Qëndrimet publike të akademikëve, pedagogëve, analistëve, aktivistëve e arkitektëve sa i takon Teatrit Kombëtar tashmë janë pjesë e një libri.
“Për Teatrin, Publiken dhe Traditën e shenjtë”, është një vëllim i cili mbledh ‘masën intelektuale’ të rezistencës për një çështje publike, qytetare, kombëtare dhe trashëgimore.
Prezantimi i librit është bërë sot në ambientet e Librarisë “Tirana Times” me praninë e disa prej autorëve, gazetarë dhe përfaqësues të medias, figura publike dhe politike, aktivistë të shoqërisë civile si edhe studentë të Akademisë së Arteve.
Takimi u realizua në formë bashkëbisedimi dhe të pranishmit shprehën mendimet dhe qëndrimet e tyre lidhur me nismën dhe çështjen e Tetarit Kombëtar.
Pedagogu Ervin Goci në fjalën e tij u shpreh se ky botim nuk do të shërbejë si simbol i fundit i kësaj kauze.
“Të gjithë këta autorë kanë qenë frymëzues për ne, për qëndresën dhe mbledhja e tyre në një dëshmi të shkruar është në vetvete një formë tjetër e rezistencës për teatrin, është plotësuese”, tha Goci.
Libri vjen si nismë e Politiko.al, dhe përfshin qëndrimet e 33 intelektualëve lidhur me çështjen e Teatrit Kombëtar, përfshirë Andi Bushatin, Andia Çela, Agron Gjekmarkaj, Artan Fuga, Aurel Plasari, Armand Shkullaku, Alfred Lela, Arlind Qori, Artan Raça, Agron Shehaj, Ardian Vehbiu, Bujar Nishani, Carloalberto Rossi, Elsa Demo, Eda Derhemi, Edmond Tupja, Endri Shabani, Florion Mima, fatos Lubonja, Fitim Zekthi, Gentian Gaba, Rubens Shima, Idlir Azizaj, Kastriot Çipi, Koloreto Cukali, Lorjan Agalliu, Mark Marku, Marson Korbi, Preç Zogaj, Redi Muçi, Rudi Erebara, Stefan Çapaliku, Vincent W.J. Van Gerven Oei.
Botimi “Për Teatrin, Publiken dhe Traditën e shenjtë” është mundësuar nga mbështetja e deputetit të Partisë Demokratike, Agron Shehaj dhe të ardhurat e shitjes do të shkojnë për ‘Fondacionin për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar’.
Në këtë kohë të promovimit, dekreti i presidentit që u kërkonte socialistëve rishikimin e projektligjit me shkelje është rrëzuar nga forca arrogante e 74 kartonave. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese maxhoranca socialiste e ka të lehtë të mos ndeshë pengesa në rrugën që ua diktoi Rama. Por atje, para Teatrit Kombëtar ka një rezistencë që vazhdon, që është gati të përleshet edhe fizikisht.
Burimi: Politiko.al