Përqendrimi i pronësisë mediatike, forcimi i rolit të AMA-s për të frenuar transmetimet e ndaluara nga ligji, kontratat e gazetarëve dhe përfshirja e grupeve të interesit në draftet mbi median online janë prioritetet e Shqipërisë në fushën e medias.

Në progres-raportin e BE-së për vitin 2019 nënvizohet marrja e masave për kufizimin e aksioneve mbi pronësinë e medias sipas standardeve ndërkombëtare. Kjo pasi “përqendrimi i medias në pak duar krijon shqetësime mbi konkurrencën për organizatat e pavarura të medias dhe se politika editoriale e operatorëve private vazhdon të mbetet në favor të qarqeve politike dhe interesave të bizneseve të caktuara”.

Dokumenti evidenton se tashmë që financimi i AMA-së është rritur ndjeshëm “ky institucion duhet të përqendrohet më shumë në mbikëqyrjen, monitorimin dhe inspektimin e aktiviteteve të paligjshme dhe transmetimeve që ndalohen nga ligji për median audiovizive”. Duke mbetur te roli i autoritetit rregullues në Progres-Raport theksohet se, shtyrja e afatit të kalimit nga transmetimet analoge në ato dixhitale, për shkak të mungesës së dekoderave dhe mospajisjes në kohë nga ana e qytetarëve, “tregoi mangësi në rolin e AMA-s për menaxhimin e procesit si dhe mungesën e ndërgjegjësimit publik për kalimin në transmetimet dixhitale”.

Dokumenti i BE-së evidentoi gjithashtu se gazetarët kanë nevojë për më shumë siguri në punë. Sipas kësaj ekspertize “pronarët e mediave nuk formalizojnë kontratat e punës dhe Kodi i Punës nuk zbatohet si duhet për gazetarët të cilët shprehen dhe për vonesa në marrjen e pagave”.

MediaLook sjell të gjithë kapitullin mbi median dhe lirinë e shprehjes në Progres-Raportin e BE-së: 

Kërcënimi i gazetarëve

Gjatë kësaj periudhe ka patur dy raste të sulmeve fizike ndaj gazetarëve, të raportuara respektivisht në qershor dhe shtator të vitit 2018. Krahas tyre, në muajin gusht shtëpia e prindërve të gazetares investigative, Klodiana Lala, u qëllua me breshëri plumbash e krahas saj dhe një drejtues televiziv është kërcënuar. Shoqatat mediatike dhe autoritetet publike i kanë dënuar këto sulme ndërsa autoritetet nisën hetimet të cilat ende nuk kanë sjellë asnjë të arrestuar.

Në muajin Maj, një politikan u dënua për shpifje në një çështje ku ishte përfshirë një gazetar, ndërsa gjykata e shkallës së parë rrëzoi akuzat për shpifje ndaj dy gazetarëve investigues. Shqipëria duhet të forcojë më tej përpjekjet e saj për tolerancë zero në lidhje me kërcënimin e gazetarëve dhe mediave.

Shpifja në media dhe draftet “antishpifje”

Kushtetuta dhe ligjet përkatëse janë në respekt të plotë me kuadrin ligjor ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Ata garantojnë liritë individuale, duke përfshirë të drejtën për privatësi dhe lirinë e shprehjes. Ato gjithashtu përfshijnë sanksione kundër nxitjes së urrejtjes. Shpifja mbetet një vepër penale, edhe pse në ligj nuk parashikohet dënimi me burg. Megjithatë, gazetarët e dënuar për shpifje përballen me gjobave të larta.

Në dhjetor 2018, qeveria njoftoi një paketë ndryshimesh në Ligjin për Media Audiovizive dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike për të cilat janë mbajtur konsultime publike në fillim të këtij viti. Ajo që duhet theksuar është se mbetet me rëndësi që opinionet e aktorëve të ndryshëm, përfshi mediat, të merren në konsideratë përpara miratimit të këtyre drafteve. Mbi këtë çështje ka patur reagime të ashpra edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Shqetësimet përfshinin fushën e përcaktimit “të publikimit elektronik”, detyrimin e regjistrimit të domain-eve dhe përgjegjësit e dështimit të këtij regjistrimi. Draftet antishpifje janë duke u shqyrtuar dhe harmonizuar me Acquis të BE-së dhe me standardet evropiane.

