Fushata e zgjedhjeve lokale për vitin 2023 është mbuluar me materiale të prodhuara nga partitë politike, duke krijuar pak mundësi për median që të verifikojë informacionet dhe premtimet elektorale.
Ky është një ndër elementët e evidentuar në raportin e ndermjetem te Komitetit Shqiptar të Helsinkit, të publikuar përpara heshtjes zgjedhore.
“Pavarësisht reagimit publik të KShH-së lidhur me këtë problematikë, vërejmë me keqardhje se, përkundrejt nevojës për pluralizëm funksional mediatik, liri editoriale dhe verifikim të informacionit gjatë periudhës zgjedhore, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, media rezulton se ajo ka qenë “e detyruar” apo “kushtëzuar” t’i referohet përmbajtjes së materialeve të prodhuara nga partitë politike, duke përfshirë këtu filmimet e para regjistruara, programet e disponueshme në formatet dixhitale që shkarkohen në internet (podcast), apo forma të tjera të transmetimit live. Ky konstatim është lehtësisht i evidentueshëm nga pamjet audio-vizive të transmetuara edhe në mediat kombëtare, gjatë edicioneve të lajmeve”, – thuhet ne raportin e KShH.
Sipas Komitetit Shqiptar të Helsinkit “kjo situatë ka krijuar një mjedis vetë-censurues dhe tkurrës për lirinë e medias dhe lirinë e zgjedhjeve në vendin tonë, i cili nuk pajtohet me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR”.
Ekspertët e Komitetit të Helsinkit vërejnë se gjatë kohës televizive dedikuar fushatës zgjedhore, partitë e vogla jashtë parlamentare janë diskriminuar, pasi nuk kanë patur minutazh të dedikuar për to. Por pavarësisht kësaj problematike, as “AMA dhe as KQZ nuk kanë ngritur shqetësime lidhur me këtë fenomen, që privon zgjedhësit nga e drejta për t’u njohur me të gjitha subjektet garuese”, – evidenton dokumenti.
Raporti i ndërmjetëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit evidenton se çështja e materialeve mediatike të parapërgatitura dhe të transmetuara nga mediat pa ndryshime është një situatë që në Shqipëri ndodh prej vitit 2009, ndërsa specifikohet se në mënyrë të vazhdueshme “OSBE/ODIHR ka rekomanduar të rishikohet neni 84/1 i Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e para-regjistruara të prodhuara nga partitë politike, të transmetohen gjatë dhënies së lajmeve, gjë që krijon avantazh të padrejtë, sidomos për partitë kryesore politike”. Pavarësisht ndryshimeve të vitit 2020 në Kodin Zgjedhor, neni 84/1 mbeti i pandryshuar.
Klikoni ketu per te lexuar raportin e plote te ndermjetem te KShH-se.