Pa u mbushur tre muaj nga miratimi i rritjes së pagës së pedagogëve me 30%, Ministria e Arsimit ka përgatitur një projekt-udhëzim i cili rrit ngarkesën e profesorëve e lektorëve në auditorë duke e bërë nul rritjen.

MediaLook disponon draftin “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.29/2019 për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të personelit akademik në IAL, i ndryshuar”. Sipas këtij udhëzimi pedagogët e kategorisë “Profesor” do të zhvillojnë 180 nga 140 orë mësimore, pra 40 orë më shumë nga sa zhvillojnë aktualisht.

Rritje kanë pësuar dhe dy kategoritë e tjera. Lektorët pësojnë një rritje prej 35 orësh, nga 165 që zhvillojnë aktualisht në 200 ore në auditor. Ndërkohë që asistentë-pedagogëve do u shtohen 15 orë. Me udhëzimin aktual ato zhvillojnë 195 orë, ndërsa në draftin e ri parashikohet të zhvillojnë 210.

Por ndërsa ngarkesa e punës për profesorët dhe lektorët është rritur me afro nga 21-28.6% sipas kategorive, mundësia e marrjes së orëve shtesë kundrejt pagesës është ulur me 50%.

Orët suplementare në auditor nuk mund të jenë më shumë se 100 orë mësimore të pagueshme, brenda një viti akademik”, – thuhet në draftin e propozuar. Në udhëzimin aktual një pedagog ka mundësinë e marrjes së 200 orëve shtesë.

NGARKESA MËSIMORE VJETORE NË AUDITOR PËR PEDAGOGËT ME KOHË TË PLOTË

Kategoria Udhëzimi aktual Propozohet të rritet në Ndryshimi në %
Profesor 140 orë 180 orë 28.6%
Lektor 165 orë 200 orë 21.2%
Asistent-lektor 195 orë 210 orë 7.7%

 

Ndërkaq, udhëzimi i propozuar rrit koficentin e konvertimit të 1 ore leksion me 1.25 orë mësimore për leksionet, ndërsa lë të pandryshuar në raportin 1 me 1 seminareve apo punëve laboratorike. Por rritja e koeficientit nuk pritet të ketë efekt financiar të ndjeshëm në pagë veçanërisht në ato programe studimi të cilat në kurrikulat e tyre janë orientuar më shumë drejt punëve praktike e laboratorike, duke reduktuar leksionet në auditor.

Më 7 Prill, Kryeministri Rama njoftoi pas një mbledhje qeverie se pedagogët ishin në radhën e atyre profesioneve që do të përftonin ngritje page. “Një rritje do të ketë edhe për pedagogët e cila përllogaritet me 20%, me një diskrecion që mund të shkojë deri në 30%”, – do të deklaronte kreu i qeverisë një muaj para mbajtës së zgjedhjeve lokale.

Nëse projekt-udhëzimi i ri i Ministrisë së Arsimit, që rrit ngarkesën e profesorëve në auditor dhe lektorëve do të miratohet, kjo do të ishte në fakt një zerim i kësaj rritje.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu