“Komentet janë të lira, ndërsa faktet, të shenjta!”, – Kështu do të shkruante, Charles Scott, kryeredaktori i gazetës “The Guardian”, në esenë e tij “A Hundred Years” në njëqind vjetorin e të përditshmes britanike më 1921. Ky pasazh i artikullit, që më vonë u kthye në një slogan mbi të cilin u mbështetën themelet e gazetës në të ardhmen, trajtonte rëndësinë e një shtypi të lirë dhe vlerat e një gazetarie të pavarur.

Afro 100 vjet nga botimi i këtij editoriali, e njëjta gazetë, është kthyer në modelin e një zhanri të vjetër gazetarie të vendosur në një kontekst të ri në web, që njihet gjerësisht si “data journalism”.

Përmes kësaj gjinie, “The Guardian” bashkë me dhjetë gazetat kryesore botërore, ndër të cilat dhe “New York Times”, “Washington Post”, “El Pais”, “L’espresso”, “Der Spiegel”, “Le Monde”, etj., filtruan, pasqyruan dhe shpjeguan për opinionin e gjerë publik skandalet më të mëdha të Shekullit XXI si “Wikileaks”, “NSA” e “Panama Papers”. Falë informacioneve të vizualizuara, qytetarët anembanë botës mund të lundronin në kohë reale në morinë e skandaleve të përgjimeve dhe ato financiare, që buronin nga miliona e miliarda dokumenta e të dhëna të publikuara.

Çfarë është “data journalism”?

“Data journalism” ose “gazetaria e të dhënave të filtruara” nuk është një zhaner i ri në historinë e medias. Shkrimet e para të plotësuara me të dhëna të përpunuara datojnë me fillesat e gazetarisë, ndër të cilat mund të përmenden investigimi i “The Guardian” në vitin 1821, mbi numrin real të studentëve që merrnin arsim falas në shkollat e Mançesterit; raporti 58 faqësh i Florence Nightingale mbi “Vdekshmërinë e Ushtrisë Britanike”, i ilustruar me tabela e diagram në 1858, për të kaluar në vitin 1952 ku për herë të para u përdorë teknologjia CAR (Computer-assisted reporting) për të parashikuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konsolidimi i kësaj gjinie vjen në fund të viteve 1960 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur në mediat amerikane zhvillohet e ashtëquajtura “Punctual Journalism”, ku gazetari dhe Prof. Philip Meyer, një nga themeluesit e këtij zhanri, aplikoi metodat e kërkimeve shkencore mbi sjelljet e zhvillimet sociale dhe përdori rezultatet e këtyre studimeve për raportimet gazetareske.

Gjatë protestave të vitit 1967 fillimisht në Los Angeles, Newark dhe Detroid, në media qarkullonin disa teori, mes të cilave më e përhapura ishte ajo se “tubuesit ishin personat më të frustruar, të pashpresë dhe më të vobegëtit e shoqërisë. Ata protestonin pasi nuk kishin asnjë mjet tjetër për të shprehur pakënaqësitë e tyre”. Në fakt, opinioni që mbizotëronte në shtyp u rrëzua nga një studim i profileve të protestuesve, i realizuar dhe botuar në “The Detroit Free Press”, sipas të cilit rezulton se numri i personave që kishin ndjekur shkollën e lartë ishte i barabartë me të pashkollët.

Ndërsa pas vrasjes së Martin Luther King në vitin 1968, një anketim dhe shkrim i “Miami Herald rrëzoi opinionin e përgjithshëm sipas të cilit protestat paqësore do të varrosen bashkë me të dhe se personat me ngjyrë do ti rikthen sërish dhunës.

Tradita e “Punctual Journalism” vijon edhe gjatë mesit të dytë të dekadës së ardhshme me dy shkrime të vlerësuar me çmim “Pulitzer” mbi diferencimet në institucionet e strehimit në Teksas, publikuar në “Dallas Morning News” në 1985 dhe shkrimin e “Atlanta Constitution” mbi diskriminimin racor në vitin 1988.

Me lindjen e internetit dhe me zhvillimin e Web 2.0, aksesi i të dhënave dhe përpunimi i tyre u bënë më të lehta përmes platformave të automatizuara. Sikurse shprehet dhe Professor Meyer, tashmë sfida më e madhe e gazetarëve filtrimi dhe prezantimi i tyre:

Në kohën kur informacioni ishte i pakët, përpjekjet tona më të mëdha ishin mbledhja dhe publikimi i tij. Por sot, që informacioni është me bollëk, filtrimi i tij është më i rëndësishëm. Dhe procesimi i tij realizohet në dy nivele: a) Analiza për t’i dhënë një strukturë dhe kuptim të dhënave të pafundme; b) Prezantimi i tyre në formën e duhur, që këto të dhëna të jenë të kuptueshme për publikun e gjerë. Ashtu si shkenca, edhe “data journalism” zbërthen metodikën dhe prezanton gjetjen në një mënyrë të lehtësisht të verifikueshme.

Vizualizimi i të dhënave është bërë një praktikë e pandashme në raportimet gazetareske të mediave ndërkombëtare online, ku mund të përmenden platformat e dedikuara që “The Guardian”, “Der Spiegel”, “ICIJ”, “Wikileas”, etj., ndërtuan për zbërthimin e skandaleve të përmendura në krye të punimit. Por sa i zhvilluar është ky zhanër në Shqipëri? A ka raportime të “data journalismit” në platformat online, nëse po, cilat janë risitë dhe problematikat e konstatuara?

A mund të flasim për “data journalism” në Shqipëri?

Ndonëse në Shqipëri ka një bum portalesh, ku sipas UGSH përllogariten të operojnë 650 të tillë, “data journalism” rezulton të jetë ende në fazat e para fillestare si zhanër gazetaresk. Raportime të këtij lloji i gjejmë si elemente të ndonjë investigimi ose në periudha zgjedhjesh në vend.

Ndër elementet e para të “data journalism” mund të konsiderohet mbulim grafik i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005 nga portali “Albeu”. Sikurse tregon themeluesi i tij, Idaver Sherifi, duhet evidentuar se bëhet fjalë për një paraqitje të thjeshtë vizuale të rezultatit, ku furnizimi dhe rifreskimi me kutitë e hapura dhe votat e numëruara shtohej në mënyrë manuale në platformë. Ndërkohë përllogaritja e këtyre informacioneve, shton Sherifi, përpunohej në mënyrë automatike.

Krahas “Albeut”, i cili prej vitit 2005 e në vijim ka mbuluar me paraqitje të tilla grafike proceset zgjedhore në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë, në periudha të mëvonshme zgjedhjesh platforma të ngjashme janë parë dhe në portale të tjerë si Balkanweb, Top Channel apo dhe në investigime të “Reporter.al”.

Projekti i parë profesional, por jashtëmediatik, i “data journalism” në Shqipëri shënohet në vitin 2009, kur USAID financon një platformë që drejtohej nga dy organizata te shoqërisë civile, ECA dhe KRIIK, për raportimin në kohë reale të rezultateve gjatë zgjedhjeve parlamentare. Publikimi i këtyre të dhënave është realizuar në adresën e internetit “www.eca.al” dhe ofrohej si një shërbim paralel dhe i pavarur nga të dhënat e publikuara prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Të dhënat ofroheshin nga 450 vëzhgues të akredituar të pajisur me celularë, të cilët raportonin menjëherë pas vulosjes së procesverbalit në përfundim të numërimit të votave nga çdo qendër. Më pas të dhënat ngarkoheshin në sistem dhe përpunoheshin në mënyrë automatike me formulën D’Hondt dhe Sainte – Lauge që parashikoheshin në Kodin Zgjedhor. (Igli Gelishti, intervistë në Shtator 2017) Paralelisht me këtë platformë, KQZ raportonte në kohë reale vetëm numrin e votave, por jo ndarjen e mandateve, llogaritja e të cilës ne kohe reale ishte e pamundur ne mungesë te një sistemi informatikë.

Ofrimi i këtij informacioni që përditësohej çdo dhjetë minuta në website-n www.eca.al u kthye në pikë referimi për të gjitha televizionet, gazetat dhe portalet online të cilat raportonin rezultatet zgjedhore. Në të njëjtën kohë, të dhënat e audiencës për këtë shërbim të “data journalism”, tejkaluan pritshmërinë e krijuesve të platformës: Në 48 orë kjo faqe u klikua nga rreth 10 milionë vizitorë. Sikurse konfirmohet edhe nga raporti i USAID-it, interesi i audiencës për ecurinë e rezultateve zgjedhore ishte shumë i lartë, aq sa në një moment u regjistruan deri në 4000 user / second në kohë reale. Kjo detyroi webmasterat e platformës të katërfishonin serverat për shkak të “urisë” shumë të madhe të për ecurinë e procesit zgjedhor.

Raportimi online i “Parlamentareve 2017” në Vizion Plus

Ndryshe nga vitet e tjera, zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017 në Shqipëri patën një mbulim të gjerë në portalet online. Mes tyre, faqja e televizionit kombëtar në transmetimet dixhitale, Vizion Plus, ofroi një platformë e cila mbuloi në kohë reale procesin e numërimit të votave. Ajo mundësonte rifreskimin e rezultatit, përkthimin e tyre në mandate të deputetëve dhe vizualizimin në harta e grafikë. Krahas platformës, e ndërtuar nga webmasteri Erion Elezi, u publikua si shërbim dhe një përllogaritës i mandateve që u përdor nga audienca online. Kalkulatori u ndërtua sipas formulës së D’Hont.

Cila ishte metodologjia e ndërtimit dhe funksionimit platformës online?

Zyra e web, pjesë e Departamentit të Informacionit në Vizion Plus, ndërtoi një platformë online për raportimin e zgjedhjeve parlamentare. Ky departament arriti një marrëveshje me kompaninë “dev.al”, e cila ofronte shërbimin e vëzhgimit dhe furnizimit me të dhëna në kohë reale nga procesi i numërimit të votave. U përzgjodh kjo kompani pasi drejtuesi i saj, webmasteri Igli Gjelishti, ishte një nga ndërtuesit e platformës së financuar nga USAID në vitin 2009 dhe konsiderohej si një ndër operatorët më të specializuar në treg. Kompania “dev.al” kishte pajisur vëzhguesit e akredituar me telefona dhe tableta në 90 ZAZ, për të përcjellë online kopje të procesverbaleve. Ato dërgoheshin në sistem menjëherë pas firmosjes nga anëtarët e grupit të numërimit. Gjate procesit të ngarkimit, aplikacioni i “dev.al” kryente përllogaritje, me qëllim evitimin e gabimeve. Të dhënat që hidheshin në databazë, aksesoheshin dhe përllogariteshin në mënyrë automatike nga platforma online e Vizion Plus, e cila rifreskohej çdo 60 sekonda. Sikurse pohon ndërtuesi i saj Erion Elezi, platforma ishte programuar që të vizualizonte automatikisht numrin e votave për secilin qark dhe shpërndarjen e mandateve për secilën parti. Gjithashtu, portali ofronte në harta dhe grafikë votat dhe mandatet në rang kombëtar.

Platforma online e Vizion Plus për pasqyrimin grafik të “Parlamentareve 2017”, Qershor 2017

Reagimi i audiencës

Një sistem i tillë raportimi në kohë reale i rezultateve zgjedhore për “Parlamentaret e 2017-ës” gëzoi një interes të lartë të audiencave online. Në 48 orët e para, sipas të dhënave të Google Analytics, nga data 25-27 Qershor, platforma e Vizion Plus regjistroi në total 92 mijë klikime, afro 50% të totalit të vizitave në faqe gjatë procesit zgjedhor. Ky fluks trafiku, detyroi drejtuesit e Departamentit të Informacionit dhe Zyrës së Web të dyfishonin kapacitetin e serverit qendror. Numri i vizitorëve në kohë reale arriti deri në 700 user / second. Ndërkohë, rifreskimi i vazhdueshëm i platformës me numrin e votave të numëruara (çdo 60 sekonda) shënoi rritje në qëndrueshmërinë në faqe të vizitorëve. Sipas të dhënave të Google Analytics të web-it të Vizion Plus, mesatarja e navigimit të çdo vizitori përllogaritej në rreth 3 minuta, një kohë relativisht e gjatë për web.

Nga ana tjetër, publikimi i kalkulatorit të mandateve, një shërbim që angazhonte audiencën online të përllogariste vetë mandatet për qarqet e interesuara, u reflektua ndjeshëm në të dhënat e audimatësit. Në 6 orët e para nga lançimi i tij, kalkulatori u klikua dhe përdor nga 5600 vizitorë.

Ndikimi i “data journalism” në median vizive

Përditësimi në kohë reale i rezultateve gjatë procesit të numërimit të votave nga platforma online e “vizionplus.tv” ndryshoi agjendën e pasqyrimit të rezultateve në televizion. Portali u kthye në një pikë referimi. Mbi grafikat dhe të dhënat e rifreskuara në faqe u ndërtua edhe diskursi televiziv i emisioneve të Vizion Plus, nën logon “Zgjedhje 2017”. Analiza e rezultateve dhe përllogaritja e mandateve zhvillohej drejtpërdrejt nga moderatorët në studio përmes kalkulatorit online, i cili specifikonte partinë e radhës që fitonte mandatin dhe numrin e votave që u nevojitej.

Moderatorët Pranvera Borakaj e Nolian Lole gjatë emisionit “Zgjedhje 2017” në Vizion Plus, 26 Qershor 2017

Gjithashtu, platforma ndikoi në ndryshimin e raportimit të gazetarëve në terren. Këta të fundit nuk ndaleshin gjatë në pasqyrimin e rezultateve por fokusoheshin në problematika të tjera në secilin qark, si incidentet, parregullsitë, intervistat e kronika nga terreni.

Problematikat e vërejtura

Krahas risive që solli kjo platformë dhe ndikimit të saj në transformimin e raportimit mediatik edhe nga ana e medias tradicionale televizive, gjatë ndërtimit të saj u vërejtën një seri problematikash:

E para dhe më e rëndësishmja ka të bëjë me burimin e të dhënave dhe verifikimin e tyre. Vetë zyra e web-it e madje dhe Departamenti i Informacionit në Vizion Plus e kishte të pamundur të krijonte me gazetarët e tij një rrjet raportimi për procesin zgjedhor, veçanërish gjatë momentit të numërimit të votave. Në rastin e sipërcituar u arrit një bashkëpunim me një kompani e cila rezultoi profesionale. Por mund të ndodhte dhe e kundërta. Mundësitë për verifikimin e informacionit që gjenerohej në kohë reale ishin të pakta;

Së dyti, numri i personave në staf, me dy persona të dedikuar, për ndërtimin e një platforme profesionale raportimi si ajo e prezantuar nga Vizion Plus web, e cila gjatë procesit zgjedhor u kthye dhe në një pike referimi për televizionin në fjalë, rezultoi të jetë një burim i kufizuar njerëzor;

Së treti, kapacitetet teknike në dispozicion ditën e zgjedhjeve ishin të pamjaftueshme. Kjo problematikë u vërejt kur trafiku në platformë u rrit në rreth 400 user/second në kohë reale, e cila solli rënien e serverit. Zyra e web e Departamenti i Teknikës u detyruan të dyfishonin kapacitetin e serverit për të përballuar fluksin e vizitorëve.

Përfundime

  • “Data journalism” është një zhanër gazetarie ende në fazat eksperimentale në Shqipëri;
  • Numri u punonjësve, burimet teknike e financiare të portaleve në Shqipëri janë të kufizuara për të zhvilluar platforma online, me qëllim raportimin përmes të kësaj gjinie gazetareske;
  • Raportimi i ngjarjeve me elementë grafikë dhe informacion të filtruar dhe konfirmuar, zgjojnë interesin e audiencave online në Shqipëri, e cila i ka mirëpritur raportime të tilla.
  • “Data journalism” ndryshon nga raportimi i deritanishëm i mediave tradicionale pasi ai është faktik, i shpejtë, interaktiv e vizual.
Shënim: Gjate periudhes se trajtuar autori ka qene drejtues i redaksise se web ne Vizion Plus, pjese e Departamentit te Informacionit.
Artikulli është referuar dhe publikuar në konferencën ndërkombëtare: “Media history and transformation”, organizuar nga Kolegji AAB, Departamenti i Gazetarisë & Komunikimit në UT, Universita’ per Stranieri di Perugia, School of Journalism and Public Relations – Skopje, Universiteti i Elbasanit, Universiteti Bedër,  Prishtinë 2017

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

2 KOMENTE

  1. ka Birn. reporter.al, ca artikuj te data journalism (me e fundit analiza e pasurise se gjykatesve), fillo cito koleget e mos rishpik rroten.

    • Faleminderit, Cufo! Ne fakt reporter.al eshte permendur. Shkrimi eshte analiza e nje “rasti konkret” nga fillimi ne fund… Po te shohesh dhe artikujt e tjere, reporter.al permendet disa here, anyway… Te falenderoj per komentin dhe shpresoj qe heres tjeter te shkruar me emer konkret, pavaresisht se edhe keto pseudonime jane te identifikueshme 🙂

      Drejtuesi i MediaLook
      Elvin Luku

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu