A do të rrëzojë Kuvendi “paketën antishpifje” njësoj si “amendamentin Balla”?

Pak ditë nga shqyrtimi i drafteve antishpifje në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti i mazhorancës Musa Ulqini kërkoi nga mediat dhe gazetarët të mos paragjykojnë diskutimet në Kuvend pasi “paketa antishpifje” mund të ketë dhe fatin e “amendamentit Balla”.

Këto komente zoti Ulqini i beri gjatë tryezës së dytë të diskutimit me temë “Rregullimi ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në transmetimet audiovizive”, organizuar nga AMA. Deputeti tha se me rrëzimin e “amendamentit Balla” në vitin 2015, Komisioni i Medias dëshmoi se morri parasysh qëndrimet dhe opinionet e faktorit ndërkombëtar në fushën e medias dhe opinionet e organizatave vendase.

Ai shtoi se “edhe në rastin e drafteve antishpifje, që janë depozituar nga qeveria do të ndiqen praktikat më të mira gjithëpërfshirëse, duke dëgjuar si organizatat e mediave, gazetarët ashtu dhe ekspertizat dhe opinionet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në”, duke mos përjashtuar që këto projektligje të amendohen rrënjësisht apo dhe të rrezohen sikurse ndodhi me propozimet vitit 2015 për median.

Në maj 2015, deputeti socialist Taulant Balla propozoi amendimin e nenit 62 të ligjit të medias audiovizive me synimin për të hequr të gjitha kufizimet në pronësi për televizionet kombëtare. Por “Amendamenti Balla” shkaktoi reagim të ashpër nga Bashkimi Europian dhe OSBE-ja çka shtyu Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, pas prezantimit dhe të relacionit të përgatitur nga dy deputetët  Musa Ulqini dhe Luçiano Boçi, të rrëzojë këto propozime për ndryshim në ligjin për median audiovizive.

Mbështeti centralizimin e medias, AMA tryezë për kushtet e gazetarëve

Pas tërheqjes së Kuvendit, Shoqata për Mediat Elektronike të Shqipërisë kërkoi në Gjykatën Kushtetuese shfuqizimin e nenit 62/3 dhe në 27 Maj të 2016-ës kjo trupë u shpreh në favor të kësaj shoqate duke shpallur antikushtetueshmërinë e paragrafit 3 i cili parashikonte që “asnjë person fizik ose juridik, vendas ose i  huaj, të mos ketë më shumë se 40 për qind të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare për transmetimet audiovizive”.

Ajo që vlen të evidentohet është se Autoriteti i Mediave Audiovizive, si subjekt i interesuar, është shprehur në favor të heqjes se një kufizimi të tillë të kuotave duke e cilësuar këtë pikë të nenit 62 si “jokoherent me ndryshimet e tregut mediatik” dhe duke pohuar se disponon mekanizma të tjerë ligjorë për të mbikëqyrur operatorët.

AMA, si subjekt i interesuar thuhet në vendim, parashtroi në mënyrë të përmbledhur këto argumente:

Kriteri kufizues i vendosur në paragrafin 3 të nenit 62 të ligjit për mediat për përqindjen e pjesëmarrjes së aksioneve nuk është në koherencë me ndryshimet në tregun mediatik.
Kufizimi objekt gjykimi ka pasur si nevojë të ekzistencës garantimin e shumëllojshmërisë në tregun audio dhe audioviziv, që në fakt garantohet me një sërë mekanizmash të tjerë, si kufizimi i numrit të licencave që mund të zotërojë një subjekt tregtar, kufizimi i numrit të programeve, në varësi të llojit të licencës që disponon, për një subjekt të pajisur me licencë për transmetime numerike ose për ofrimin e shërbimit të programit audio ose audioviziv, si dhe kufizimi i përqindjes së reklamave.
Ky kriter kufizues mund të jetë edhe diskriminues, se për ofruesit e shërbimeve mediatike që ofrojnë shërbime audiovizive në rrjetin e internetit, nuk ka një përcaktim të tillë. (Gjykata Kushtetuese, vendimi nr. 56, datë 27.07.2016)

Ndërkaq sot, afro tre vite më vonë, AMA organizoi Tryezën e Dytë të Diskutimit “Rregullimi ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në transmetimet audiovizive”. Në fjalën e tij kryetari i AMA-s, Gentian Sala, evidentoi faktin se Autoriteti gjithmonë ka vlerësuar dhe vlerëson se në ushtrimin e profesionit të tyre gazetarët, redaktorët, reporterët a bashkëpunëtorët merr një rëndësi shumë të madhe respektimi i standardeve të marrëdhënieve të punës, duke i lidhur këto drejtpërdrejt me nivelin e lirisë, pavarësisë dhe integritetit të medias.

Mark Marku dhe Aleksandër Çipa në tryezën e organizuar nga AMA

Ndërsa Shefi i Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Mark Marku u shpreh se fokusi duhet të vihet te garantimi i  lirive të gazetarit. “Reporteri mund të ketë një rrogë të sigurtë, por nëse ai nuk lejohet të ushtrojë i lirë profesionin, atëherë nuk kemi bërë asgjë”, – u shpreh ai.

Nga ana tjetër Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, prezantoi për të pranishmit disa nga problemet më të mprehta me të cilat përballen gazetarët, duke vecuar propozimin për krijimin e “Fondit të Asistencës për Gazetarët”, që sipas tij do të jetë një suport i dobishëm për ta, krijuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe agjenci të tjera.

Pagë minimale për gazetarët, kontrata me afat të pacaktuar

Drafti i përgatitur pas propozimeve të grupeve të interesit përgjatë takimit të parë zhvilluar në vitin 2018, i zbardhur më herët nga MediaLook, krahas pagës minimale, parashikon dhe përcaktimin e një kontrate tip bazuar në Kodin e Punës si dhe disa kushte për rritjen e transparencës së operatorëve mbi personat e punësuar.

Sikurse thuhet në këto propozime, “m.q.s profesioni i gazetarit është i parregulluar me ligj, caktimi i pagës minimale mund të realizohet përmes iniciativës së një ministri për t’i bërë një ndryshim, Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 399, datë 3.5.2017 “Për përcaktimin e pagës minimale në bazë vendi”, duke shtuar një parashikim edhe për profesionin e gazetarit dhe duke e arsyetuar bazuar në Nenin 111, paragrafi 2 të Kodit të Punës”.

Gjithashtu, ndryshe nga sa ndodh aktualisht në marrëdhëniet kontraktuale punëdhënës-gazetar, ku kontratat përgjithësisht janë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi, bazuar në Nenin 140, paragrafi 2 i Kodit të Punës, është propozuar që kontrata të lidhet për një periudhë të pacaktuar. Në të kundërt, nëse operatori mediatik kërkon një marrëveshje kontraktuale me kohë të kufizuar, ajo duhet të përmbajë dhe arsyet objektive.

Meqenëse operatorët mediatik shpesh herë shfrytëzojnë gazetarët, moderatorët por dhe punonjësit e teknikës e postproduksionit duke i ngarkuar me punë përtej sektorit të tyre, drafti i kërkon mediave që në kontratat e punës të specifikohet përshkrimi i punës, si një nga elementët bazik të kodit të punës.

Një tjetër pikë që përbën një risi në këtë draft është ndryshimi i një prej dispozitave të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” (të ndryshuar), ku Operatorët Mediatik detyrohen të publikojnë në faqen e tyre zyrtare në internet listën e gazetarëve të punësuar pranë tyre.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu