Pavarësisht fluksit të madh të portaleve online dhe burimeve të informacioneve në mediat sociale audienca shqiptare vijon të konsiderojë televizionet konvencionale si mediat më të besueshme.

Ky është një nga konkluzionet e hulumtimit të fundit të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit i cili ka kryer një anketim me një target grup prej  800 qytetarë të përzgjedhur sipas një kampioneve të shpërndarë në rang kombëtar. Në studimin e prezantuar mesditën e sotme thueht se “51 % e publikut shqiptar vijon e ndjek lajmet nga TV kryesore, veçanërisht ato me licencë kombëtare”.

Sipas këtij anketimi, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme nga politikaPubliku në Shqipëri ka një besueshmëri më shumë se 50% te informacionet që jep media.

Duke folur në një intervistë për gazetaren Edona Haklaj në Fax Neës pas prezantimit të studimit, shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit Mark Marku theksoi se “synimi për të denigruar mediat është synim nga politika, që të mos bëhet pasqyrimi si duhet i të vërtetës ndërkohë qe mediat kanë rol pozitiv në Shqipëri”.

Ndërkaq, në të njëjtën intervistë, Akademik Artan Fuga duke folur për situatën mediatike në vend me rastin e 3 Majit, ditës ndërkombëtare të lirisë së medias, ka theksuar se kjo duhet të jetë një ditë reflektimi për të gjithë aktorët social dhe se duhet të ndryshojë pak koncepti i shqiptarëve për median si idilike në një koncept më real.

Maji është ditë e shënuar për të reflektuar, nga gazetarët, studiuesit, politikanët, rregulluesit e mediave. Media është parë si engjëlli i demokracisë për të dhënë liri, për ti shërbyer qytetarëve por media komerciale që shërben si biznes këtë funksion e ka dytësor. Nuk duhet shpresuar shumë në media se i shërben biznesit që e financon. Qytetari duhet të ndryshojnë konceptin nga utopik në real. Media është e domosdoshme por mes medias dhe qytetarëve ka një bashkëpunim ashtu sikurse ka dhe një tension mes aktorëve. Ka një koncept idilik që nuk përputhet me realitetin.” tha Fuga.

Akademiku mbështet idenë që media shqiptare ka nevojë për transformime në shumë kënde të saj.

“Gjykim realist , Shoqëria shqiptare ka nevojë të reflektojë për një kuadër rregullator akoma më të zhvilluar nga çfarë është deri tani. Ka nevojë të mbrohet qytetari dhe strukturat e medias kanë nevojë të transformohen në mënyrë demokratike. Ka nevojë për një media të fortë publike si dhe për një bazë shumë të fortë të dhënash për gazetarët” përfundoi Fuga.

Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit prezantoi rezultatet e studimit gjatë konferencës së mbajtur mesditën e sotme me temë “ Tregu i medias audiovizive, sjellja e audiencave dhe kuadri rregullator”. Kjo konferencë u zhvillua bashkëpunim me Autoritetin e Mediave Audiovizive, ku morën pjesë kërkues shkencorë vendas e të huaj dhe ekspertë të medias.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu