Ngjarja e paprecedentë me një breshëri plumbash që u derdhën mbi ambientet e banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala tronditi mbarë opinionin publik, shoqatat e gazetarëve, kolegë, të afërm e pjesëtarë të shoqërisë civile të cilët reaguan menjëherë me protesta në rrugë dhe postime mbështetëse në rrjetet sociale.
Një panoramë e mrekullueshme e solidaritetit njerëzor, ku të njohur e të panjohur, pa humbur kohë rendën t’i japin sadopak kuraje një gazetareje, e cila ushtron një detyrë po kaq fisnike, atë të shërbyeses së interesit publik.
Sulmi kërcënues po merrte përgjigjen e ashpër, për fat të keq, vetëm nga ana e shoqërisë civile dhe ende jo nga autoritetet, që, siç thonë, vijojnë hetimet.
E megjithatë, pati dhe nga ata gazetarë, kolegë të Klodianës, që tentuan ta bëjnë pis këtë “revoltë popullore”, duke shfaqur edhe njëherë tiparet e tyre narciste e duke marrë rolin e protagonistit.
Dikush duke treguar se edhe ai ishte kërcënuar nga kriminelë të lidhur me pushtetin; një tjetër duke rrëfyer mjerimin e gazetarëve, që ushtron detyrën pa pushime e pa paga në kohë; apo dhe histori romantike ku i thurej një himn “gazetarit të terrenit”, e ku i kërkohej publikut dhe jo-gazetarëve të heshtnin, pasi kjo histori nuk u përket atyre…
Por të gjithë këta protagonistë patën një të përbashkët: prisnin e përcillnin urime dhe komente në Facebook!
E për rrjedhoje, sulmi i rëndë me breshëri plumbash mbi kolegen e tyre u sfumua disi nga historitë me pistoleta në kokë, mesazhet kërcënuese apo kushtet e vështira të punës së një reporteri në redaksitë shqiptare.
Ndërkaq, sot, të paktë janë ata që flasin për problemet e gazetarisë dhe mediave në Shqipëri. A thua në këto pak ditë që kanë kaluar, gjithçka ndryshoi si me një të rënë të lapsit?
Sigurisht, që jo!
Gazetaria kishte dhe vijon të ketë të njëjtat problematika por gazetarët, eprorët e tyre dhe dhjetëra shoqata heshtin.
Jo vetëm sepse një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk janë të lirë e s’kanë të sigurt vendin e punës për shkak të informalitetit, as sepse një numër i madh shoqatash kanë konflikt interesi apo janë të korruptuara, por edhe sepse mungon solidariteti mes gazetarëve.
Numërohen me gishtat e dorës gazetarët që dalin në protestë për kolegët e pushuar nga puna apo ata të papaguar. Madje, për ironi ose jo, edhe vetë reporterët-viktima, jo rrallë herë refuzojnë ti bashkohen ndonjë tubimi të organizuar nga Unioni i Gazetarëve në funksion të kauzës së tij…
Prandaj reagimi i opinionit publik, si për të thënë se lajmësit janë të paprekshëm, ishte një leksion për të gjithë reporterët.
Por përtej këtij lajmi të mirë, duhet thënë se kërcënimi me plumba i gazetares nxori në pah anën tjetër të medaljes. Ajo na shfaq nivelin e demokracisë sonë, të mediave tona dhe të reagimit publik i cili di të protestojë, në rrugë e Facebook, vetëm atëherë kur ngjarjet arrijnë ekstremet, siç ishte edhe kërcënimi me jetë i Klodianës.
A nuk do të ishte më mirë që kjo klimë solidariteti të krijohej dhe kur dikujt i mohohet një shërbim publik, humbet një vend pune, apo, pse jo, dhe kur proteston për gjendjen e rrugëve, taksat, cilësinë e naftës, ndotjen e ambientit, hapësirat e përbashkëta, parqet apo dhe zhvendosjen e një peme të vetme?
Drejtësia e munguar ndaj një individi të vetëm apo një grupi është padrejtësi ndaj të gjithëve, kjo është dhe duhet të jetë fryma e bashkëjetesës në komunitet, pikësëpari mes gazetarëve, që presupozohet se ndër të tjera edukojnë shijet dhe sjelljet e publikut.