Në tetor të vitit 2018, Autoriteti Rregullator për Komunikimet Elektronike dhe Postare (AKEP) paralajmëroi se 44 portale online do të mbyllen nëse nuk do të regjistroheshin brenda 72 orëve në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe nëse nuk do të publikonin NIPT-in në faqet e tyre. Sikurse u evidentua më sipër, ndryshimet e propozuara kohët e fundit në kuadrin ligjor të ligjit për mediat online përfshijnë detyrimin e regjistrimit të medias online, arsye e cila mbetet për tu qartësuar.

Zbatimi i ligjit nga AMA

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), autoriteti rregullator në fushën e shërbimeve të transmetimit audio dhe video, miratoi planin e saj strategjik për vitet 2017- 2019 në mars 2017. Financimi i AMA-s është dyfishuar. Ky institucion ka ndryshuar strukturat e saj dhe duhet të përqendrohet më shumë në mbikëqyrjen, monitorimin dhe inspektimin e aktiviteteve të paligjshme dhe transmetimeve që ndalohen nga ligji për median audiovizive. Aktivitetet e AMA-s i nënshtrohen mbikëqyrjes parlamentare nga Komisioni për Arsimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Afati i ri i përcaktuar nga AMA për procesin e kalimit dixhital është shtatori 2019. Infrastruktura për të kaluar nga transmetimet analoge në ato dixhitale është thuajse e gatshme. Megjithatë, AMA ka shtyrë afatin e kalimit dixhital në Tiranë dhe Durrës për shkak se qytetarët nuk ishin pajisur me dekodera dhe mungesës së tyre në treg. Ky incident tregoi mangësi në rolin e AMA-s në menaxhimin e procesit si dhe mungesën e ndërgjegjësimit publik për kalimin dixhital.

Faktorë ekonomikë

Mbipopullimi i tregut mediatik dhe përqendrimi i medias në një pak duar krijojnë shqetësime mbi konkurrencën për organizatat e pavarura të medias. Politika editoriale e mediave private vazhdon të mbetet në favor të qarqeve politike dhe interesave të bizneseve të caktuara. Financimi i mediave përmes fondeve dhe granteve mbetet thelbësore për të përmirësuar lirinë, veçanërisht sfidave të reja mbi fake news dhe influencës së palëve të treta. Vetëcensuara dhe punësimi i gazetarëve pa kontrata të rregullta mbetet një shqetësim serioz.

Kushtet e punës

Gazetarët kanë nevojë për më shumë siguri në punë. Pronarët e mediave nuk formalizojnë kontratat e punës dhe Kodi i Punës nuk zbatohet si duhet për gazetarët. Një studim i kohëve të fundit i mbështetur nga BE tregon se punësimi në sektorin e medias vazhdon të jetë problematik, me një të tretën e të anketuarve që theksojnë se ata aktualisht nuk kanë një kontratë pune. Më shumë se gjysma e të anketuarve pohuan se paga e tyre ishte më e ulët se paga mesatare në sektorin publik dhe po kaq shprehën shqetësim për vonesat në marrjen e pagave në kohë. Vonesat e pagave për muaj të tërë raportohen rregullisht. AMA, së bashku me Komisionin Parlamentar për Media, po i shtyn autoritetet që të zbatojnë me përpikëri Kodin e Punës për gazetarët. Megjithatë, hapat institucionalë për të siguruar këtë zbatim duhet të jenë më konkrete.

Televizioni Publik Shqiptar

Transmetuesi publik RTSH ka një strukturë të re të brendshme që pasqyron procesin e kalimit në transmetimet dixhitale RTSH ka zhvilluar dhe miratuar kodin editorial për të shmangur ndërhyrjen politike. RTSH ende ka nevojë për të siguruar qëndrueshmërinë e saj financiare.

Në qershor të vitit 2018, transmetuesit privatë kërkuan ndryshime në Ligjin për Media Audiovizive, gjë që do të lejonte që një pjesë e taksës së TV të kalonte nga transmetuesi publik në favor të TV-ve private. Ndryshimet e propozuara hasën në kundërshtimin e aktorëve ndërkombëtarë, TVSH-së dhe organizatat mediatike. Iniciativa u refuzua nga qeveria.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu