Bashkimi Europian nënvizon se Shqipëria jo vetëm që nuk ka shënuar progres në fushën e lirisë së shprehjes, por gjatë kësaj periudhe janë shtuar sulmet dhe intimidimet ndaj gazetarëve.

Në Progres – Raportin 137 faqesh të përpiluar nga Komisioni Europian, ndërsa flitet për lirinë e shprehjes, evidentohet klima e rëndë e sulmeve verbale por dhe fizike ndaj reporterëve. “Tensionet mes politikanëve dhe gazetarëve janë rritur gjatë periudhës së pandemisë”, – thuhet në dokument, “me një klimë ngjashmërisht intimiduese gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare”.

Raporti i BE-së ndalet dhe te nevoja për krijimin e një klime të qetë, pa ndërhyrjen e qeverisë në punët e medias, duke ripërsëritur se mekanizmi i vetëm rregullues sa i takon medias online është ai i “vetërregullimit” dhe jo propozimet e të ashtuquajturës “paketë antishpifje”. BE nënvizon se amendimet ligjore të propozuara nga qeveria duhet të rishikohen sipas propozimeve që ka dhënë Komisioni i Venencias në raportin e tij, veçanërisht sa i takon aspekteve të rregullimeve për shpifjen.

Raporti i Komisionit Europian është ndalur edhe te Autoriteti i Medias Audiovizive, në të cilën evidentohet rëndësia e finalizimit të procesit në lidhje me kalimin nga transmetimet analoge në ato numerike në dhjetor të vitit 2020. Gjithashtu në dokument theksohet rëndësia për të plotësuar dhe bërë funksionale AMA-n me miratimin e anëtarëve të tjerë të bordit. “Është jetike”, – thuhet në dokument, – “që zgjedhja e anëtarëve të rinj të mund të garantojë pavarësinë dhe legjitimitetin e autoritetit rregullues”.

Sakaq, në dokument kërkohet gjithashtu forcimi i pavarësisë, rritja e standardeve profesionale dhe qëndrueshmërinë financiare. Apeli vjen në një kohë kur SPAK ka ndaluar ish Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit, Thoma Gëllci, i dyshuar për përfshirje përmes shpërdorimit të detyrës në korrupsion tenderash.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu