Kryeministri Edi Rama dhe moderatori Alban Dudushi gjatë emisionit: "Edi Rama përballë studentëve!"

Dy ditë pas “dialogut” të kryeministrit me studentët në emisionin Top Show, në talk show-n Open me Eni Vasilin, rihapet diskutimi nëse emisioni ishte apo jo një puntatë, që shkoi në favor të aksioneve politike të qeverisë në raport me protestën e studentëve.

Në reagimin e tij, moderatori dhe gazetari, Alban Dudushi, deklaroi se janë kontaktuar afro 150 persona nga 400 studentë aplikantë dhe janë zgjedhur 90 prej tyre. Sipas Dudushit, autorët e programit nuk mund të kontrollonin nëse studentët ishin të FRPD-së, LRI-së apo FRESSH-it, por edhe nëse ata do të ishin anëtar partie, ai sërish do t’i ftonte ata në program:

E para, FRESSH-istë ose jo FRESSH-iste, të gjithë ata ishin studentë të cilët përfaqësonin veten e tyre; së dyti, ata ishin studentë që, besoj, nuk bënë politikën e Ramës, por përkundrazi i ndejtën kryeministrit përballë në atë që thanë; së treti, për të marrë ato studentë që ishin të pranishëm, dhe kjo është e verifikueshme, kanë aplikuar 400 veta në faqen që ne nxorëm në portalin e Top Channel dhe gazetarët e mi kanë kontaktuar 150 veta prej tyre, për të marrë 90 veta të cilët ishin atë natë në program.
Në këtë kuptim, është e vërtetë, nuk jam shef kuadri dhe nuk mund të kontrolloja gjithsecilin se i kujt partie ishte. Por, edhe nëse ata do të ishin të FRPD-së, LRI-së apo FRESSH-it, unë sërish do ti kisha thirrur, pasi ata vinin si student dhe jo si anëtarë organizate. Kjo është ajo që bëmë ne. Mqs po thoni për portalet dhe fotot që kanë dalë, nga 90 studentë që ishin të pranishëm në emision, vetëm 13 veta ishin në portale si anëtarë FRESH-i. Unë nuk e di në ka patur më shumë apo më pak në studion time, por 13 në 90 studentë, mund ta bëni vetë raportin, – u shpreh moderatori Dudushi në emisionin “Open”.  

Në parantezë, së pari, duhet evidentuar se Top Show është një ndër emisionet më jetëgjatë në vend dhe kjo kohëzgjatje, pra mbijetesa në një treg të ashpër konkurrence, është dëshmi e cilësisë së këtij programi; së dyti, Alban Dudushi është në radhët e atyre moderatorëve (me begraund aktrimi dhe gazetaresk), që në librin tim “Talk show: Para dhe pas ekranit”, unë e kam analizuar për kontributin e rëndësishëm në themelimin e emisioneve talk show, veçanërisht, zhanrit infotainment.

Thënë këtë, si studiuesi i komunikimit mund të argumentoj se pse puntata në fjalë, pavarësisht, qëllimit ose jo të autorëve dhe drejtuesve të programit, i shërbeu propagandës qeveritare.

Së pari, duke u nisur dhe nga qëndrimi i moderatorit Dudushi, nuk është problemi nëse ata studentë ishin anëtarë në FRESSH, FRPD-së apo LRI-së, sepse gjithsecili prej tyre ka të drejtën e lirisë, bindjeve dhe anëtarësisë politike në secilën parti që ata dëshirojnë. Problemi fillon të prezantimi që moderatori i bën studentëve në studio, ku në asnjë moment, nuk i’u tha publikut se një pjesë e tyre janë partiak. Pra, çështja është te transparenca me publikun përtej ekranit, i cili duhet të dijë se ai që po i drejton pyetje kreut të qeverisë, është thjesht një student jo partiak, pjesë e partisë së kreut të qeverisë apo organizatave të tjera. Statusi i të ftuarit apo dialoguesit tregon shumë për përmbajtjen e ligjërimit në komunikimin publik.

Së dyti, drejtuesi i programit pohoi se studentët e pranishëm “nuk bënë politikën e Ramës, por, përkundrazi, i ndejtën kryeministrit përballë në atë që thanë”. Këtu ne jemi në çështje të pastër komunikimi. Veçanërisht sot, në epokën e liderëve populiste, strategjitë e propagandës dhe PR-it në komunikimin publik, kanë evoluuar shumë, madje një ndër taktikat më të preferuara të spin-doctors janë atakimi i tezave dhe qëndrimeve politike, nga aktorë “të pavarur” të shoqërisë ose nga anëtarë brendapartiak, për të arritur qëllimin politik. Pra, “agresiviteti” i pyetjeve dhe strategjitë atakuese janë taktika më e mirë promovuese e një politike. Sot, “skuadra” e PR-it të Presidentit Trump  është mjeshtre e kësaj strategjie, veçanërisht ndaj medias.

Së treti, qëllimi i propagandës mund të realizohet vetëm me veprim dhe pa asnjë artikulim pro apo kundër. Në rastin konkret, vetëm fakti i pranisë së disa studentëve, edhe sikur ata të kishin qenë më kritikët por dhe më të heshturit, pra vetëm prania e tyre, i shërbente qëllimit politik të qeverisë në raport me protestën, në një kohë që studentët që po qëndrojnë në bulevard e kanë kushtëzuar në të gjitha artikulimet publike por dhe në pikën katër të “kushtetutës së studentit”, se nuk do të ketë as dialog, as negociata dhe as bisedime.

Së katërti, nga analiza vetëm e gjuhës së trupit dhe performimit, vërejmë se ndryshe nga emisionet e tjera, për aftësi ose jo të një personazhi karizmatik si kreu qeverisë, shpesh herë pamë një ndërrim rolesh, ku moderatori Dudushi shfaqej ulur dhe kryeministri “pushtonte” skenën e “Top Show”. Nuk aludojmë në këtu ka patur qëllim apo jo, por nga analiza e asaj puntate rezulton se në disa raste, kryeministri la në hije moderatorin, duke drejtuar nga njëri cep në tjetrin këtë shfaqe.

Sakaq, për ta përmbyllur, duhet risjellë në vëmendje një rregull bazik i analizës së një produkti televiziv, sipas të cilit e vërteta e asaj që duket në ekran, shpesh herë, qëndron tek ajo që nuk duket, dhe, katër elementët e mësipërm, hedhin më shumë dritë pikërisht te dekriptimi i mesazhit që publiku mori nga ajo puntatë, pavarësisht nëse ky ishte apo jo qëllimi i autorëve të programit.

Shënim i autorit: M.q.s në shkrimin e parë kanë mbërritur shumë sms duke aluduar mbi nje sulm personal kundrejt kolegut Alban Dudushi, dëshiroj të sqaroj se Albani, gëzon respektin tim maksimal si gazetar dhe drejtues emisioni. Sikurse analizohet edhe në librin tim “Talk show para dhe pas ekranit”, ai ka një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e zhanrit talk show në Shqipëri.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu