Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë bëri sot të ditur se 12 gazetarë nga media të ndryshme kanë kërkuar azil dhe 34 të tjerë nënshtetësi të shteteve në përpjekje për tu larguar nga vendi për arsye të ndryshme, përfshi dhe çështjen e sigurisë apo kërcënimeve gjatë ushtrimit të detyrës.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, drejtuesi i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, thotë se në periudhën 2017- 2018 janë shtuar më tej gazetarët e kërcënuar në detyrë, që kërkuan azil në vendet e BE-së dhe SHBA për shkak të rreziqeve të punës, dhe shumë të tjerë kërkuar shtetësi në vende të tjera:
Në raportimet e muajve të fundit, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka konstatuar me shqetësim se, vetëm në vitin 2017-2018, kemi raste të shtuara të kolegëve, gazetarëve dhe strukturave të tjera redaksionale që tentojnë t’i largohen Shqipërisë. Vetëm për këtë periudhë që unë përmenda, kemi rreth 12 kërkesa nga reporterë dhe gazetarë për azil apo që ndjekin procedurat e azilkërkimit në vende të ndryshme të BE-së dhe SHBA-së. Së dyti, janë rreth 24 gazetarë të cilët kanë plotësuar dokumentacionet përkatëse për përfitimin e shtetësisë apo shpërnguljen nga atdheu në vende të tjera të perëndimit.
Ilirian Agolli: Keni të dhëna për motivimin e kërkesave për largim?
Për një pjesë të mirë të tyre kemi sepse në jo pak raste disa nga kolegët që kanë patur probleme serioze me sigurinë dhe kërcënimin për shkak të profesionit kanë kryer procedurat, dhe, natyrisht, kanë marrë në konsideratë për plotësimin e dokumentacionin edhe reagimin e organizatës sonë, deklaratat e UGSH-së dhe ato të solidaritetit.
Vetëm dy ditë pas sulmit me armë zjarri ndaj gazetares së njohur të kronikës së krimit, Klodiana Lala, një tjetër reporter vendor u kërcënua në Lac, ngjarje për të cilat shprehu shqetësimin e tij edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Ruajtjen e të Dhënave Personale Besnik Dervishi.
“Solidarizohem me të dy gazetarët e kërcënuar së fundi dhe me të gjithë gazetarët që dhunohen apo kërcënohen për shkak të detyrës dhe misionit të tyre. Sidomos zonjën Lala kam patur rastin ta njoh dhe vlerësoj kurajon e saj në punën e vështirë të gazetares. Të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që këto ngjarje të shmangen e të mos ndodhin” – tha zoti Dervishi.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë protestoi disa herë për breshërinë e plumbave të hedhura mbi banesën e familjes së gazetares Klodiana Lala.
Zoti Çipa thotë se edhe kjo ngjarje e rëndë për jetën e gazetares dhe familjes së saj rrezikon të mbetet pa zbardhur ashtu si shumë kërcënime të kolegëve të tjerë.
Persona të panjohur sulmuan me armë zjarri në breshëri banesën e prindërve të gazetares së televizionit “News 24”, Klodiana Lala më 30 gusht në periferi të kryeqytetit. Gazetarja Lala tha se dyshonte se sulmi lidhej me punën si gazetare.
Klodiana Lala është një ndër gazetaret më të njohura me përvojë shumëvjecare në mbulimin e kronikës së krimit.
Për sulmin me armë ndaj banesës së prindërve, ku gjendeshin vëllai dhe fëmijët e saj, reaguan me forcë autoritetet politike e shtetërore të vendit si dhe shoqatat e gazetarëve.
Pas kësaj shumë gazetarë shkruan në rrjetet sociale se edhe atyre u kanë ndodhur shumë kërcënime për shkak të detyrës, ndaj edhe jo pak prej tyre po largohen nga vendi. / Zëri Amerikës