Kreu i komisionit të ligjeve, Ulsi Manja dhe relatorja e projektligjeve per median, deputetja e PS-së Klotilda Bushka, Foto: Gjergj Erebara

Me një njoftim të orës së fundit, Komisioni i Ligjeve në Kuvend hapi të hënën siparin e diskutimeve të dy projektligjeve që synojnë kontrollin e medias online nga një ent qeveritar, të cilësuara nga organizatat e lirisë së shprehjes si mjet censure dhe dhunim i lirisë së shprehjes.

Mediat dhe organizata e lirisë së shprehjes u njoftuan në minutat e fundit, por ama një grup studentësh të deputetes Vasilika Hysi kishin dëgjuar një prezantim, një ditë më parë. Të veshur bukur dhe të buzëqeshur nga pavetëdija mbi rëndësinë e drafteve ligjore që do të diskutoheshin, studentët ishin sjellë në Kuvend për të shërbyer si dekor i bukur i prezantimit të projektligjeve, të cilat nga shumë organizata të lirisë së shprehjes perceptohen si një paketë ligjore e rrezikshme, që synon instalimin e kontrollin të qeverisë mbi përmbajtjen e medias online.

Projektligjet u prezantuan shkurtimisht nga Zv.ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka, e cila spekuloi që iniciativa të tilla po ndërmerreshin në të gjithë botën demokratike dhe më gjerë.

“Kemi të bëjmë me dy projektligje që adresojnë rregullimin e shërbimit mediatik të Shqipërisë,” tha Caka. “Kjo nevojë për të rregulluar median dhe veçanërisht atë që është media elektronike dhe shërbimet elektronike, është një nevojë e konstatuar jo vetëm në vendin tonë, por është një tendencë që vihet re gjerësisht në vendet e Bashkimit Europian, Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australi, pasi media elektronike janë kthyer në burim të rëndësishëm informacioni,” shtoi ajo.

E sfiduar pas seancës nga BIRN që të shpjegonte deklaratat e saj mbi tendencat për të rregulluar median në SHBA dhe si këto tendenca të pretenduara nga zv.ministrja peshoheshin nën dritën e amendamentit të parë në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, i cili shprehimisht e ndalon Kongresin të bëj ligje që kufizojnë lirinë e shprehjes, Caka u mbrojt duke thënë se kishte “bërë shkollën në Amerikë.”

Dy projektligjet e propozuara, të cilat amendojnë ligjet ‘për median audiovize’ dhe ‘komunikimet elektronike’ synojnë fuqizimin e të ashtuquajturit Këshilli i Etikës brenda AMA-s, për të kontrolluar me dorë të hekurt përmbajtjen e medias elektronike. Amendimet i japin të drejtën këtij enti administrativ të vendosë gjoba ndaj mediave, të cilat shkojnë deri në 2 milionë lekë.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja pretendoi se ndryshimet e propozuara ishin konsultuara ngushtë me ekspertë ndërkombëtarë dhe ekspertë të OSBE-së. Ai shtoi se draftet e publikuara nga parlamenti kanë pësuar ndryshime dhe nuk janë variantet zyrtare të publikuara në faqen e Kuvendit, por një variant që i është dërguar disa organizatave me email.

“Draftet kanë pësuar ndryshime, sigurisht nën ekspertizën më të mirë të ekspertëve ndërkombëtarë, por të dy projektligjet janë diskutuar nën patronazhin e ngushtë të ekspertëve të OSBE-së dhe komisionit të ligjeve,” tha Manja.

Të njëjtin pozicion me Ulsi Manjën mbajti dhe relatorja e paketës ligjore, Klotilda Bushka, e cila deklaroi se Komisioni do të konsultohej me shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe entet qeveritare përpara se t’i miratonte projektligjet.

E pyetur nga BIRN pas seancës se pse Parlamenti refuzoi një kërkese për të drejtë informimi për të bërë publik opinionin e fundit ligjor të OSBE-së për projektligjet, Bushka u mbrojt duke thënë se e kishte vetëm ‘në email me track changes’. Pasi deputetes iu bë e ditur që sipas ligjit edhe komunikimet elektronike zyrtare janë dokumente publike, ajo deklaroi se nuk kishte dijeni për kërkesën për informacion të organizatave të shoqërisë civile.

Të njëjtat organizata nëpërmjet një deklarate për shtyp të hënën i hodhën poshtë draftet e qeverisë si ‘masa që dhunojnë lirinë e shprehjes.”

“Dy projektligjet, pjesë e paketës antishpifje i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gati gjyqësore, me natyrë sanksionuese ndaj operatorëve mediatikë, ndërkohë që këto organe, edhe pse të pavarura sipas ligjit nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura, sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor,” thuhet në deklaratën e shoqërisë civile, të firmosur nga 14 prej organizatave më të mëdha të medias.

“Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve dhe çdo ndërhyrje tjetër, si dhe në këtë drejtim ka patur disa precedentë të gjykuar në sistemin tonë gjyqësor,” shtuajnë organizatat.

Deklarata e plotë e 14 organizatave të medias dhe lirive e të drejtave të njeriut

Organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje qeverisë të tërheqë dy projektligjet që i janë propozuar Kuvendit, të prezantuara publikisht si Paketa Antishpifje. Gjithashtu i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që, në rast se qeveria nuk i tërheq këto projektligje, t’i rrëzojë ato menjëherë.

Rëndësia që ka liria e shprehjes në një shoqëri demokratike reflektohet në mbrojtjen e gjerë që i jepet asaj në legjislacionin ndërkombëtar, në nivel global dhe rajonal, përfshi këtu nenin 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, nenin 19 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, nenin 19 të Konvetës Amerikane për të Drejtat e Njeriut, nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, etj.

Amendamenti i parë në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara, i miratuar rreth 230 vite më parë (në 15 Dhjetor të vitit 1791) ndalon qeverinë të bëjë ligje që rregullojnë krijimin e feve, ndalojnë ushtrimin e lirisë fetare, që kufizojnë lirinë e shprehjes, lirinë e shtypit, të drejtën për të mbledhur paqësisht si dhe të drejtën e peticionit ndaj qeverisë për të kërkuar kompensim.

Organizatat vërejnë se dy projektligjet pjesë e paketës antishpifje, i akordojnë AMAs dhe AKEP-it, kompetenca gati gjyqësore, me natyrë sanksionuesendaj operatorëve mediatikë, ndërkohë që këto organe, edhe pse të pavarura sipas ligjit nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenëefektivisht të pavarura, sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor.

Shqipëria ka mjaftueshëm ligje që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve dhe çdo ndërhyrje tjetër, si dhe në këtë drejtim ka patur disa precedentë të gjykuar në sistemin tonë gjyqësor.

Nevoja për të patur vetërregullim të medias dhe JO rregullim ligjor të saj, merr rëndësi të veçantë në ato shtete me demokraci në tranzicion, sikurse është vendi ynë, ku shpesh mediat janë të lidhura me interesat e njohura të biznesit, të partive politike. Vetërregullimi është kombinim i standarteve që përcakton kodet e duhura të sjelljes për median, të cilat janë të nevojshme për të mbështetur lirinë e shprehjes dhe për të mundësuar që kjo sjellje të monitorohet dhe të mbahet e përgjegjshme. Vetërregullimi ruan pavarësinë e mediave dhe e mbron atë nga ndërhyrjet partizane të qeverisë.

Organizatat i bëjnë thirrje organizatave ndërkombëtare (të tilla si OSBE, BE apo Këshilli i Europës), prezenca e të cilave kontribuon në vendin tonë për sundimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, të shprehen qartë dhe publikisht mbi projektligjet në fjalë, si masa në dhunim të lirisë së shprehjes.

Lista e organizatave firmëtare:

BIRN Albania

Civil Rights Defenders

Citizens Channel

Faktoje

Instituti Shqiptar i Medias

Instituti Shqiptar i Shkencave

Këshilli Shqiptar i Medias

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

Qendra Res Publica

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu