Në kohën e supës! – M’u kujtua nga ajo shprehja: “Hë lëre se supë po ha…”, ose si i thonë nga jugu “Ky te ha munë!”
Dikur ishte problem të gjeje informacion, se helbete duhet tu futeshe librave me kokë, e për tu futur librave me kokë duhet kokë. Po kokën duhet ta kesh plotë, po ato plotë duhet të jenë tjetër gjë përveç tallashit, e kështu zgjatet diskutimi kot. Sot është plotë me informacion, nga të katërt anët, nga veshët, nga sytë, nga lëkura nga çdo lloj kanali dhe shqise ti bombardohesh me informacion.

Në Shqipëri përherë kanë ecur gjërat me modë, kur them modë nuk e kam fjalën që ne ndjekim modën se mos o zot, e kam fjalën për fenomenet që fillojnë dhe bëhen deri në atë pikë sa të futësh gishtat për të nxjerrë zorrët. Ja përshembull: njerëzit e dinë se minatorët punojnë si në kohën e Charls Dikensit por deri sa vdesin nëpër galeri 5 bashkë, atëherë fillojnë e ftillohen se çfarë dreqin bëhet. Ose e dinë që ka korrupsion gjithë andej por duhet të bëhet aq ashiqare puna sa të flitet për të. Ose, gocat kur veshin sipas vitit strecet me leopard, me lëkurë gjarpri si janë këtë vit apo si do jenë, i veshin aq shumë saqë bëhet bozë gjithë dynjaja. Duhet të arrijë në një pikë sa të ulen 4 goca bashkë me të njëjtat strece të kuptojnë se ku ka arritur absurdi i modës tonë. E kështu me rradhë në këtë shoqëri primitive, duhet të rrihet gruaja në ditën me diell që të pranohet dhuna në familje, duhen vrarë qent si në vitet 1800 që të pranohet barbarizmi që po gëlon, në auditore duhet të bëj fole zogu dhe të dhjesë macja që të kuptohet se sa rëndë është universiteti, në shkollë duhet të bjerë tavani në kokë që të kuptohet vjedhja, në rrugë duhet të shkëlyhet komplet asfalti që të kujtohet njeri që nuk kalohet më, në… në… në… në…

E njëjta gjë po ndodh dhe me mend-shitësit. Kur kam qenë shumë më i ri mbaj mend një diskutim për një ide biznesi që duhet të krijonim. Një miku im kopil, ndër të rrallat mendje që kam adhuruar (por çe do mendjen e mirë në shpirt të keq?!)tha që duhet të hapnim një dyqan mendsh. Të gjithë në ngelëm të shtangur!

Po! – tha, të gjithë këtu shesin mend. Mend andej, mend këndej, mend lartë, mend poshtë, u dhimë në mend tha. Hape pra një dyqan dhe shkruaj “Shes Men”!

Në një vend me pak mend fallxhoret bëjnë kuvend! Kjo po ndodh sot, edhe në këtë fazë afro 30 vjet pas rënies së qoftëlargut. Më kujtohet Shqipëria e athershme kur nëpër rrethe vinte dikush me një xhaketë të bukur dhe njerëzit e merrnin për të huaj. Ai premtonte lloje e soje çudirash,  kështu nisën firmat piramidale, kështu nisën ata që të shëronin kancerin dhe prostatën me 50 mijë dhrahmi, e ata që të hiqnin magjinë e të linin dhe gruan shtatëzënë se ti nuk e lije dot vet.

Sot pas afro 30 vjetësh komatoze politike, sociale dhe ekonomike ne jemi në një krizë kulturore. Njerëzit dehen nga populizma patetike dhe nga fjalime ose delirë një lloj si në 1996. Shikoj pseudo-intelektualë dhe gjithologë, që në gjithë këtë shoqërinë e ngritur ku të gjithë bëjnë gjoja, u mungon kufizimi i të diturit, arsyeja e profesionistit dhe humiliteti ose përulja e intelektualit dhe qytetarit.

Si nuk foli një akademik për akademinë e shkencave, ore një mut pedagogu nuk u shpreh? Nuk ngeli njeri që nuk e ka haberin nga akademia pa folur …

Si nuk foli një pedagog, ekspert, apo vet studenti për kartën e studentit që nuk i hyn në punë as dreqit, por vetëm duartrokasin theatron e naltmadhnisë…

Si nuk foli eksperti për sistemin zgjedhor se çfarë duhet ndryshuar a çfarë nuk shkon, por nuk ngeli spurdhjak pa dhënë mend edhe pse nuk është marrë kur në jetë të jetëve me atë punë

Si nuk u dëgjua në një panel televiziv dikush që nuk reciton si prej një dekade tashmë, që nuk është hapur fare diarre, ose që nuk e ka kuptuar që shplarja e truve e dikurshme nuk funksionon më.

Si përherë flasim për antivlerën dhe aspak për vlerën? Edhe kur flasin për biznesmen për shembuj marrim lloje e soje horri, saqë perceptimi i të rinjëve për sipërmarrësit është më i neveritshmi. Në Amerikë një i tillë mbahet për shenjtor! Edhe kur flasin për ide, flasin për ide kaps se mendojnë se u krijua bota sot që u ftilluan barbarët. Edhe kur flasin për pedagog, dëgjohen përherë ata pseudot që nuk kanë leçitur një faqe. Edhe kur flasin për LGBT, nuk ua ndjen për të drejtat e tyre, por të gjithë këta surratë që flasin janë mekanizma fondesh e skemaxhinjë pastrimi parash.

Artistët tanë janë (nuk e kam fjalën për brezin e artistëve që bëjnë humor lacash dhe vijnë nga rruga) më të mirë se ata të hollivudit. E di pse? Sepse artistët tanë ngelën duke vdekur në skenë ndërsa ata të hollivudit vdesin milioner në ndonjë plazh të mirë… E çfarë se i kemi më të mirë? Vdiq i radhës sot dhe as dy gishta nuk u thanë për të, i cili gjithë jetën bëri 4 dekada shqiptarësh për të qeshur! Katër dekada! Hapi veshet dhe më dëgjo mirë i dashur lexues! Disa prej jush mezi jetojnë katër dekada! Ai kish aq shpirt sa na bëri për të qeshur. Mirëpo, horrlliku politik as dy rreshta nuk i kushtoi, media e humbëtirës as një selam nuk i dërgoi dhe kështu iku heroi i radhës shqiptar. E mos thoni që nuk ka heronj këtu pastaj!

Sot që flasim, ka ardhur një pikë që njerëzit besojnë se është bërë aq keq sa duhet të besosh diçka, se nuk ka ngelë gjë për të besuar e ndaj duhet patjeter të besosh diçka. Pra është pika që nëse njerëzit kanë dy mut përballë do të zgjedhin më të voglin…

E di, sot mu bë vetja si i vjetër! Për një moment imagjinova veten në të ardhmen dhe u shtanga.

Pashë një ish profesor që dikur ka qenë shumë energjik, karizmatik, i pa heshtur, deri në karagjoz, i brezit të artë të viteve 90′, ndër studentët që protestuan pa u trembur atëherë dhe ndër të pandreqshmit që nuk u vunë kurrë në rresht nga partia sot….

Dikur ai nuk merrte leje, fliste çfarë i thoshte shpirti, vishesh si ja kishte ënda, hokatar si ti donte xhani, i arsyeshëm deri në absurd, përherë renegad që bënte dallimin. Mendova, edhe unë si ky jam? Uroj që po… faktikisht besova se po, madje një version më i sofistikuar i tij…

Mirëpo kur e pash sot të kalonte rrugën si ti merrte leje atyre që kalonin, atyre me makina, madje i mori leje dhe vetë rrugës për të kaluar matanë… U tremba! E pash që mosha kish bërë të veten dhe aty vura re sa vite kishin kaluar. Desha ta ndaloja e ti thosha: “Profe vetëm koha të mundi?” Ajo, vetëm ajo të mund, është më putana e të gjithave! Shpirtrat e mëdhenj vetëm ajo i vret! Asgjë tjetër, asgjë!

Kur shikoj armata te rinjsh në moshë dhe jo vetëm, që nuk e kuptojnë akoma se vetëm koha të mund e asgjë tjetër, më lindin disa pyetje në gulçim e sipër. Çfarë pret? Pse shitesh? Pse jep shpirtin? Pse e nxin fytyrën? Pse nuk beson në vete? Pse nuk punon fort për veten? Pse nuk punon fort për trashëgiminë që do të lësh pas vetes? Pse nuk ke nder? Pse nuk ke një bosht vlerash? Pse nuk i shikon heronjtë që janë këtu? E kupton që asgjë nuk të ndalon në botë? Asgjë!

 

Burimi : trilema.al

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu