Qeveria shqiptare ka vendosur të dërgojë për miratim në Kuvend dy draftet për paketën antishpifje pa pritur më parë ekspertizën përfundimtare të OSBE-së, e cila është ende në proces.
Burime të MediaLook bejnë me dije se përgjatë periudhës Janar-Qershor 2019,përfaqësues të lartë të OSBE-së për median, përfshi dhe z. Harlem Desir të angazhuar personalisht për të komunikuar drejtpërdrejt me kryeministrin Rama, i kanë paraqitur dy analiza ligjore qeverisë shqiptare për të korrigjuar draftet, ndërsa janë dukë përpunuar dhe një ekspertizë të tretë.
Fakti që OSBE po përgatit një tjetër dokument për dy draftet e propozuara për ndryshim nga qeveria në Shqipëri, atë të ligjit “Për median audiovizive” dhe ligjit “Për komunikimet elektronike” është konfirmuar edhe nga vetë z. Desir gjatë prezantimit të raportit vjetor në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vienë më 4 korrik, një ditë pas miratimit të “paketës antishpifje” nga qeveria, raportim që përfshinte periudhën 22 Nëntor 2018 – 4 Korrik 2019.
Në këtë raport, te siguruar nga MediaLook, në pjesën për Shqipërinë Z. Desir thekson se krahas dy ekspertizave të prezantuara “punonjësit e zyrës sime aktualisht po analizojnë draftligjet e fundit”.
Më 28 Janar, i kam shkruar Kryeministrit Edi Rama, duke i prezantuar analizën ligjore të zyrës së OSBE-së për median, për mendimet e “Ligjit për Median Audiovizive” dhe “Ligjit për komunikimet elektronike”. Kjo ekspertizë është fokusuar në përkufizime të përdorur në legjislacion, procedurat e regjistrimit, rolin e AMA-së dhe sanksioneve të parashikuara. Kemi propozuar një serë ndryshimesh në kuadër të këtyre mendimeve, në mënyrë që ti sjellim dhe përshtatim ato me standardet ndërkombëtare dhe objektivat e OSBE-së.
Më 6 Qershor, i kam shkruar kryeministrit Edi Rama të cilit i kam përcjellë ekspertizën e dytë ligjore mbi këto draft ligje, veçanërisht mbi mendimet për “Ligjin mbi median audiovizive në Shqipëri”. Aktualisht punonjësit e zyrës sime po analizojnë draftligjet e fundit”.
Sikurse evidentohet në këtë raport përfaqësues të OSBE-së kanë zhvilluar dhe dy takime me përfaqësues të kryeministrisë, konkretisht Drejtorin e Komunikimeve në Këshillin e Ministrave, z.Endri Fuga dhe Drejtorin e Departamentit të Ankesave pranë Kryeministrisë, z.Elira Kokona, me 15 Mars dhe një të dytë vetëm me z.Kokona më 7 Maj.
Më 3 korrik, Ministrja e Drejtësisë njoftoi publikun dhe mediat se qeveria ka vendosur t’i dërgojë për shqyrtim dhe miratim Kuvendit të ashtuquajturën paketën “antishpifje”, vendim ky i marrë pas një procesi të gjatë konsultash me grupet e interesit dhe ekspertë shqiptarë e ndërkombëtarë.
Konsultat janë zhvilluar por si gazetarët dhe OJF-të e mediave në vend, pas analizave dhe arsyetimeve, janë shprehur “on block” që qeveria duhet t’i tërheqë dy draftet e prezantuara pasi ato censurojnë median e lirë dhe të pavarur!
Nga ana tjetër edhe katër prej organizatave më të mëdha ndërkombëtare si Reporterët pa Kufij, Federata Europiane/Botërore e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liritë e Shqypit e Medias dhe PEN Internacional kanë reaguar me shkrim duke i kërkuar qeverisë të heq dorë nga dy draftligjet për median.