Më 5 shtator OSBE-ODIHR publikoi raportin final mbi procesin zgjedhor të 30 qershorit 2019, ku ndër të tjera, analizohet dhe situata mediatike në vend dhe mbulimi që televizionet, portalet e gazetat i kanë bërë fushatës zgjedhore.

Në këtë dokument, një ndër organizatat më të mëdha në botë, rendit një sërë rekomandimesh cilësore për mediat, që u raportuan gjerësisht dhe në shtyp, të cilat, për hir të së vërtetës janë thënë, shkruar e rishkruar edhe nga një grup gazetarësh e ekspertësh shqiptarë, por që, për fat të keq, kanë rënë në vesh të shurdhët.

Por çfarë thotë shkurtimisht misioni i vëzhguesve të OSBE-së në disa nga rekomandimet e saj për mediat. Do ndalemi në tre prej tyre:

  1. Ligji për Median Audiovizive duhet të amendohet me qëllim kufizimin e përqendrimit të aksioneve nga ana e pronarëve në sektorin e transmetimeve vizive.
  2. Pavarësia e AMA-s dhe TVSH-së duhet të forcohet përmes masave që ndalojnë konfliktin e interesit;
  3. AMA nuk duhet të kthehet në një organ zëvendësues i gjykatave të pavarura apo i mekanizmave vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes.

Pra, tre konkluzione që Departamenti i Gazetarisë së Komunikimit, Birn Albania, Komiteti Helsinkit, MediaLook, Open Data, etj., i kanë parashtruar për vite me radhë në botime, analiza, raporte, artikuj dhe intervista në media.

E përsëri, gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët!

Qeveria, institucionet dhe agjencitë publike mbyllin sytë, veshët dhe gojën në një komunikim autik që përpiqet të injorojë, bojkotojë, bllokojë, sulmojë e denigrojë intelektin shqiptar, në përpjekjen për ta etiketuar atë si të paaftë.

Por, koha nuk fal!

Ekspertizat janë aty, ndërsa e vërteta e tyre jehon dhe përtej baltës dhe propagandës së drejtuesve të paaftë, që vazhdimisht na rikthejnë në pikën zero!

Doni shembuj?!

Në Korrik të 2019-ës, OSBE, organizata që kryeministri Rama deklaroi se do të konsultojë draftligjet antishpifje, publikoi ekspertizën finale. Dhe, rekomandimet kryesore të organizatës ndërkombëtare, të publikuar në një raport të plotë, ishin parashtruar gjashtë muaj më parë (jo në mënyrë të strukturuar) nga të paktën shtatë OJF në takimet publike që AMA dhe AKEP, të ngarkuara nga qeveria për organizimin e tyre me grupet e interesit, gjatë periudhës Dhjetor 2018-Janar 2019.

Madje, organizatat, Birn Albania, Open Data, Civil Rights Defenders, Qendra Shqiptare MediaLook, Keshilli Shqiptar i Medias, Respublica dhe Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, krahas artikujve, intervistave dhe analizave të botuara në media, kanë publikuar të paktën tre komunikata të përbashkëta, ku nënvizojnë një sërë problematikash, përfshi dhe rekomandimin e fundit të OSBE-ODIHR se “paketa antishpifje” parashikon dhe krijimin e “AMA-gjykatës”.

Të tjerë shembuj? Sigurisht…

Pronësia në media, përqendrimi i të cilës shihet me shumë shqetësim nga OSBE në raportin e fundit, ka qenë objekt i shumë opinioneve dhe artikujve në shtyp. Megjithatë, muaj e vite më parë janë publikuar disa studime, raporte dhe analiza shumë të strukturuara dhe nga pikëpamja metodologjike.

Në vitin 2017, Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit publikon një studim mbi “Modelet ekonomike të industrisë televizive në Shqipëri” në të cilin, ndër të tjera, argumentohet sesi “modeli pronësor, financiar e menaxherial i mediave Shqiptare pengon informimin e plotë, të drejtë dhe paanshëm të qytetarëve”. Ky botim ka evidentuar 12 gjetje, 10 rekomandime për operatorët dhe AMA-n si dhe një analizë të një spektri të gjerë problematikash ekonomike, por jo vetëm, me të cilat përballen sot kompanitë mediatike.

Po kështu, në Mars të 2018-ës, Birn Albania dhe Reporterët pa Kufij, publikojnë një raport të hollësishëm mbi peizazhin mediatik në vend, ndërsa analizojnë tregun e reklamave, procesin e dixhitalizimit, vetëcensurën dhe strukturën pronësore në media. Duke u ndalur të kjo e fundit, reporterët e Birn paraqesin një analizë të amendimit që i është bërë ligjit “Për mediat audiovizive”, konkretisht shfuqizimit të paragrafit 3, të nenit 62 që parashikonte kufizim të aksioneve deri në 40% për televizione me licencë kombëtare”, duke sjellë përqendrim të lartë të mediave vizive në pak duar, te cilët përqendrojnë dhe tregun e reklamave.

Ndërkaq, në Shkurt të 2019-ës, Qendra Shqiptare MediaLook, publikon një raport online mbi “Ndikimin e interesave ekonomike të pronarëve të medias vizive në raportimin e lajmit”. Në këtë hulumtim që fokusohet në krijimin e një peme gjenealogjike të strukturës pronësore për tre TV-të kombëtare dhe impaktin që kanë lidhjet e bizneseve parësore, dytësore e tretësore në cilësinë e raportimit, u evidentua qartë se “AMA rezultonte një autoritet “i pafuqishëm” përballë TV-ve kombëtare pasi lejonte transmetimin e kronikave me natyrë tregtare, për qëllime fitimprurëse të bizneseve që lidhen me pronarët e mediave”. Madje, në këtë analizë, evidentohej dhe fakti se AMA është shprehur në Gjykatën Kushtetuese në favor të përqendrimit të medias në duart e një pronari të vetëm, me argumentin se “disponon mekanizma të tjerë ligjorë për të mbikëqyrur operatorët”.

Mund të vijohet dhe me të tjerë ekspertiza të prodhuara nga intelekti shqiptar, por dhe këto që cituam, nëse qeveria, institucionet dhe agjencitë publike do kishin sy për të parë dhe veshë për t’i dëgjuar përgjatë këtyre viteve, situata nuk do të ishte kjo e sotmja, sikurse evidenton me të drejtë raporti i OSBE-ODIHR.

Por, gjasat janë që agonia të vijojë! Ndërsa ODIHR-i, OJF-të e mediat shqiptare, edhe ato, do vijojnë të të shkruajnë e rishkruajnë për këto problematika.

Ndryshimi i ligjit “Për Median Audiovizive” që kufizon pronësinë mediatike, forcimi i AMA-s dhe një treg mediash i lirë dhe i pavarur shkon në interes të opinionit publik, por jo në interes të qeverisë dhe pronarëve të TV-ve, si “klientë” të saj.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu