Dalja e listave të pagave për qindra mijë shqiptarë është fakti më madhor i fundvitit 2021.
Me anë të tyre, shqiptarët kanë në dorë me prova sasiore, me fakte të pakundërshtueshme, me dokumente të pamohueshme, mënyrën e saktë të kuptimit të historisë bashkëkohore të shoqërisë ku jetojmë; kanë jo prishjen e paqes sociale sikundër dikush e lëshoi nga goja pa u menduar, por transparencën e marrëdhënieve të vërteta që janë krijuar mes tyre, me një fjalë kanë radiografinë sociologjike të një shoqërie në agoni.
Në këto lista mund të ketë edhe pasaktësi, apo manipulime, por deritani askush nuk i ka përgënjeshtruar ato
Se përse mediat, analistë, gazetarë, se përse deputetë, shtetarë, politikanë, gjoja opozitarë, përfaqësues gjoja të shoqërisë civile, etj., heshtin për të dhënat e atjeshme, përgjigjen e gjeni brenda atyre të dhënave.
Me një fjalë sepse pjesa më e madhe e këtyre kategorive, jo të gjithë amà, janë të përfshirë brenda atij fenomeni që tregon të gjitha padrejtësitë, korrupsionin, egoizmin, paturpësinë e një shoqërie ku pjesa e sipërme e saj, në një masë të madhe, pa përfshirë të gjithë sigurisht, është e zhytur në një llum moralo-financiar dhe shtresat e poshtme të saj janë përfshirë pa përjashtim në një braktisje dhe jetë pa shpresë dhe pa dinjitet.
Dhe mos harrojmë se aty është vetëm maja e majës së ajzbergut, sepse nuk përfshihen të gjitha shpërblimet dhe përfitimet që nuk shfaqen te pagat, si edhe paratë nën dorë si rryshfete, bakshishe, dhurata, nuk janë kapitalet financiare të ngurtësuara në prona, etj. është vetëm një zbulim sadopak i çarçafit me të cilin kanë mbuluar trupin e viktimës, pra të shoqërisë. Dhe kjo radiografi nuk kap vetëm pagat në sektorin publik, por edhe shumë fusha dhe agjenci në botën private, ku edhe atje korrupsioni bën kërdinë.
Heshtja që mbahet, madje sulmi me policë që të kërcënohet burimi i kësaj rrjedhjeje skandaloze të një informacioni skandaloz masiv, është turpi, është sjellja e hajdutit për të fshehur poshtë xhaketës, në xhepat e saj, plaçkën e vjedhur. Njësoj sikur dikush të ketë vjedhur një portofol në autobuz, ta ketë futur në xhep, dhe kur akuzohet dhe i kërkohet të zbrazi xhepat, ai bërtet : Po dhunojnë privatësinë time!!!
Qytetarët aty kanë mënyrën e të kuptuarit si shpërdorohet paraja publike pra buxheti i shtetit, kanë arësyen se përse ndërsa ata jetojnë me shërbime mjeksore, urbane, shkollore, kulturore mjerane, pjesa e sipërme lundron në lluks, kanë faktin – te heshtja e atyre që heshtin – se ata janë braktisur nga politikanë, deputetë, gazetarë, lidera opinioni, opozitarë, dhe se gjithçka në opinionin publik është bërë thjesht hipokrizi.
Pushtetarë dhe opozitarë, në një ma:së të madhe janë brenda një anijeje që nuk mund të fshihet as me të thirrura, as me logore studjosh televizive, as me llapaqenëri rrjetesh sociale, as me përbetime për ndershmëri, demokraci, e broçkulla të kësaj natyre.
As me heshtjen tuaj!
Sigurisht jemi vetëm në fillimet e shqyrtimeve të tabelave të pagave, dhe është fakt i mrekullueshëm që vullnetarisht, me kokën e vet, këtë po e bëjnë me mijëra qytetarë, të cilët po hapin sytë e mbyllura për çka po ndodh.
Nëse ka ende studjues në sociologji, ekonomi, shkenca politike, etj., që i thonë ende vetes studjues dhe nuk merren me analizën e hollësishme të këtyre të dhënave – këta nuk meritojnë as emrin, as titullin shkencor, madje as pagat!!!
Cfarë prirjesh vihen re nga analizat ende fragmentare dhe ende të pathelluara si duhet?
Se pari, një nepotizëm i çfrenuar ku sidomos në zyrat e administratës publike dhe të të gjitha agjencive publike, sikundër theksojnë zërat nga poshtë që murmurisin me zemërim, janë punësuar persona për shkak të lidhjeve familjare, kushurillikut, krushqive, si edhe për lidhjeve miqësore, shpërblimeve të ndërsjella, lidhjeve me politikanë, të pasur, etj. Dhe jo vetëm nëpër bashki ku bëhet nami, por edhe në institucione qendrore, në agjenci publike. Klasa politike e ka kthyer nëpunësinë në shtet si një vend strofkull, fole, kotec, për farefisin e vet, dhe kjo pavarësisht nëse janë gjoja opozitarë, apo pushtetarë. Pavarësisht ngyrave politike. Korrupsioni dhe hipokrizia këtu janë në të gjithë spektrin e vlerave.
Së dyti, vihet re se konflikti i interesit bën kërdinë. Nëpunësi publik në shumë e shumë raste te ato lista pagash kapet duke shfrytëzuar postin e vet publik për të nxjerrë përfitime dytësore, tretësore, katërsore, shumëfishore te privati. Eshtë uluritëse të shohësh sesi persona që janë punësuar nga shteti për të kontrolluar agjenci private, sipërmarrje private, janë në fakt të dypunësuar ose shumëpunësuar në konflikt interesi dhe nga këto subjekte private. Janë punësuar ose ata vetë ose farefisi i tyre. Dhe njerëzit habiten se përse shteti, ose pushteti lokal, mbyllin njerin sy ose të dy sytë, mbyllin hundët, gojën, jo vetëm sytë, përpara shkeljeve të sipërmarrjeve të ndryshme private. Kjo ndodh, duket qartë te listat e pagave, sepse punonjësi publik në një masë të madhe êshtë i zhytur në kënetën e konfliktit të interesit dhe dyshohet me të drejtë se duket që përfiton nga privati që duhet ta kontrollonte, paga, punësime, dorovitje, shërbime ekstra, madje ndofta edhe vila, vetura, etj.
Për të mos thënë që shihen operatorë privatë që veprojnë brenda sferës të ndikimit dhe të pushtetit të të afërmëve të tyre politikanë apo pushtetarë të niveleve të ndryshme!
Së treti, shihet një fryrje e paparë me nëpunës burokratë a punonjës shërbimesh në sektorin publik. Administrata publike është bërë rezerva elektorale më e mirë për partitë në kohë zgjedhjesh. E tillë është bërë administrata qendrore dhe ajo bashkiake.
Agjencitë publike qofshin ato radiotelevizive, artistike, ekonomike, kulturore, tatimore, kontrolluese, etj., janë në shumë raste në këtë funksion.
Logjika është e thjeshtë. Me paratë e qytetarëve u rezervohen paga për vende krejt fiktive pune me mijëra burokratëve ose punonjësve shërrbimesh. Këta mbahen nën presionin e vendit të punës, sepse kontrollohen politikisht. Në kohë zgjedhjesh, janë këta që ndikojnë balancën elektorale dhe japin fitoren elektorale. Flitet kot për masakër elektorale!
Nuk, ka nevojë për mekanizëm tjetër.
Aty është masakra që mbahet fshehur.
Dhe vota e qytetarëve zhvleftësohet. Pra, me taksat ndaj qytetarëve, paguhen rroga për punonjës publikë në numur të tejfryrë në mënyrë që vota e po atyre qytetarëve që paguajnë taksat të zhvleftësohet. Ky është mekanizmi i përbindshëm, cinik, mafioz, për të mbajtur pushtetin.
Por kjo mbifryrje burokratike që shoqërohet pastaj me reduktime personeli në shkolla, spitale, etj., ka funksione të tjera të cilat nuk po i përmendim për mungesë vendi.
Por punësimi për qëllime elektorale po bën kërdinë jo vetëm për zgjedhjet politike, apo bashkiake, por kudo, edhe brenda agjencive të tjera, të cilat këtë radhë nuk po i marrim në analizë.
Së katërti, vihet re shumëpunësimi i çfrenuar në konflikt interesi jo në një ose dy punë, por në tre, katër, pesë, apo edhe më shumë punë. Mjafton të shohim drejtues të lartë të administratës publike të shumëpunësuar në borde, komisione, forume, në këshilla bashkiake për të kuptuar se çfarë ndodh. Mjafton të shohim punonjës publikë të punësuar me rroga të majme në kompani apo agjenci private, apo të paguar për punë te privati. Në një farë mënyre ka një përqendrim të punëve të zgjedhura në disa duar, në disa shtresa, në disa familje.
Nuk është fjala për funksione të ndryshme, apo operacione të ndryshme pune brenda një profesioni, ose ushtrim të një zanati apo detyre. Kjo është tjetër gjë. Bëhet fjala për punësime të ndryshme. Kjo veçse monopolizon punën, por edhe krijon papunësi, sikurse edhe bën që cilësia e punës të bjerë. Kush është i aftë të bëjë njëkohësisht pesë a gjashtë punë, pa lidhje me njera tjetrën, dhe t’i kryejë si duhet???
Se pesti, një kaos në sasinë e pagave. Kjo nuk është çështje që lidhet thjesht me financat. Ky kaos tregon pikërisht sesi shoqëria jonë shqiptare ka humbur pikërisht busullën kryesore: meritokracinë!
Kur shoferi i një agjencie publike paguhet dy ose tre herë më shumë se një mjek në spitalin publik, kur profesori i një institucioni arsimor publik paguhet dy ose tre herë më shumë se profesori i një institucioni arsimor po publik, kur ekonomisti i një agjencie gjysëm private por që funksionon me para publike paguhet tre herë ose katër herë më shumë se një arsimtar i mirë, kur një drejtues emisioni paguhet edhe 30 herë më shumë sesa një gazetar terreni, sa për të marrë disa shëmbuj në qindra dhe mijëra, atëhere kuptohet se e gjithë shoqëria është zhytur në dallkaukllik, në zhvleftësim të meritave, në një natë të errët ku mësimi është: Nëse dëshiron të jetosh mirë, puna e ndershme është rruga më e dështuar dhe taraflliku, mashtrimi, kopil-lliku, është rruga më e mirë!
Mos i hyjmë këtu fiktivitetit të pagave sepse duket ashiqare se ka paga që janë:
1. Paga – mbledhëse votash ose shpërblime për militantizëm politik. Partia kontrollon shtetin dhe shteti ushqen partinë me mekanizma prodhimi votash.
2. Paga që jepên dhe rimerren. Paga reversibël. Po ngrihen zërat te fenomeni i turpshëm i skllavërisë moderne që duhet të hetohet nga drejtësia. Drejtues apo pronarë që japin paga të larta për punonjës por që këta të fundit një pjesë të pagës duhet t’ja rikthejnë cash punëdhënësit të tyre.
3. Paga simbolike turpi. Janë paga të ulëta që fshehin pjesën tjetër shtesë që punëdhënësi jep në mënyrë të padeklaruar për të mos u përballuar me kërkesën e ligjit që të justifikojë burimin e të ardhurave. Punëmarrësi njëherësh viktimë dhe bashkëpuntor e pranon këtë pagë turpi, këtë marrëveshje turpi, të dënueshme nga ligji. Në këtë mënyrë bëhet pjesë e sistemit korruptiv. Mbyll gojën bën çfarë i thonë, sepse përndryshe rrezikon të dënohet.
4. Pagat incentivash, pra superpaga për poste monopol, shërbimesh të veçanta. Këtu punëmarrësi paguhet në mënyrë marramendëse, por nuk i bëhet vonë se pagesa e tij bëhet e mundur për shkak të burimit korruptiv, ose pozicionit monopol, ose funksioneve të veçanta, së shumti korruptive, që kryen brenda kompanisë, apo statusit të privilegjuar të kompanisë apo agjencisë. Kjo është një çështje që meriton trajtese të veçantë.
5. Paga lavatriçe. Këto jepen fiktivisht të larta për të larë paratë e fituara në rrugë korruptive ose me trafiqe. Janë gjithashtu paga që fshehin faktin se ato janë fitime të pastra të shënuara jo te rubrika fitime, por te rubrika : paga. Dhe tatimet flenë!
Sigurisht këtu nuk mohohen paga, të ulëta, të mesme, të larta, që përftohen me meritë. Por të gjitha këto të fundit janë tmerrësisht të ulëta. Edhe pagat e larta me meritë janë tmerrësisht të ulta. Kjo ndodh pikërisht sepse buxhetet që shkojnë për to janë rrudhur për të paguar pagat e turpit.
Këto listë pagesash janë radiografia e një shoqërie që po vdes.
Sikurse vdesin për bukë pensionistët me pensione mizerabël nëse nuk ndihmohen nga të afërmit e tyre! Pikërisht se paraja publike shpërdorohet!
Mos e kërkoni gjetiu ikjen masive të shqiptarëve. Mos e kërkoni kund tjetër mosbesimin e shqiptarëve ndaj politikës, politikave qeveritare, opozitës. Mos e kërkoni kund tjetër pasivitetin, apatinë, rënien profesionale, veçse në shkatërrimin e shpërblimit sipas meritës!
Në vend të bërtasim: Kapeniiiii atë që na nxorri të palarat! E mira është të krijohet një komision i përbërë nga studjues, qytetarë, lidera të vërtetë opinioni, të pakorruptuar për ta studjuar mirë radiografinë e agonisë sonë shoqërore kombëtare, për të marrë masat e shëndoshjes!
Përndryshe! Nuk do të ketë asnjeri të pafajshëm!
Asnjeri!