Pas referendumit në Britani dhe zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne ende dimë shumë pak rreth ndikimit të të ashtuquajturve “bots”, lajmeve të rreme dhe shënjestrimit të votuesve të këtyre ngjarjeve madhore politike.

Në këtë epokë globale të sulmeve kibernetike, Cambridge Analytica, robotëve të përdorur për qëllime politike dhe algoritmeve për shpërndarjen e fake news në një përmasë të paprecedentë, aftësitë tradicionale të gazetarëve duken të pamjaftueshme për të realizuar si duhet detyrën e shenjtë të raportimit objektiv mbi këto çështje kaq komplekse.

Për këtë arsye, kompanitë mediatike, duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë kundrejt publikut dhe të afrojnë pranë redaksive më shumë ekspertë të specializuar në disiplina si shkencat kompjuterike, statistikë dhe matematikë.

Mediat e reja kanë nevojë për persona të kualifikuar

Panorama është e qartë. Edhe pse kërkuesit shkencor dhe studiuesit shkruajnë vazhdimisht për këto problematika bashkëkohore, sfidat mbeten të mëdha në praktikë. Si mundet një gazetar, i diplomuar për anglisht apo shkenca politike për shembull, të mund të kuptojë thellësisht këto zhvillime që janë shumë larg formimit të tyre?

Në qarqet gazetareske diskutohet se ndoshta do të ishte më e lehtë dhe efikase t’u mësohet shkencëtarëve dhe ekspertëve të kompjuterëve sesi shkruhet një artikull, sesa të trajnohet një gazetar në shkencat kompjuterike, për të njohur dhe kuptuar rregullat sesi funksionojnë motorët e kërkimit.

Të mos keqkuptohemi! Kjo s’do të thotë se aftësia për të shkruar është e lehtë, përkundrazi: t’i drejtohesh audiencave të gjera, për ti rrëfyer dhe treguar në mënyrë koncize ngjarjet kërkon aftësi të jashtëzakonshme… Ajo që duam të themi është se ekspertët janë një domosdoshmëri, tani më shumë se kurrë më parë.

Zgjidhja e problematikave

Kompanitë mediatike gjenden përballë një presioni të jashtëzakonshëm të rrudhjes së të ardhurave nga reklamat. Por, më e rëndë se kjo është fakti se ato po humbasin asetin më të rëndësishëm të tyre: besimin e audiencave. Shume aktorë mediatik kanë marrë masa dhe po përpiqen për të rifituar pozicionin e tyre në treg si burime të besueshme informacioni.

Evidentimi dhe zgjidhja e problematikave të duhura është çelësi për këtë. Por të gjitha hapat duhet të ndërmerren mbi një bosht, i cili nuk duhet të ndryshojë, pavarësisht stuhive në të cilën gjenden gazetarët dhe gazetaria sot, dhe kjo është nevoja për raportim të saktë dhe të vërtetë.

E gjithë industria e informimit duhet të ketë këtë pikënisje, veçanërisht, kur trajtohen tematike ndërsektoriale që prekin të gjithë shoqërinë, e ku plekset teknologjia me politikën, si: siguria kibernetike, analiza e “big data-ve”, përgjimi, rrjedhjet e informacionit, etj… Është një rëndësi jetike që publiku ti kuptojë si duhet këto situata.

Gazetaria e mirë nuk bën dot pa njohuritë shkencore

Në jetën tonë të përditshme ne i besojmë thuajse gjithçka ekspertëve, nga llogaritë bankare te makinat tona. Pyetja që lind është përse të mos bëjmë të njëjtën gjë kur vjen puna për  zhvillimin më tej të gazetarisë në epokën e sotme të web 2.0?

Ndoshta, afrimi i personave të kualifikuar në shkencat kompjuterike nuk do ti rikthejnë menjëherë besimin qytetarëve që tashme e kanë humbur ndaj medias, por, ajo që është e sigurt është fakti se audiencat që ende kërkojnë të informohen do të arrijë të kuptojnë më mirë zhvillimet e fundit socio-teknologjike. Gazetaria mund të sigurojë fakte, paraqesë vizualisht dhe të publikojë opinione nga individë që kanë njohje të thella në këto fusha. Ekspertët pranë redaksive do të ishin një vlerë e shtuar për kontekstin e ngjarjes dhe për ti ofruar audiencave një panoramë më të qartë.

Ky koment nuk është vetëm një lutje për gazetarinë që të mbushë radhët e saj me studiues, eksperte e shkencëtarë, por është gjithashtu një thirrje për këta të fundit që të përfshihen më shumë. Tani, më shumë se kurrë, gazetaria ka nevojë për të mirën e këtyre dy botëve.

Shënim: Artikulli është botuar në European Journalism Observatory. U përshtat në shqip nga Elvin Luku

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu