Plot 9 milionë euro u mblodhën nga taksapaguesit përgjatë vitit 2017, e megjithatë oferta programore e Televizionit Publik Shqiptar ka lënë shumë për të dëshiruar. Ekrani është braktisur nga audienca që paguan për një shërbim të cilin nuk e merr mbrapsht.

Keq menaxhimi i qëllimshëm për vite me radhë i TVSH-së është referenca që duhet mbajtur parasysh sot, kur përgjatë procesit të dixhitalizimit, edhe televizionet private kërkojnë një pjesë të kësaj takse që paguan çdo familje shqiptare.

Sipas draftpropozimit, Shoqata e Mediave Elektronike Shqiptare, nëpërmjet asaj që e quan si “fondi i transmetimeve televizive” synon 30% të totalit të taksës së televizionit, ose 2.7 milionë euro. Ky fond do të rritet deri në 50 % pasi të përfundojë pajisja me dekodera e qytetarëve. Kjo do të thotë se taksa e televizioneve private do të jetë 4.5 milionë euro, me tarifën aktuale. Por nëse ligjvënësit do të miratojnë kërkesën e RTSH-së për rritje me 50% të taksës, buxheti që qytetarët shqiptarë do t’i akordojnë televizioneve private të arrijë në 6.75 milion euro.

Atëherë, lind pyetja, pse duhet një ndryshim i tillë në Ligjin për Median Audiovizive, që i akordon paratë e taksapaguesve televizioneve private? Çfarë shërbimi shtesë do të përftojë audienca shqiptare? Pse kërkohet aktualisht kur televizionet janë në proces të dixhitalizimit dhe cilat janë garancitë për qytetarët shqiptarë në mënyrë që të mos përsëritet edhe një herë “historia e RTSH-së”?

Nga njëra anë duhet pranuar se kostot e prodhimit të përmbajtjes mediatike në procesin e dixhitalizimit janë të larta. Parimisht, rritja e numrit të kanaleve sjell një programacion të larmishëm të profilizuar ose gjeneralist të cilat përkthehen në kosto reale si në infrastrukturë ashtu edhe në burime njerëzore. Gjithashtu, duhet thënë se numri i kanaleve vjen në rritje por ndërkohë buxheti vjetor i reklamave mbetet po ai, rreth 38 milionë euro, që do të thotë se operatorët e kanë gjithnjë e më të vështirë prezantimin e një oferte televizive cilësore.

Nga ana tjetër të pretendosh një buxhet të tillë nga taksapaguesit do të thotë se dhe koha televizive e vënë në funksion të interesit të gjerë publik duhet të jetë e konsiderueshme dhe se këto media, kombëtare e lokale, duhet të përmbushin një detyrim kushtetues, atë për informim të plotë dhe të paanshëm, pra duke e trajtuar informacionin si një të mirë publike.

Përballë këtij pretendimi AMA mund t’i propozojë operatorëve përfituese të heqin dorë nga pjesë aksionesh të cilat mund të përfaqësohen e menaxhohen nga qytetarë. Kjo mund të jetë një mundësi e mirë e decentralizimit të skemës pronësore aktuale që i përgjigjet dhe interesit publik.

Supozimi mbetet një opsion i vlefshëm, megjithatë,  le të ndalemi të analizojmë draftpropozimin aktual të operatorëve privatë:

Qëllimi i krijimit të fondit të financimit të transmetimeve                                     
Fondi i financimit të transmetimeve, krijohet për:
Të mbështetur publikun për uljen e kostos së pajisje me aparate marrëse (dekodera) të llojit DVB-T2 me standard kompresimi MPEG-4, në përputhje me teknologjinë e parashikuar për transmetimet sipas këtij ligji;
Për të promovuar pavarësinë e medias, nxitur gazetarinë investigative dhe mbrojtur publikun nga lajmet e rreme dhe informacionet e sajuara, duke i siguruar sa më shumë hapësirë qytetarëve dhe palëve të interesuara të përcjellin informacionet e tyre në rastet kur ato provohen se janë cenuar nga lajmet e pavërteta.
Të trajnuar gazetarët dhe reporterët me qëllim rritjen e profesionalizmit dhe etikës në media, për të shmangur rastet abuzive që cenojnë të vërtetë;
Të krijojë një bord etik, për çdo OSHMA, që do të përfshijë personalitete të spikatura në fushën e gazetarisë dhe të japë vlerësime dhe gjykime periodike mbi aktivitetin profesional të gazetarëve;
Të mbështetur informimin dhe sensibilizimin e publikut, nëpërmjet transmetimit të reklamave televizive me karakter sensibilizues për çështje të rëndësishme dhe me interes të lartë për publikun;
Ruajtjen e pluralizmit të OSHMA-ve;
Mbështetjen e procesit të kalimit nga transmetimet analoge në ato numerike;
Për të mbështetur OSHMA-të e licencuara për transmetime televizive analoge përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji për të përballuar kostot që u shkaktohen si rezultat i ndryshimit tërësor të teknologjisë së prodhimit dhe të transmetimit të parashikuar në këtë ligj, si dhe;
Mbrojtjen e OSHMA-ve nga rreziku i transferimit të reklamave nga mediat tek platformat jo-gazetareske.

Në radhët e argumenteve të mësipërme, krahas atyre që kanë të bëjnë me subvencionimin e dekoderave, kostot infrastrukturore të procesit dhe deri diku tendencën në rritje të pavarësisë editoriale, përmes pavarësisë ekonomike, arsyetimet e tjera janë gati gati naive.

Pse?

Së pari, sepse asnjë operator nuk ka patur ndonjë pengesë ligjore apo ndërhyrje politike për të mos krijuar bordin e tij etik, që do të vlerësonte produktin gazetaresk;

Së dyti, pretendohet se me këtë fond do të luftohet fenomeni i “fake news” në median shqiptare, në një kohë kur, sikurse theksojnë dhe raportet ndërkombëtare, problematika e vërtet në raportimin mediatik është ajo që na serviret si “real news” nga këto operatorë, ku lajmi ka një orientim të thellë nga interesat politike ose ekonomike;

Së treti, argumentohet se përmes këtij fondi mediat audiovizive do t’i sigurojnë sa më shumë hapësirë qytetarëve, në një kohë që studimet tregojnë se jo vetëm edicionet informative, por edhe programet talk show, kanë mungesa të theksuara të pranisë dhe përfshirjes së publikut në debatin që zhvillohet në studio. Dhe kjo problematikë nuk është çështje kostoje por koncepti;

Së katërti, fondi do të mundësonte trajnimin e gazetarëve, në një kohë që me mundësitë aktuale të projekteve ndërinstitucionale me kompani vendase e të huaja, jo vetëm që nuk ka asnjë pengesë ligjore e infrastrukturore por ka raste konkrete kur drejtuesit e mediave i kanë penguar gazetarët për të marrë pjesë në trajnime.

Së pesti, ka një përpjekje për të dëmtuar platformat konvergjente online duke i përjashtuar këto të fundit nga e drejta për të përfituar reklamë.

Përtej argumenteve të mësipërm, ka dhe një arsye të gjashtë, që është edhe elementi më i rëndësishëm. Në boshtin e këtij drafti nuk evidentohet asnjë pikë mbi produktin mediatik të shtuar që do të pasurojë dhe programacionin me dokumentare, muzikë, filma shqiptarë e të huaj, seriale vendase, programe talk show e reality, etj… Jo vetëm kaq, por AMA si autoriteti përfaqësues i opinionit publik, duhet të përcaktojë sa orë programacion do t’i kushtohen promovimit të kulturës, artit, shkencës dhe fushave të tjera me interes publik. Këto propozime duhet të referohet në studime konkrete dhe të pasqyrohet me ndarje zërash specifik se sa para nga ky fond do të kalojë për secilin nga këto programe.

Taksapaguesi duhet të dijë se ku do të shkojnë paratë e tij!

Nga ana tjetër në draftin e propozuar ka dhe boshllëqe që lënë shteg për abuzim. Në të parashikohet që AMA do të shpërndajë 4.5 milionë euro, sipas tarifës aktuale të taksës, bazuar në “të dhënat e një institucioni të matjes së audiencës, i cili pritet të ngrihet, por deri atëherë, parashikohet ndarja sipas përqindjes së faturimit të shitjes së reklamës prej secilit televizion përgjatë vitit paraardhës”. Në këtë moment mundësitë e shpërdorimit të parave të taksapaguesve janë shumë të mëdha, pasi sikurse dihet dhe është një problematikë e evidentuar edhe nga shoqatat e gazetarëve, mediat kryesore në vend punojnë me dy bordero.

Sakaq, ndarja e taksës për televizionin që paguan çdo familje shqiptare mes operatorit publik e atij privat, do duhet të sillte dhe një ndryshim drastik në strukturën e zgjedhjes dhe funksionimit të Autoritetit të Medias Audiovizive. Vërtet projektpropozimi evidenton se burimi i fondeve është jashtë çdo lidhje politike, sepse vjen nga taksapaguesit, por pavarësia e agjencisë rregulluese e cila garanton një shpërndarje dhe menaxhim të drejtë të këtyre fondeve, sipas raporteve ndërkombëtare, mbetet në pikëpyetje.

Në këtë pikëpamje, një ndryshim i tillë i ligjit “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, ku me paratë e taksapaguesve shqiptarë do të financohen TVSH dhe televizionet e tjera private, kombëtare e lokale, duhet të shoqërohet me:

a. Një ristrukturim dhe të institucionit të AMA-s, që garanton zbatimin e këtij ligji;

b. Si pjesë e këtij transformimi rrënjësor, do të ishte diçka normale që qytetarët, si financues të buxhetit të operatorëve privatë, ose të kenë me ligj programacion të dedikuar për të gjitha grupet e interesit sikurse ndodh me TVSH-në, ose të jenë aksionarë të TV-ve dhe si të tillë të përfshihen dhe në vendimarrjen e këtyre mediave.

 

 

 

 

 

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu