisionet e Akademisë janë të hapura për pjesëmarrje në punime për të gjithë punonjësit shkencorë dhe universitarë vendas dhe të huaj që kanë titull shkencor.

23. Punonjësit e Njësisë Ndihmëse Shkencore janë kërkues shkencorë që funksionojnë me kontrata të përkohshme të rinovueshme ose jo, dhe kryejnë veprimtarinë e tyre ndihmëse shkencore vetëm në funksion të realizimit të misionit të Akademisë. Jo vede rehatie

24. Matja e punës shkencore të akademikut nuk ka si objekt veprimtarinë shkencore që ai kryen në institucionin shkencor ose universitar, etj., ku ai është i punësuar.

25. Akademia funksionon kryesisht me projekte kërkimi shkencor që ndahen në tre tipologji a. Projekte kërkimi shkencor që akademiku i kryen në institucionin ku është punësuar ose bashkëpunon dhe kryesisht në gjirin e ekipeve të atjeshme shkencore b. Projekte kërkimi shkencor mbi gjendjen e kërkimit shkencor, dijes, novacionit teknologjik, etj., që janë në aksin qendror të realizimit të misionit të Akademisë. c. Projekte që i shpërndan te të tretët dhe Akademia është vetëm monitoruese, etj. e tyre.

26. Asambleja përzgjedh antarin e akademisë sipas kritereve, por vetëm brenda kandidaturave që propozon komuniteti i struktuar i kërkuesve shkencorë të vendit. Jo trafiqe influencash në zgjedhjen e akademikëve.

27. Akademik mund të zgjidhesh pa u cënuar nga stereotipe dhe stigmate të karakterit racist, nacionalist, apo të besimit, etj. Të qenurit shtetas i Republikës të Shqipërisë është i detyruar vetëm për akademikët.

28. Akademia të ketë një revistë shkencore të vetme, dhe me tematikë që buron nga realizimi i misionit të saj kryesor. Jo si sot revista pa cilësi dhe pa lexues që harxhojnë paranë publike pa matur rezultatet.

29. Akademia nxit, promovon, mbështet botime që i konsideron ekselente, të antarëve të saj, ose të traditës, por nuk ka status të botojë vetë ajo vepra të kësaj natyre. Kjo për të evituar mbylljen në vetvete, dhe siguruar cilësinë e përzgjedhjes të botimit. Akademia promovon ose mbështet botime vetëm nëse ato më parë kanë marrë marrë vlerësimet e oponencave institucionale të agjencive, departamenteve ose instituteve të kërkimit të specializuar në atë fushë si edhe pranohen si të tilla nga shtëpi botuese jashtë akademisë.

Mjaft botimeve pa lexues ku qarkullohet një parà që nuk dihet si menaxhohet!

30. Revista e akademisë të shkencave, një e vetme, ka si objektiv të indeksohet në platformat europiane.

31. Burimet financiare të Akademisë të jenë të diversifikuara dhe gradualisht synojnë të rrisin buxhetin autonom të Akademisë fituar nga buxhete shërbimesh dhe projektesh, në krahasim me grantet shtetrore. Mjaft e voli si “lopën” buxhetin e shtetit pa kontribut real të matshëm në zhvillimin e vendit!

32. Granti buxhetor i ardhur nga shteti shqiptar figuron si zë më vete në buxhetin e aprovuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Përsa më sipër Akademia bën një raportim vjetor në Komisionin përkatës të Kuvendit.

33. Riformulimi institucional i Akademisë kalon nëpër një fazë të shpejtë tranzitore.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu