Disa të dënuar, të cilët në burg kanë pësuar dëmtime për shëndetin e tyre, kanë paditur shtetin se nuk ka treguar kujdesin e duhur, shëndetësor. Si pasojë, kanë “rrëmbyer” dëmshpërblime, që shkojnë deri në 300 mijë dollarë, ndërsa një tjetër i dënuar pret të marrë mbi 500 mijë USD dëmshpërblim.

Hamideja, një grua me trup mestar, e rregullt, e veshur me një kostum sportiv, sapo ka lënë punën në kopshtin përreth shtëpisë, në pjesën e sipërme të qytetit të Delvinës. E paqartë për motivet e vizitës, ndihet në siklet e përpiqet që të sistemojë sallonin modest të pritjes, pasi të fton të futesh brenda.

Disa dhjetëra kilometra më tutje, në Sarandë, Rahim Proda, mjek prej tri dekadash, është duke verifikuar dosjet e radhës së kandidatëve për kemp në Institutin e Sigurimeve Shoqërore të këtij qyteti.

Ndërsa Migest Abazi në Tepelenë këmbëngul që takimin ta kryejmë të dielën, sepse të hënën ai hyn që në mëngjes në regjim (kështu quhet pjesa e burgut, ku shtyjnë ditët e dënimit të dënuarit), në Burgun e Bënçës, për t’iu shërbyer të sëmurëve në këtë burg.

Jetët e secilit duket se gjallojnë të ndara nga njëra-tjetra, por fatet e tyre (edhe të dy infermierëve të tjerë), i bashkon Bledar Ruçi, që aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e Peqinit.

Historia zë fill afro një dekadë më parë, por duket se do të mbyllet një dekadë më pas, si për të vërtetuar se e shkuara e mban peng të ardhmen.

Duket si sagë, që ngërthen shumicën e plagëve të shoqërisë shqiptare në tranzicion; korrupsionin në sistemin e drejtësisë, papërgjegjshmërinë në sistemin e shëndetësisë, e fatalitetin, që në Shqipëri të dobëtit e kanë me tepri.

Gjithçka nis në paraburgimin e Sarandës, ku Bledar Ruçi, i arrestuar me tri akuza penale; “Vrasje me dashje”, “Vjedhje me armë”, si dhe “Prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municionit”, qëndronte në pritje të gjykimit, që nga 30 prilli 2013.

Tre muaj pas arrestimit, më 30 korrik 2013, Bledari ka nisur ankesat për shëndetin e tij, por, në momentin e parë, siç ndodh në shumicën e rasteve, kur ankesat e të dënuarve gjykohen edhe si taktika për të prishur rutinën, duke shkuar te mjeku, edhe Bledarit i është rekomanduar të qetësohet, se mbase i “bie temperatura”.

Pesë ditë me radhë ankesat dhe kërkesat e tij për të marrë trajtim të specializuar, shëndetësor janë trajtuar nga mjeku part-time i paraburgimit të Sarandës, Rahim Proda, dhe nga ndihmësmjekët e këtij burgu (sipas turneve), Gazmend Sulo, Migest Abazi dhe Gentian Shameti.

Pasi morëm informacion nga infermierët, pas dy-tri ditësh, e kemi çuar në spital me një problematikë që për syrin tonë klinik nuk ishte për t’u vlerësuar maksimalisht, në sensin që duhej shtruar urgjent në spital”, – kujton me vështirësi detajet pas nëntë vjetësh doktor Proda.

Teksa shpresonin që të përmirësohej, shëndeti i Ruçit është përkeqësuar. Pas pesë ditësh kurimi me medikamentet modeste të burgut, si dhe një vizite në spitalin civil të Sarandës, në gjendje të rënduar i paraburgosuri është nisur për në Spitalin e Burgut në Tiranë.

Mendoja se e kisha djalin në Sarandë. Shkoj për ta takuar e nuk po më tregonin. Pastaj më thanë që ka pasur një problem dhe është nisur në Tiranë. Kur shkoj në Tiranë dhe e gjej djalin në atë gjendje, të paralizuar e që nuk lëvizte, nisa kujën, si këtej nga anët tona”, – tregon Hamideja stresin e atyre momenteve, duke e shoqëruar pjesën e fundit edhe me një tis të hollë buzëqeshjeje, duke u ndjerë në siklet për sjelljen e saj në Tiranë.

Pas tronditjes së parë, Hamideja ka nisur betejën për të rikthyer shëndetin e djalit e për të ndëshkuar përgjegjësit. Disa reagime në media kanë mjaftuar për ta denoncuar rastin. Më pas i ka mbajtur këmbët tek Avokati i Popullit, duke pretenduar se djali ka pësuar paralizë fytyre dhe humbje të shikimit vetëm si pasojë e neglizhencës së IEVP-së, Sarandë.

Avokati i Popullit ka nisur hetimin. Mes veprimeve të tjera i ka kërkuar Institutit të Mjekësisë Ligjore një ekspertizë për të vërtetuar, nëse ka pasur neglizhencë për mjekimin e të paraburgosurit. Më tej akoma, për të zbuluar, nëse neglizhenca në mjekim ka qenë shkaku për pasojën (dëmtimet shëndetësore), si dhe për të kategorizuar dëmtimet e shkaktuara nga mjekimi i vonuar dhe i papërshtatshëm i të paraburgosurit. Ekspertët, Dr. Zija Ismaili dhe Dr. Elmas Shaqiri, në akt-ekspertimin mjekoligjor nr. 1 521, japin këto përgjigje: “Në trajtimin mjekësor të shtetasit Bledar Ruçi konstatohet mosdhënie e ndihmës nga ana e personelit mjekësor, i cili është në kryerje të detyrës, në çastin kur i kërkohet ndihma. Si pasojë e mosdhënies së ndihmës i është shkaktuar dëmtim i rëndë i shëndetit”.

Me këtë akt-ekspertimi në dorë, Hamideja, që tashmë kishte gjetur edhe avokatin, e ka mbajtur frymën në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës. “Më duheshin paratë për të shëruar djalin”, – thotë Hamideja, që nuk e fsheh kënaqësinë e marrjes së dëmshpërblimit.

Gjykata ka kërkuar një akt-ekspertimi shtesë, i cili ka vërtetuar se Bledar Ruçi ka pësuar dëmtime të rënda, të përhershme në masën 50 për qind. Ky kategorizim ka shërbyer si argumenti kryesor që gjykata të miratonte kërkesën e Hamidesë (avokatit të saj). Ky kategorizim ka kaluar nëpër një formulë të komplikuar aritmetike dhe logjike, sipas padisë për dëmshpërblim për dëmin pasuror dhe jo-pasuror, jashtë-kontraktor; kështu që gjykata, në datën 10 prill 2017, ka vendosur që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve t’i paguajë shumën 23.574.6617 lekë (rreth dyqind mijë euro), të dënuarit Bledar Ruçi për dëmin që i ka shkaktuar, duke mos i dhënë ndihmën mjekësore.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve e ka apeluar këtë vendim në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë. Brenda dy viteve, pavarësisht fluksit të madh të dosjeve që ka pasur, Gjykata e Apelit e ka gjykuar dhe me vendimin nr. 1350, datë 02.05.2019, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të Gjirokastrës. Shpejtësisë së gjykimit i shtohet edhe fakti që vendimi nuk gjendet online, si çdo dosje tjetër. Ndërkohë, Gjykata Administrative e Apelit refuzoi kërkesën për të dhënë një kopje të këtij vendimi.

Me këtë vendim në dorë Hamideja është drejtuar te Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

“I kam shkruar disa herë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe ministres së Drejtësisë”, – kujton Hamideja. – Me duheshin lekët për të kuruar djalin. Burgu nuk përballohet”, – shton ajo.

Pesë muaj pas vendimit të Gjykatës së Apelit, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, ka urdhëruar xhirimin e këstit të parë të dëmshpërblimit te shoqëria përmbarimore, BESA sh. p. k.

Nga burime të sigurta thuhet se drejtoresha e Financës në Drejtorinë e Përgjithshme ka hezituar, madje ka refuzuar ta bëjë pagesën, por drejtori Ismailaj ka urdhëruar dhe ka firmosur pagesën në dy këste, këstin e parë prej më shumë se 80 mijë eurosh, më 18 shtator 2019 dhe pjesën e mbetur, më 20 nëntor 2019. “Njëlloj do të kritikohesha, edhe sikur të mos e paguaja”, – ky është komenti i vetëm i zotit Ismaili, tashmë i shkarkuar si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.

Një ditë pasi ka firmosur pagesën e këstit të parë, Drejtori i Përgjithshëm, Agim Ismaili, ka denoncuar për ndjekje penale në Prokurorinë e Sarandës katër infermierët dhe mjekun, të cilët kanë qenë të punësuar në paraburgimin e Sarandës, në kohën kur ka pësuar paralizë i paraburgosuri, në vitin 2013, me akuzën e shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim, si dhe mjekimit të gabuar.

Prokuroria nuk e ka nisur fare hetimin për këtë akuzë, sepse vepra penale e mjekimit të gabuar ishte parashkruar, pra kishte kaluar kohë, më shumë se sa parashikohej dënimi i tyre, nëse shpalleshin fajtorë, ndërsa për akuzën e dytë, shpërdorimin e detyrës, mungonin elementet e veprës penale.

Pasi ka dështuar me padinë penale, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i ka çuar mjekët në Gjykatën Civile të Sarandës, duke kërkuar që ata të katërt t’i kthenin Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shumën prej 260 milionë lekësh të vjetra (pra, sepse vendimit të gjykatës i është shtuar edhe taksa për shoqërinë përmbarimore, si dhe interesat bankare nga moment i dhënies së vendimit deri në ekzekutimin e tij; rreth 220 mijë euro). Gjykata e ka pranuar kërkesën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe ka dënuar mjekun Rahim Proda, që t’i kthejë shtetit 2 milionë lekë (të reja), si dhe infermierët, Gentian Shameti, Migest Abazi dhe Gazmend Sulo, me nga 1 milion lekë (të reja). Vendimi nuk ka lënë të kënaqur asnjë palë, sepse, edhe mjekët e dënuar, edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e kanë apeluar në Gjykatën Civile të Apelit në Gjirokastër. “Korrupsion më shumë se madhor”, – thotë mjeku Rahim Proda, që nuk e fsheh trishtimin dhe mërzinë për situatën ku gjendet.

Pyetjes se sa lekë kanë përfunduar në llogarinë e djalit, Hamideja i përgjigjet me logjikën që e ka nisur këtë proces: “Unë nuk do t`i merrja ato lekë vetë. Ata që më ndihmuan, morën pjesën e tyre”.

Burgjet, miliona lekë për shëndetin e dëmtuar të të dënuarve

Bledar Ruçi nuk është i vetmi nga të dënuarit që ka gjetur mekanizmin dhe njerëzit e duhur për të vendosur shtetin “me shpatulla për muri”. Ai duket se është më i suksesshmi ose më me fat.

Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, pohon se shpesh marrin ankesa për sa i përket vonesave të ofrimit të shërbimit shëndetësor. “Shpesh këto vonesa bëjnë që shëndeti të përkeqësohet”, – thotë ajo, duke evidentuar mungesa të karakterit strukturor në sistemin shëndetësor të burgjeve.

Nga investigimi rezulton se edhe disa të dënuar të tjerë pretendojnë se shëndeti i tyre është dëmtuar nga pakujdesia (në rastin më të mirë), e bluzave të bardha, që punojnë në burg dhe kanë kërkuar dëmshpërblim nga shteti shqiptar për atë që konsiderohet si dëm pasuror, dëm fizik dhe dëm moral. Shifrat janë shqetësuese, ato e kapërcejnë shumën e 1 milion eurove.
Ish-kryetari i komunës Rrethina në Shkodër, Kleves Muja, është njëri prej tyre. Muja është arrestuar nga policia në qershor të vitit 2012. Drejtuesit e burgut të Lezhës shkelin rregulloren dhe e vendosin Mujën në të njëjtën godinë me Xheladin Krujën. Të dy kishin pasur sherr jashtë burgut. Në datën 4 qershor, Muja, pasi ka takuar familjarët e tij, teksa ka qenë duke hyrë për në qeli, është qëlluar nga Kruja me një shtizë (të sajuar në mënyrë artizanale në burg), drejt e në sy.
Mendova që na iku, sepse ra përtokë me kokë, pa ndjenja”, – tregon një nga punonjësit e policisë, që ka qenë i pranishëm në ato momente e që ende është në sistemin e burgjeve.

Muja është dërguar në spitalin e Lezhës e prej andej në Tiranë, ku ka qëndruar për më shumë se 15 muaj, shumicën e kohës në reanimacion. Ndërsa ai i shpëtonte vdekjes dita-ditës nga kujdesi i mjekëve, Prokuroria e Lezhës ka nisur një hetim, jo vetëm për autorin, Xheladin Kruja, por edhe për punonjësit e burgjeve, që kishin shpërdoruar detyrën. Për këta të fundit ka nisur edhe një hetim administrativ brenda burgut. Me përfundimin e të dy hetimeve dhe me një akt-ekspertimi, që konstatonte se i burgosuri nuk mund të qëndronte më në këmbë (qëndronte vetëm në karrige me rrota), e që nuk kryente asnjë veprim të nevojshëm për trupin e tij, familjarët e Mujës i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës.

Kjo e fundit, në bashkim të dëmshpërblimit për dëmin pasuror, jo-pasuror dhe moral, ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve që t`i paguajë të dëmtuarit më shumë se 500 mijë dollarë (500 milionë lekë të vjetra). Ky vendim është lënë në fuqi edhe nga Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, më 6 korrik 2018. Por, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar në Gjykatën e Lartë pezullimin e vendimit të marrë nga dy gjykatat pararendëse. Juristët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shpresojnë në uljen e dëmshpërblimit, jo në heqjen e tij, të plotë. Por, ndërkohë, rriten interesat e masës së dëmshpërblimit. Deri tani shuma ka shkuar në 580 mijë USD.

Përveç Mujës, në Gjykatën Administrative të Apelit janë duke u gjykuar edhe disa raste të tjera, të cilat në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë detyrojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të paguajnë qindra-milionë lekë për pakujdesi në trajtimin e të dënuarve.

Napolon Luca, i arrestuar për vjedhje të mbetur në tentativë, ka varur veten në paraburgimin 302, në Tiranë, më 18 shkurt 2017, në qelinë e izolimit ku e kishin futur, pasi kishte bërë sherr me vëllain e tij, edhe ky i paraburgosur për një vepër tjetër penale. Avokatja, Aurora Marku, ka arritur të bindë gjykatën se punonjësit, që administrojnë paraburgimin 302, kanë treguar papërgjegjshmëri, pakujdesi dhe shkelje të rregullores. Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar Drejtorinë e Burgjeve me rreth 200 milionë lekë të vjetra (rreth 200 mijë dollarë), si kompensim për familjarët e të dënuarit të vetëvarur.

Flamur Sula është “pjekur” i gjallë në qelinë e tij në burgun e Lezhës, më 30 korrik 2016, kur kanë shpërthyer 14 bombola gazi, që administrata e burgut ia kishte lejuar t`i fuste, duke shkelur rregulloren. Familjarët sërish e çuan rastin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, e cila i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve t’i paguajë familjarëve të Flamurit 270 milionë lekë të vjetra (260 mijë dollarë).

Gjykata Administrative e Tiranës detyron shtetin shqiptar të dëmshpërblejë edhe të dënuarin Agim Bualli, për të cilin Gjykata e Fierit ka urdhëruar që kryerja e vendimit të bëhet në një institucion të veçantë, shëndetësor dhe jo në burg. Familjarët e tij do të marrin rreth 60 milionë lekë (60 mijë dollarë), për trajtimin çnjerëzor ndaj tij.

Me të njëjtën arsye, si të të dënuarit Bualli, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dënoi shtetin shqiptar që t`i paguajë të dënuarit Arben Strazimi shumën prej 17 500 eurosh.

Faturat shtohen.

Mjekët refuzojnë të shërbejnë në burgje

Erozioni i bluzave të bardha ka nisur fillimisht nga sistemi i burgjeve, më pas ka vijuar në spitalet civile.

“Specifika e pacientëve, që janë në kushte specifike të jetës, si dhe rroga e ulët, e bëjnë këtë sektor të papëlqyeshëm për mjekët”, – thotë një mjek i angazhuar në një nga burgjet e kryeqytetit.

Shifrat tregojnë një situatë të zymtë. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në përmbushje të së drejtës për informim, deklaron se nga 53 mjekë, që duhet të ketë në organikë në të gjithë sistemin, ka me kohë të plotë vetëm 28 mjekë, 20 mjekë janë të angazhuar me kohë të pjesshme, ndërkohë që ka ende pesë vende të paplotësuara me mjekë.

Nga 159 infermierë, për të cilët ka nevojë, ka në punë 151 infermierë.

E gjithë kjo armatë e bluzave të bardha duhet të kujdeset për 1400 të dënuar, që janë me sëmundje kronike dhe për qindra të tjerë që kanë sëmundje të përkohshme.

Situata bëhet më e rëndë, nëse futemi tek analiza e profilit të mjekëve që kujdesen për shëndetin e të dënuarve. P.sh., IEVP, Durrës, edhe pse në organikë ka dy psikiatër, aktualisht ka vetëm një, i cili duhet të përballojë punën për dy. Në burgun e Peqinit po ashtu mungon psikiatri. Edhe në Fier mjeku psikiatër është me kohë të pjesshme. / Marre nga Investigative Network Albania

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here