Organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias dënuan të shtunën një fushatë sulmi të ndërmarrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kundër gazetares Ola Xama, pasi kjo e fundit raportoi mbi hetimet e Prokurorisë së Posaçme për rolin e tij në procedurat e kontratës koncesionare për trajtimin e mbetjeve në Tiranë.

Federata Europiane e Gazetarëve, EFJ, Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, ECPMF, dhe Safe Journalist Network i kërkuan Veliajt që të ndalë sulmet ndaj gazetarëve profesionistë dhe të respektojë punën e tyre.

Shkrimi me titull “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK” me autore gazetaren Ola Xama u publikua nga BIRN më 13 korrik dhe bazohej në të dhënat e siguruara nga dosja që Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë si pjesë e kërkesës për arrestim të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Veliaj nuk iu përgjigj fillimisht një kërkese për koment, por një ditë pas publikimit i shkroi Xamës në aplikacionin Whatsapp, duke pretenduar se kishte ngatërruar faktet dhe e quajti atë “militante”. Veliaj pretendoi se propozimi i tij për PPP në trajtimin e mbetjeve nuk ishte i njëjti me projektin që u miratua dhe që po hetohet aktualisht nga SPAK.

Në një seri mesazhesh, Veliaj i shkroi gjithashtu Xamës se ajo “nuk ishte gazetare, por një killer me pagesë”. Në të njëjtën kohë, një numër mediash u angazhuan në një fushatë denigruese kundër Xamës, duke përdorur të njëjtat shprehje si Z.Veliaj.

“Të quash një gazetar ‘killer me pagesë’ është një akuzë e rëndë që mund të çojë në ngacmime në internet dhe madje edhe kërcënime fizike. Përdorimi i fjalëve të tilla rrezikon seriozisht Ola Xamën dhe dekurajon atë dhe gazetarët e tjerë që të kryejnë punën e tyre në interes të publikut,” deklaroi Ricardo Gutierrez, sekretar i Përgjithshëm i EFJ.

“I kam kërkuar disa herë në të shkuarën zotit Veliaj që të mos frikësojë dhe denigrojë gazetarët dhe qytetarët shqiptarë që guxojnë ta kërkojnë llogari. Këtë herë do t’i drejtohem në shqip. Ndoshta ai do të dëgjojë më shumë? Z. Veliaj, MJAFT MË,” shtoi Gutierrez.

Në një reagim në Twitter, edhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias ndau të njëjtin shqetësim me Federatën Europiane të Gazetarëve.

“@erionveliaj është i njohur në mesin e organizatave të medias për sulme të rregullta ndaj gazetarëve profesionistë dhe të pavarur dhe aktivistëve. Ne i bëjmë thirrje Veliajt që të ndalë sulmet ndaj gazetarëve, t’u ofrojë atyre akses në informacion dhe të respektojë punën e tyre,” shkroi ECPMF.

Safe Journalist Network e denoncoi gjithashtu “sulmin shqetësues verbal” të Veliajt ndaj gazetares Ola Xama dhe i bëri thirrje atij që të kërkonte falje.

“Ky reagim agresiv jo vetëm që rrezikon sigurinë personale të zonjës Xama, por gjithashtu përbën një precedent kërcënues për gazetarët e tjerë në Shqipëri, veçanërisht ata të përfshirë në gazetarinë investigative,” tha Blerjana Bino, hulumtuese e Safe Journalist Network në Shqipëri.

“Ajo përbën një përpjekje për të mbytur gazetarinë e pavarur dhe kritike dhe për t’iu shmangur llogaridhënies dhe kryeneçësisë publike,” shtoi ajo.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu