Qendra studimore MediaLook sapo ka publikuar një monitorim mbi edicionet e lajmeve të televizioneve vendase në kryeqytet ku u vërejtën një numër i konsiderueshëm kronikash të ngjashme me reklamat tregtare. Autorët e cilësojnë këtë si një shkelje të etikës gazetareske që cenon të drejtat e qytetarëve në një vend demokratik.

“Burimet e informacionit të vërejtura gjatë hulumtimit nuk kanë qenë të balancuara por raportimet kishin prirje të orientoheshin drejt një burimi që i interesonte një kompanie të caktuar”, – është shprehur autori i hulumtimit të Qendrës Shqiptare MediaLook, në një prononcim për Zërin e Amerikës.

Ekspertët pohojnë se ato janë kronika të njëanshme në favor të pak bizneseve të lidhura me pronarët e mediave. Sipas studiuesve këto përbëjnë shkelje të etikës gazetareske dhe transmetimeve me natyrë tregtare përmes fuqisë së medias.

“Media dhe pronarët e medias po përgatisin shkatërrimin e informacionit audioviziv, informacionin e qytetarit, kulturën e brezave që do të vijnë dhe fajin këtu nuk e ka as gazetari, as shkolla e formimit të gazetarëve sepse nuk i formon keq, as studiuesit, por fenomene të tjera”, – pohon Akademik Artan Fuga.

Studiuesit vërejnë se shkeljet etike që gazetarët bëjnë me kronika kinse ekonomike por që në fakt janë reklama tregtare, janë të njëjta me shkeljet profesionale që ata bëjnë me lajme të tjera ku nuk i referohen burimeve të ndryshme dhe të pavarura, pa konflikte interesi dhe pa verifikuar plotësisht të dhënat.

“Për sa kohë televizionet bartin një licencë kombëtare sigurisht që ato duhet ti nënshtrohen disa detyrimeve që parashikohen në ligj dhe aktet nënligjore. Ajo që duhet thënë është se televizionet nuk janë biznese si gjithë të tjerat, por malli që prodhojnë ka natyrë të dyfishtë: Nga njëra anë është kostoja e produktit mediatik dhe nga ana tjetër është lajmi si e mirë publike. Për të patur një raportim sa më të plotë në funksion të interesit publik duhen ruajtur balancat, në mënyrë që kjo hapësirë televizive e edicioneve informative të mos keqpërdoret dhe të shkojë në të kundërtën e misionit të vet që është interesi publik”, – u shpreh, studiuesi Luku.

Monitorimet e shumta vërejnë mungesa të mëdha në redaksi të ndryshme sidomos sa i takon ndërhyrjes së pronarëve në punën e gazetarëve e cila ka sjellë vetëcensurim të përgjithshëm në median Shqiptare. / Zëri Amerikës

Shënim / Kronika e transmetuar në Zërin e Amerikës mban titullin origjinal: “Vëzhgime mbi etikën e mediave shqiptare”.  Titulli i mësipërm është i redaksisë  MediaLook. 

 

 

 

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu