Presioni i vazhdueshëm i qeverisë ndaj gazetarëve, hartimi i ligjeve në mënyrë të njëanshme në favor të interesave të qeverisë dhe centralizimi i kompanive mediatike ne duart e pak biznesmenëve kanë ndikuar drejtpërdrejtë në vetëcensurimin masiv te gazetarëve në Shqipëri, cka e ka ulur Shqipërinë me shtatë vende në nivel botëror sa i takon indeksit të lirisë së medias.

Në raportin për vitin 2019, organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” e liston vendin tonë në vendin e 82, duke e zbritur me shtatë pozicione, nga vendi i 75-të i një viti më parë.

Në këtë dokument theksohet se “sulmet ndaj medias, si nga eksponentë të qeverisë ashtu dhe krimi i organizuar, kanë arritur në një nivel të paprecedentë”. “Kjo ka bërë që 80% e gazetarëve të mos e shohin profesionin e tyre me një të ardhme të qëndrueshme”, – nënvizon raporti.

“Gazetarët investigativ kanë qenë subjekt i fyerjes, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, ndërsa kryeministri Edi Rama dhe politikanë të tjerë i kanë etiketuar reporterët si “kazan” dhe prodhues të lajmeve të rreme”, – evidentohet në raport.

Në konkluzionin për Shqipërinë nënvizohet dhe propozimi i të ashtuquajturës “paketë antishpifje” që nënkuptonte amendimet e dy drafteve për median elektronike, përfshi atë online, si një përpjekje për të censuruar aksesin në burime alternative informacioni.

Raporti për situatën mediatike në vitin 2018 citon dhe raportin analitik dhe të hollësishëm të Birn Albania në bashkëpunim me “RSF” mbi pronësinë në media, ku ndër të tjera theksohet se “standardet ligjore po manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe se pronësia e medias audiovizive është përqendruar në duart e pak biznesmenëve të madhej”.

Ndërkaq Zëri Amerikës ka pasqyruar situatën në rajonin e Ballkanit, mbështetur në këtë dokument.

Kosova radhitet në vendin e 75-të, tre vende më mirë sesa një vit me parë. Në raport thuhet se “situata politike në Kosovë u bë më e tensionuar dhe me e paqëndrueshme në vitin 2018, si rezultat i afrimit të Serbisë fqinje me Bashkimin Evropian, gjë që e la qeverinë e Kosovës në një izolim diplomatik. Mungesa e transparencës së qeverisë mbi marrëdhëniet me Evropën, nxitën reagime të fuqishme të publikut dhe gazetarëve”.

Dokumenti thekson se media të caktuara kanë kritikuar politikat nacionaliste të presidentit Hashim Thaçi dhe Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa qeveria ka akuzuar gazetarët se janë “tradhtarë” ose “simpatizantë të serbëve”.

Në këtë paraqitje theksohet se “ndarjet etnike në Kosovë janë burim i problemeve mjaft shqetësuese për gazetarët e pakicës serbe. Mediet e këtij komuniteti janë shpesh shënjestër e sulmeve verbale, atyre kibernetike dhe fushatave të medieve pro qeveritare”.

Megjithatë, raporti thekson se “peizazhi media është relativisht pluralist – të paktën në shikim të parë – dhe shumë media kanë pronarë që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta politike, gjë që siguron politika editoriale dhe opinione më të shumëllojshme”

Serbia në vendin e 90-të shënon një rënie prej 14 vendesh, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se “brenda pesë vjetëve të qeverisjes nga presidenti Aleksandër Vuçiç, Serbia është bërë një vend ku të bërit gazetari as nuk është i sigurt dhe as i mbështetur nga shteti”.

Maqedonia e Veriut është në vendin e 95-të duke shënuar ngritje nga një vit më parë kur radhitej e 109-ta, ndërsa Mali i Zi ka renditjen më të keqe në rajon. Ai radhitet në vendin e 104-të.

Sipas raportit, 8 për qind e vendeve të botës vlerësohet të jenë në gjendje shumë të mirë, ndërsa 11 për qind në gjendjen më të rëndë.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here