Përpara disa ditësh AMA njoftoi se do të mbyllej transmetimi analog për zonën Tiranë – Durrës, ku përfshihen edhe pjesa më e madhe e konsumatorëve të programeve televizive në vend. U paraqit si një sukses dhe në fakt, megjithë vonesat dhe historitë e pakëndëshme që shoqëruan procesin, një sukses është kalimi nga transmetimet analoge në ato dixhitale.

Shqipëria nuk mund të qendrojë te televizioni me rezervuar vajguri. Kalimi drejt teknologjive numerike duhet bërë urgjentisht në të gjitha fushat sepse ende Shqipëria jeton në shekullin e XX në shumë fusha, pra jemi një shekull me vonesë. Aq i shpejtë është progresi teknik sot saqë mjafton një dekadë të mos e ndjekësh, merr vonesa që mund të maten me shekuj. Të duket vetja jashtë kohe. Përshembull arsimi shqiptar nga pikëpamja e njohurive numerike në të gjitha fushat i ngjan një fushe ku të duket vetja se je në Mesjetë.

Mirëpo ajo që AMA deklaroi si sukses nënkuptonte edhe faqen e padukshme të Hënës, pra që nuk do të kishte më transmetime analoge. E hidhura vjen pas së ëmblës. Të gjitha ata dhjetra mijra e qindra mijra konsumatorë përmbajtjesh televizive që nuk kishin bërë përçapje për t’u pajisur me dekodera, u ndodhën para ekraneve gri, pa imazh e zë, një ditë të bukur. Të përjashtuar nga marrja e ofertave televizive vendase dhe të huaja. Me siguri janë ndjerë edhe të përjashtuar, por edhe të fyer . Ndofta kujtonin se ndërprerja nuk do të ishte aq brutale, por ja që ndodhi. Nuk besoj se nuk ishin informuar nga klipet e marketingut dhe të njoftimeve publike. Por, nuk u kishin besuar veshëve, dhe tani nuk u besonin syve. Qërojuni ! Televizioni është bërë si patatja ose domatja. Nuk ke lekë, nuk blen dot! E hidhur!

Po atë ditë në mëngjes mërmërima masive zbarkoi në emisionet e mëngjesit ku teleshikues të nervozuar nisën të hedhin sharje, fyerje, kritika ndaj politikës dhe gjithkujt që kishte marrë atë vendim. E vërteta është se mllefin e kishin me qeverinë, sepse tashmë janë mësuar se të gjitha agjencitë e tjera sado të duken të pavarura, varen nga qeveria. Hapur ose jodrejtpërdrejt. Kush beson se AMA ka aq fuqi sa të fiki antenat e transmetimeve analoge për të kaluar në transmetimet numerike!

Nuk kaluan disa orë dhe ngjarjet ndoqën njera tjetrën. AMA u tërhoq nga vendimi i marrë, transmetimet analoge rifilluan, qeveria me deklaratën e kryeministrit veprimin e parë e quajti të gabuar duke e shtyrë mbarimin e procesit për disa muaj më vonë.

U duk se konsumatori korri një fitore. Por, e vërteta është se fitorja nuk është ruajtja e analoges kundër numerikes. Ja, do të vijë janari, dhe procesi do të rifillojë, atëhere konsumatorët e përmbajtjeve televizive do të jenë të detyruar të blejnë dekoderat, drëng paratë, dhe ata që do të bëjnë shaka të mos kenë blerë teknologjinë e duhur për marrjen e sinjalit, do të rrinë me sy hapur përpara ekraneve bosh.

Pyetja e parë që bëhet është: përse u tërhoq qeveria?

Unë nuk besoj dhe nuk dua të uroj që të ketë rënë në analogjizëm, pra të jetë bërë armike e progresit në këtë fushë, sikurse janë ata që ndalojnë përdorimin për qëllime mësimdhënieje të telefonit celular në shkolla. As sepse i ra papritur qendrimi i AMA-s që nuk ka asnjë fuqi të marri kësisoj vendimesh kaq politike që influencojnë konsumatorin masiv. Arsyet janë të tjera.

E para, sepse qeveria kishte nxjerrë disa mësime mendoj unë nga revolta e rrugës së Kombit në Kukës. Nëse edhe antenat e transmetimeve numerike do të digjeshin sikurse u dogjën kabinat dhe teknologjia e taksës të kalimit në Kukës, ngjarja do të ishte e përsëritur. Dhe duhet kuptuar se qeveria po këtë javë priste rivendosjen e traut të taksës të kalimit mbi rrugën e Kombit, pra nuk kishte asnjë dëshirë dhe interes që po ato ditë të kishte mbi kurriz edhe revoltën e konsumatorëve të përmbajtjeve televizive. Do të kishim revoltat e rrugëve, njera e rrugës fizike, tjetra e bulevardeve të informacionit numerik. Do të ishte shumë.

E dyta, sepse mendoj unë përmbajtja televizive nuk është si cdo mall tjetër. Nuk është si domatja, ose fiks si patatja, preshi, trangulli, banania apo shalqiu. Supozojmê se qindra mijë persona do të mbeteshin pa sinjal televiziv për arsye të fikjes të antenave të transmetimit analog. Por, cfarë transmetojnë televizionet tona me shumicë? Mos filma të rinj nga kinematografia botërore? Mos emisione për libri, artin, shkencën? Mos dokumentarë nga bota? Mos emisione të dobishme për qytetarët? Aspak! Në më të shumtën e kohës të transmetimeve japin politikë, fjalime, intervista politikanësh, mbledhje dhe bisedat në studio për politikën. Pse budallaqe është politika dhe qeveria që t’i privojnë konsumatorët televizivë nga një përmbajtje që bën lavazhin politik të trurit të tyre? Sigurisht që të vilen lekë nga audiencat masive – kjo ka interes. Por, ndërkohë, që të ndërpritet lavazhi i trurit cdo ditë, orë e minutë i kësaj pjese të popullsisë vetëm sepse ajo nuk ka blerë dekoder, kjo do të ishte e pafalshme!

Për propagandën politike paguhen miliona! Pse duhej që me një vendim politik vetë politika të pengonte propagandën e saj në opinionin publik? Humbja kësisoj do të kishte qenë shumë më e madhe sesa disa miliona lekë të fituara nga kompanitë apo shpërndarësit në treg të dekoderave.

Duke u ndodhur përpara një humbjeje për vete, pra prerjen e kanaleve të propagandës politike, dhe përpara një fitimi të pritshëm, nga ana e bizneseve që shesin dekodera, kuptohej që edhe më budallai nga vendimmarrësit në planet do të zgjidhte lehtësisht: Rikthimin e transmetimeve analoge për një periudhë disamujore! Bizneset të presin edhe pak! Aty e kanë fitimin.

E treta sepse gjithkush e di që në Shqipëri televizioni është pothuajse i vetmi mjet që shpërndan kulturë, nëse e marrim këtë term në një kuptim shumë të gjerë. Ose loto, ose kafene, ose televizion. Ndêrpreja e sinjalit televiziv për mijra familje do të krijonte një kohë bosh që kur masat nuk kanë me çfarë e mbushin bëhet një fakt sociologjik i rrezikshëm për sunduesit e të gjitha llojeve. Publiku do të kërkojë filma në kinema, por kinema nuk ka! Do të kërkojë ndeshje sportive, por çfarë t’u shohi ekipeve shqiptare! Do të kërkojë muzikë, por ku ka të tillë veç tallavave në televizion!

Prandaj, procesi kërkonte kujdes dhe mori menjëherë vëmendjen e ndërhyrjes qeveritare. Me kohën televizive nuk bëhet shaka. E imagjinoni se çfarë qetësie therrëse do t’i mbulonte qindra mijra familje shqiptare! Se mos kanë parà të blejnë libra, piano, të rregjistrohen në klube argëtimi, të bëjnë turizëm! Televizioni i zëvendëson të gjitha. Nuk ke lekë të shkosh në Jug për pushime? Mos e bëj kaq të madhe. Ja shihe Jugun gjithë ditën në televizion.
Në vitet 40 në ShBA është bërë një studim kur gazetat nuk dolën për disa ditë për shkak të një greve masive. Cfarë ndodh me publikun kur nuk ndodhet i ekspozuar ndaj mediave? Nuk rritet kërkesa për informacion, jo. Nuk ndodhi ajo që supozohej. Ndodhi diçka tjetër. Rritet ankthi dhe pasiguria sociale. Qytetari eksitohet, merr ankth, dhe ankthin kolektiv e shpërthen pastaj ku mundet.

Gjithsesi, lidhur me anullimin e ndërprerjes të transmetimeve analoge, dy fakte janë të njohura:

-Fakti i parë: qeveria ndërhyn me shpejtësi dhe reagon për arsyet e saj ndaj pakënaqësive masive;
-Fakti i dytë: kemi një mërmërimë pakënaqësie nga ana e konsumatorit.

Mjafton kjo për të thënë që procesi duhet parë së paku nga dy anë. Ana e parë lidhet me administrimin e procesit. Por, unë nuk do të ndalem këtu pas analizës shumë interesante që ka bërë Dr. Elvin Luku, pedagog i ri dhe i shumë mirëformuar i komunikimit në Universitetin e Durrësit, dhe botuar në website-n e tij “Medialook”, që po merr peshë gradualisht në studimet në këtë fushë në portalet online të vendit.

Ana e dytë ka të bëjë me sjelljen konsumatore sepse lidhet me reagimin e audiencave televizive ndaj politikave rregullatore të pejsazhit televiziv në vend. Pra, kemi një përqasje sociologjike.

Të tilla studime realizon prej disa vitesh departamenti i gazetarisë dhe komunikimit pranë Universitetit të Tiranës, me mbështetjen e vyer të AMA-s, dhe që hedhin dritë të qartë mbi atë që ka ndodhur ose pritej të ndodhte.

Cfarë ka ndodhur nëse e segmentojmë audiencën që ndodhet përpara kalimit përfundimtar nga marrja e sinjalit televiziv analog në atë numerik?

Le t’i shohim disa segmente të këtyre konsumatorëve që njihen ndryshe si përdorues të dekoderave, si audienca, ose si klientelë e transmetuesve televizivë.

Fillimisht kemi shtresat më të varfëra të popullsisë, ato që fatkeqësisht dhe jo për faj të tyre kanë si burim të ardhurash ndihmat sociale. Le të jenë aq familje sa konsideron shteti, tetëdhjetë mijë, më shumë ose më pak, pra ato që familje që do t’u sigurohej dekoderi falas. Pra, që kalimi nga transmetimet analogjike te numeriket pothuajse nuk do t’u kushtonte asnjë lek. Duhet thënë se këto pjesë të popullsisë konsumojnë shumë përmbajtje televizive sepse televizioni është mjeti kryesor, ndofta, që i lidh me shoqërinë e madhe. Por, konsumojnë përmbajtje me niveli kulturor masiv si spektakle, ndeshje sportive, ndonjë bisedë politike, seriale filmike, etj. Përgjithësisht kënaqen me kanalet televizive falas të radiotelevizionit publik ose televizioneve komerciale kombëtare ose ato informative. Të gjitha kanale përgjithësisht pa parà.

Kjo pjesë e shoqërisë nuk më duket se shprehu ndonjë shqetësim për kalimin me dekodera drejt transmetimeve numerike. Por, edhe ajo ka dyshimet dhe pakënaqësitë e veta. Vërtet mori dekoderin falas, por familjet e reja që krijohen e që do të kenë të njejtin status financiar dhe social, ta zemë pas dhjetë vitesh, atëhere përsëri falas do ta kenë dekoderin? Nëse ky dekoder dëmtohet ose ka ndonjë defekt, a do të vijë kush t’ua riparojë?

Gjithsesi këto pyetje nuk ishin besoj në rend të ditës, pavarësisht seriozitetit të tyre si shqetësime reale.

Problem ishte një shtresë e dytë konsumatorësh që ndofta nuk janë në zgrip të nevojave të paplmotësuara dhe nuk trajtohen nga ndihma sociale. Por, megjithatë janë me të ardhura të pakta. Ishin këta që shprehën më shumë pakënaqësitë e tyre. Ishin pensionistë, banorë të zonave rurale, shtresa urbane në vështirësi ekonomike.
Këtu do të duhej të ishte bërë kujdes i veçantë për të mos mbivendosur dy koncepte të ndryshme.

Varfëria absolute dhe varfëria relative. Varfëria absolute tregon mungesën absolute të tê ardhurave. Kurse varfëria relative më tepër është e lidhur me faktin se shtresa të gjera sociale në nevojë konsumojnë shumë pak parà për kulturën, librin, informacionin, pra edhe për të konsumuar përmbajtje televizive. Pra, kanë pak të ardhura për t’i kushtuar buxhete financiare familjare produkteve televizive.

Nga të dhënat e sondazheve që disponon Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit pranë Universitetit të Tiranës rezulton se kjo shtresë është bajagi e gjerë.

Nga rezultatet e anketimit mbarëkombëtar të realizuar në vitin 2017 del se mbi 70% e të anketuarve në territorin e vendit konsumojnë më pak se 3.000 lekë të reja për të marrë shërbime televizive përgjatë një muaji. Madje gjysma e tyre, çka përfaqëson jo pak popullsinë vendit, harxhon midis 1.000 deri 2.000 lekë në muaj për këtë qëllim. Supozohet lehtë që pjesa e popullsisë që harxhon kaq nga buxheti i vet familjar është shumë më e gjerë sesa pjesa e popullsisë që përfiton nga ndihmat sociale dhe ka pasur dekoderin falas.

Kësaj pjese të popullsisë t’i kërkosh që menjëherë të bëjnë një investim prej disa mijra lekësh për të blerë dekoderin e branduar nga ana e kompanive mediatik dixhitale, sigurisht që është një lloj shoku që shkakton.

Pra, nuk është fjala vetëm për familjet e varfëra materialisht, por edhe për familjet e tjera, shumë më gjerë sesa në rastin e parë, të cilat janë të varfëra në kuptimin se kanë shumë mundësi të kufizuara në buxhetin e tyre familjar për t’a shpenzuar për kulturën dhe informacionin. Këtë politika e shpërndarjes të dekoderave falas nuk e mori në konsideratë.
Nga i njejti anketim delte se kishte pjesë të gjëra të popullsisë të cilat nuk ishin gati të bënin një përpjekje tjetër për të paguar në mënyrë që të kishin një sinjal televiziv dhe përmbajtje televizive më cilësore:

Veç këtyre, kemi edhe një shtresë tjetër sociale të audiencave të cilat, me më shumë të ardhura mujore, hezitojnë nëse duhet të qendrojnë te kanalet televizive falas, pra të kenë një dekoder të thjeshtë, apo të kalojnë te kanalet me pagesë dhe me një listë të gjatë syresh, pra të paguajnë për një dekoder korrepsondues. Por, gjithësesi nuk janë gati të blejnë më shumë se një dekoder, dhe jo dy a më shumë sipas operatorëve në treg.

Nga anketimi që përmendëm del se edhe familje rreth 2.000 ose 3.000 lekë të ardhura mujore të deklaruara zyrtarisht në fakt bëjnë kujdes të jenë shumë të rezervuar me paratë që harxhojnë për lidhjen televizive.

Dhe del që rreth një e treta e popullsisë, ndoshta edhe më shumë, ose nuk paguan fare për të marrë përmbajtje televizive ose paguan minimalisht sa për paketën bazë dhe nga muaji në muaj.

Kjo shpreh që edhe kjo shtresë e popullsisë rreziston ndaj harxhimeve të tjera ose nuk ka mundësi ose nuk ka nevojë kundrejt pagesës për më tepër shërbime televizive.

Kjo ndodh për tre arsye kryesore, sikurse e dëshmojnë studimet në fjalë:

E para, sepse audiencat janë të pakënaqura nga cilësia e ofertave televizive.
Së dyti, sepse kanë pak mundësi financiare për t’ia kushtuar këtij shërbimi.
Së treti, sepse kryesisht audiencat e reja i konsumojnë buxhetet financiare te burime e kanale informacioni alternative sikurse janë rrjetet sociale, Interneti, telefonia e lëvizshme, etj.

Shtresa tjetër, ajo me shumë burime financiare ose në gjendje të mirë financiare sigurisht është e pandjeshme nga kalimi drejt transmetimeve numerike sepsetanimë ajo e ka bërë këtë kalim. Problemi me këtë pjesë të audiencës është tjetër. Ajo është pak shikuese e përmbajtjeve televizive vendase, e atyre në formë “mainstream flow” dhe e informacionit politik duke u dhënë më tepër pas operatorëve ndërkombëtarë në web ose pas rrjeteve sociale.

Prandaj analiza na çon te ideja se nga këto shtresa audiencash :

a. Shtresa e varfër në shkallë absolute
b. Shtresa gjysëm e varfër pa mundësi harxhimesh në kulturë dhe informacion
c. Shtresa e mesme e varfër dhe e mesme që heziton midis kanaleve pa pagesë dhe paketë me pagesë minimalje si listë kanalesh dhe të kufizuar në kohë
d. Shtresa e mesme me të ardhura të mira.
e. Shtresa me të ardhura të bollshme

problemi i rezistencës ndaj kalimit në transmetimet dixhitale vjen më tepër nga shtresat b dhe c që gjithsesi mund të përbëjnë një të tretën deri në 40 përqind të popullsisë.

Janë pikërisht ato që edhe nuk përftojnë dekodera falas por edhe që nuk kanë bollshëm buxhete familjare mujore për t’ia kushtuar blerjes të dekoderave të rinj cilësorë.
Po të kuptohej ky fakt madhor sociologjik, atëhere do të dilnin disa përfundime :

1. Dihet se në kalimin nga transmetimet analoge te ato numerike do të krijohen një sërë pasojash pozitive financiare. Kështu krijohet mundësia që spektri i valëve të përdorura nga ana e transmetimeve televizive të të ngushtohet. Pjesa e tjetër ose e krijuar rishtazi për komunikim supozohet se mund të kalojë për komunikime numerike nga kompanitë telefonike etj. Bëhet fjalë për shifra marramendëse fitimesh sikur të menaxhohen si duhet dhe të përdoren me rendiment dhe nikoqirllëk. Politikat zyrtare mund të mbajnë parasysh se dividenti i krijuar potencialisht, çka bart edhe mundin dhe përpjekjen e masave të qytetarëve, jo i gjithi ka vend të akumulohet, por edhe të shpërndahet. Cfarë janë disa mijra e dhjetra mijra dekodera për fazën fillestare që të jepen falas? Sa kushtojnë ata? Përpara fitimit tê pritshëm janë një pikë uji në oqean. Një ekonomi ecën si duhet jo vetëm kur akumulon ose investon në infrastrukturë, por edhe kur shpërndan për të rritur, ruajtur ose mos prekur fuqinë blerëse të konsumatorit. Në këtë rast, konsumatori televiziv që kalon në marrjen e sinjalit televiziv numerik kontribuon me vullnetin e tij në krijimin e energjive financiare të reja, prandaj edhe duhet nxitur, përkrahur dhe mos u trajtuar me neglizhencë.

2. Kur është fjala për transmetimet e radiotelevizionit publik, ky institucion e ka për detyrë që kanalet pa pagesë që ai transmeton, t’i mbështesi me dekodera falas. Të paktën për transmetimet e veta dhe për të gjitha ato kanale televizive që në liçencën e tyre kanë marrë përsipër detyrimin që të transmetohen pa pagesë. Përse e themi këtë gjë? Për arsyen që dihet se audiencat e gjera, publiku, qytetarët, paguajnë taksën e televizorit, e cila shkon te buxheti vjetor i radiotelevizionit publik. Po ashtu ky televizion përfiton edhe nga buxheti i shtetit, i cili krijohet nga taksat qytetare. Pra, pasi e kanë paguar një herë radiotelevizionin publik, a nuk kanë të drejtë qytetarët të mos paguajnë për dekodera të tjerë lidhur me këtë spektër kanalesh?

Përndryshe çfarë u pa që të paguajmë njëherë, dy herë, tre herë? Transmetimet falas, si për këtë televizion, ndofta edhe për të tjerët, nënkuptojnë jo vetëm që audiencat të mos paguajnë për krijimin e produktit televiziv, por edhe për transmetimin e tij që përfshin edhe dërgimin e sinjalit televiziv te audiencat, te konsumatorët.

Pastaj ka edhe një pagesë tjetër që bëjnë audiencat për të kuptuar mirë se çfarë do të thotë televizione pa pagesë. Në fakt kjo ka kuptimin e televizioneve pa pagesë të drejtpërdrejtë sepse pagesa të tërthorta sigurisht që ka. A nuk paguajmë cmime të fryra edhe nga shpenzimet e reklamës për produktet e tregtuara klientët masivë? Janë paratë e shpenzuara për të blerë mallra në treg dhe që pjesërisht shkojnë për të financuar televizione. Në këtë mënyrë industria televizive e rrjep konsumatorin disa herë rradhazi, si qytetar që paguan taksa, si audiencë që paguan për kanalet me pagesë, si konsumator që paguan për marrjen e sinjalit televiziv, si klientelë e kompanive që anonçojnë reklama televizive, etj.

Boll më !

Nuk u ngopët duke e rrjepur disa herë ? Ndërkohë që teknologjikisht, sinjali televiziv mund të vijë te konsumatori edhe nëpërmjet shërbimeve multiplay, pra bashkë me atë të Internetit, të telefonisë fikse duke hapur konkurrencën e shë’rbimeve dhe goditur monopolet që mbajnë çmime të larta në transmetimin e sinjalit televiziv. A janë studjuar këto mundësi ?

3. Duhen studjuar edhe përvojat e mjaft vendeve perëndimore. Poqese shohim këto përvoja të zhvilluara europiane konstatojmë se dekoderat je familjeve anë jo vetëm për sinjalin televiziv, por edhe për telefoninë fikse dhe për Internetin. Tregu është i hapur ndaj konkurrencave dhe jo monopolistik ose oligarkik.

Por, mbi të gjitha, krijohen mundësitë që në ndërtesa të kalojnë edhe kablot optike, pra që konsumatori televiziv të ketë mundësi edhe të marri sinjal televiziv nëpërmjet kompanive telefonike, edhe nëpërmjet kabllit edhe nëpërmjet lidhjes me Internet ose wifi në aparatet telefonike mobile, etj. Kuptohet se duke patur një të tillë zgjedhjeje çmimi i dekoderave në treg shkon në vlerën marzhinale më të ulët që është edhe çmimi më i drejtë në një shoqëri liberale të tregut.

Duke ditur që përqindje gjithnjë e më të mëdha të audiencave europiane po shkojnë drejt kabllorit, ose edhe po ikin nga kablori për të shkuar drejt televizioneve në web, kompanitë televizive ose të shërbimit të sinjalit televiziv detyrohen të propozojnë shërbime me çmime të arsyeshme. Por, në rastin tonë gjendja është tejet monopolistike dhe kjo duhe’t njohur nga menaxherët dhe rregullatorët e tregut televiziv ose në përgjithësi të informacionit. Kur një familje nuk ka realisht asnjë mundësi tjetër për të marrë sinjalin televiziv veç blerjes të një dekoderi, dihet se cmimet e këtyre të fundit do të tentojnë të jenë sa më të kripura dhe jo sa më të arsyeshme.

Le të mos harrojmë që në përgjithësi televizioni me programacion offline është media e shtresave me më pak të ardhura kudo në botë, aq më shumë në Shqipëri. Si mundet që ndaj tyre të aplikohen cmime pothuajse monopol ? Në vende të ndryshme europiane dekoderi nuk shitet, por jepet me qira. Ke detyrimin ta kthesh kur ndryshon operator. Por shpesh herë, nga matje të përafërta qiraja mujore e një dekoderi, nuk është më shumë sesa një e një mijta e të ardhurave për familje duke marrë për bazë të ardhurat e saj mesatare. Në rastin shqiptar, do të kishim kështu një qira prej 10 qindarkash në muaj për qiranë e dekoderit. Atëhere le të pyesim : Financiarisht është menaxhim optimal kur një familjeje i kërkon të paguajë 3.000 lekë për një dekoder, apo t’i marrësh 10 centimë cdo muaj si qira ? Kuptohet se kjo e dyta është shumë më e pranueshme sesa e para si politikë marketingu.

4. Duhet kuptuar se trendi i sotëm bashkëkohor kudo në botë është që oferta e përmbajtjes televizive të bëhet sa më e lirë dhe jo të shtohen shpenzimet relative ose absolute për marrjen e sinjalit televiziv. Nuk mundet që kur bota ecën drejt uljes të ngarkesës financiare për konsumatorin, ndërsa në Shqipëri, nën presionin e lloj lloj lobingjesh dritëshkurtra edhe për interesat e tyre, të shkohet drejt rritjes të shpenzimeve për komunikim. Kuptohet, shpenzimet mund të shtohen sepse shtohet disafish përmbajtja e komunikuar dhe kanalet e komunikimit, por jo për të njejtën përmbajtje të komunikuar dhe njësi informacioni. Ulen çmimet e tarifave të telefonisë, të shërbimit të lidhjes në Internet, etj. Nuk mund të ngarkohet më tepër financiarisht konsumatori në Shqipëri sepse do të ishte një politikë financiare absurde në krahasim me trendin e përgjithshêm të epokës. Dihet gjithashtu që ulen tarifat e abonimeve kabllore, sikurse mjaft kanale numerike që dikur kanë qenë me pagesë tani janë free. Jo më kot. Televizioni ka nevojë për audiencat e veta. Dihet që shpenzimet e mëdha e ulin audiencën. Kjo sjell uljen e reklamave që për shumë televizione janë burimi kryesor për të mbijetuar. Kjo ka sjellë rikthimin te modelit in clear, pra të televizioneve pa pagesë.

Ne fakt kriza e quajtur revolta e televizionit, tregoi problemet e akumuluara lidhur me modelin financiar dhe ekonomik për operatorët televizivë shqiptarë. Ata kanë nevojë gjithnjë e më shumë për burime financiare për të arritur të krijojnë një produkt televiziv tërheqës, por nga ana tjetër dihet se konsumatori në epokën e sotme të teknologjisë dixhitale nuk është i prirur të paguajë më tepër, por më pak, për njësi informacioni. Ekonomia shqiptare televizive ka hyrë kështu në një darë që prodhon krizë financiare.

Dalja nga kriza nuk janë as taksat e rritura mbi qytetarin, as përfitimi nga buxhetet publike, as rritja e cmimeve të ofertave, as kërkimi i mbishpenzimeve nga ana e audiencave, por kalimi në modele të reja menaxheriale të një ekonomie të re televizive. Ideja nuk është që të ngarkohet gjithnjë e më shumë financiarisht një audiencë në rrudhje e sipër, por të zgjerohet audienca, të nxiten nevoja të reja te ajo, që me oferta financiare konkurrenciale të kryhen shërbime gjithnjë e më cilësore.

Dhe këtu vjelja, mjelja, shtrydhja e audiencës me gjithëfarëlloj marifetesh nuk hyn në punë fare.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu