Maxhoranca socialiste e kryeministrit Edi Rama sfidoi hapur këshillat e Bashkimit Evropian, të OSBE-së dhe të Britanisë së Madhe duke votuar të mërkurën më 7 korrik Armela Krasniqin, një ish-zëdhënëse e Partisë Socialiste dhe bashkëpunëtore e ngushtë e Edi Ramës në atë që kritikët e kanë quajtur një kapje të një institucioni të pavarur nga partia në pushtet.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha vuri në dukje kërkesat e përsëritura të partnerëve evropianë të vendit për ta shpallur zgjedhjen e Krasniqit “një harbutëri”.
Mëngjesin e së mërkurës, zyra e Delegacionit Evropian në Tiranë i bëri thirrje parlamentit të mos e votojë sot zgjedhjen e kreut të AMA duke theksuar nevojën për institucione të pavarura. Pak më vonë ishte zyra e OSBE-së ajo e cila bëri thirrje për AMA të pavarur ndërsa Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar iu bashkua duke kërkuar AMA të pavarur dhe profesionale.
“Ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me emërimin gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar,” thuhet në njoftimin e BE-së, publikuar në rrjetin social Tëitter.
“kemi qenë në kontakt me aktorët përkatës, duke theksuar nevojën për një organ të pavarur të rregullimit të medias. Ne nënvizojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm,” deklaroi zyra e OSBE-së.
“Autoritetet rregullatorë të mediave kanë një rol kritik në përforcimin e standardeve, integritetit dhe pavarësisë së mediave. Procedurat transparente janë thelbësore për të siguruar besimin e publikut dhe të të gjithë aktorëve të medias te rregullat, ligji dhe autoritetet publike,” deklaroi ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.
Kuvendi i Shqipërisë hapi thirrje për kandidatë për kryetarë të AMA majin e kaluar duke krijuar një situatë të cilën ekspertët e medias e konsideruan si të papërshtatshme për të garantuar procedura të rregullta. Kjo për shkak se disa deputetë që dikur i përkisnin opozitës parlamentare kanë kaluar tashmë në rradhët e maxhorancës ndërsa ligji për Median Audiovizive mbart formula të tilla që kërkojnë opozitë parlamentare për të pasur një proces të rregullt. Në një rast flagrant, në shkurt, parlamenti zgjodhi anëtarë të rinj në bordin e Radio Televizionit Publik. Dokumentet parlamentare tregojnë se deputeti Klajdi Qama “kreu rolin e pakicës parlamentare” dhe skualifikoi dy nga katër kandidatët garues. Formula me skualifikim nga opozita është parashikuar në ligjin e Medias Audiovizive në mënyrë që opozita të mund të përjashtojë personat që ajo i sheh si më pranë qeverisë në garë. Por fakti është që deputeti Qama, vetëm pak javë pasi ushtroi funksionin e opozitës, garoi për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit.
Duket se kjo është arsyeja se pse Bashkimi Evropian bëri thirrje që diskutimi mbi kreun e ri të AMA të mund të shtyhet për në shtator.
Socialistët nuk komentuan mbi kërkesën e BE-së për shtyrje por kjo është hera e dytë në më pak se dy vjet që ata votojnë në mënyrë eksplicite kundër Brukselit. Herën e kaluar, në vitin 2018, ata votuan një ligj kontrovers që synonte të rregullonte median online kundër kërkesës eksplicite nga Brukseli për të mos e bërë.
Ligji në fjalë synonte mes të tjerash që institucioni i Autoritetit të Medias Audiovizive të mbikëqyrte median online me fuqi për të urdhëruar heqje shkrimesh nga publikimi dhe për të vendosur gjoba. I prezantuar nga kryeministri Edi Rama si një “ligj anti-shpifje” ai u konsiderua si një ligj që synon t’i mbyllë gojën kritikëve të qeverisë dhe të ndalojë denoncimin e akteve të mundshme korruptive. Ligji në fjalë u bllokua nga presidenti Ilir Meta dhe u rikthye në parlament. Socialistët nuk e votuan rrëzimin e dekretit të Metës pasi një opinion shumë kritik i Komisionit të Venecias vuri në dukje se si një ligj i tillë mund të përdoret nga politikanët dhe oligarkët për t’i mbyllur gojën kritikëve. Kryeministri Edi Rama deklaroi në një rast se është tërhequr nga ligji në fjalë por formalisht ligji vijon të jetë në axhendën e punimeve parlamentare dhe nuk është tërhequr ende zyrtarisht.
AMA është konsideruar gjerësisht si një institucion i varur politikisht, ku partitë e ndryshme politike delegojnë mbështetës të vetët në bordin e saj. Megjithatë, emërimi i një bashkëpunëtoreje të ngushtë të një kryeministri përbën një tejkalim të ri në partitizimin e një institucioni i cili ligjërisht duhet të jetë i pavarur nga palët politike./ Reporter.al