Me 29 korrik, Platforma për Promovimin e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve, ka postuar një njoftim duke i klasifikuar dy projektligjet e miratuara nga qeveria shqiptare si pjesë e të ashtuquajtur paketa anti-shipfje, kërcënime ndaj lirisë së medias në Shqiptare.
“Nëqoftëse miratohen nga parlamenti, amendamentet e propozuara për ligjin Nr.9918 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë,” dhe ligjit Nr.97/2013 ‘Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë,’ do ta fuqizojnë një ent administrativ shtetëror (Autoritetin e Mediave Audiovizive) të rregullojë përmbajtjen e medias online,” shkruan platforma e KiE-së.
“Projektligjet kërkojnë të forcojnë kontrollin e medias online, pasi Këshilli i Ankesave, që është pjesë e Autoritetit të Mediave Audiovizive, mund ta rrisë censurën duke urdhëruar heqjen e përmbajtjes së botuar online, me argumentin se po mbron dinjitetin dhe privatësinë e qytetarëve,” shton KiE.
Platforma për Promovimin e Gazetarisë dhe Sigurisë së Gazetarëve është një hapësirë publike e krijuara nga Këshilli i Europës dhe 12 organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve , e cila ka për qëllim përpilimin, përpunimi dhe shpërndarjen e informacionit mbi shqetësimet serioze për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, siç garantohen nga neni 10 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Platforma gjithashtu i jep vendeve anëtare të Këshillit të Europës të reagojnë ndaj ‘alarmeve’ të ngritura nëpërmjet saj për kërcënime ndaj lirisë së medias. Edhe pse shqetësimi mbi projektligjet e paketës ‘anti-shpifje’ është ngritur në platformë me 29 korrik, qeveria e kryeministrit Edi Rama apo përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë në KiE nuk kanë reaguar.
I pyetur nga BIRN një zëdhënës i kryeministrit Edi Rama nuk u përgjigj menjëherë të enjten nëse qeveria shqiptare kishte qëllim t’i adresonte shqetësimet e ngritura nga Këshilli i Europës në lidhje me paketën ‘anti-shpife’.
Kjo paketë ndryshimesh ligjore u miratua nga Këshilli i Ministrave me 3 korrik dhe pritet të shkojë në parlament në shtator, duke provokuar reagime të forta nga organizata vendase dhe ndërkombëtare për lirinë e shprehjes dhe OSBE, të cilat i kanë kërkuar mazhorancës të tërhiqet nga miratimi i amendamenteve të propozuara.
Këtyre shqetësimeve iu shtua të premten dhe Presidenti Ilir Meta, i cili nënvijëzojë nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, nevojën që qeveria të dëgjojë zërin e komunitetit të gazetarëve.
“Duke ndarë bindjen se çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë, theksoj domosdoshmërinë e marrjes në shqyrtim nga ana e qeverisë, por edhe e Parlamentit, e të gjitha sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve, me kujdesin dhe vëmendjen e duhur që ato meritojnë,” tha Meta.
“Theksoj se liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut dhe shtyllë e pazëvendësueshme e jetike për një shoqërie moderne demokratike, si dhe për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike,” shtoi ai./ reporter.al