“Panem et circenses” (bukë dhe cirk), shprehja e njohur latine e përdorur shpesh në Romën e lashtë si strategji e perandorëve për të argëtuar turmat dhe për t’i orientuar ato në një drejtim të caktuar gjen sot vend edhe në politikën e sotme, konkretisht përgjatë fushatave elektorale. E tillë ishte edhe fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit të 2023-it, kur kryeministri Edi Rama përdori si strategji politike premtimin e ndërtimeve të stadiumeve në disa qytete të vendit, duke nisur me Durrësin, Vlorën dhe Korçën.
Jo rastësisht kryeministri Rama hapi fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit pikërisht me një premtim për ndërtimin e stadiumeve, një element i propagandës qeveritare pas atyre për ndërtimin e porteve dhe aeroporteve.
Në këtë mënyrë, kryeministri hapi fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 në qytetin e Kavajës më 15 prill, ku premtoi se do të ndërtohet stadiumin i ri i “Besës”, nëse kryebashkiak zgjidhet Redjan Krali, kandidati i Partisë Socialiste.
“Nëse na jepni mundësinë ta ndërtojmë, do e bëjmë sa të na e jepni. Do nisim menjëherë projektin. Stadiumin e Kavajës mund ta bëjmë. Nëse ju bëheni një grup këtu të jepni kontribut dhe të shfrytëzioni mjediset aty, dyqane restorante, fitnes, na e lehtëson punën të marrim dhe ne pjesë. Qeveria futet në një pjesë, federata në një pjesë, ju në një pjesë, pra biznesi, dhe bashkia do të na japi një dorë meqë ka fondet më të mëdha këtu. Thuaj atyre me dy gishta që nëse ja japin votën atyre që duan ta çojnë Shqipërinë si Kavaja në kategori të tretë, s’ka stadium” tha kryeministri Rama.
Në zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati i Partisë Socialiste Redjan Krali ishte shumë pranë fitores, por në fund rezultoi fitues kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fisnik Qosja.
Si rezultat stadiumi “Besa” në Kavajë i cili është gati jashtë funksionit prej vitesh dhe nuk përdoret për asnjë aktivitet nuk dihet se kur do ta shohë dritën jeshile të tij. Por ka degraduar në një mjedis ku që kullosin kafshët. Megjithatë, ka një deklaratë të presidentit të klubit Nexhat Bizhdili se në marsin e këtij viti do fillojë ndërtimi i stadiumit të ri.
“Pas prishjes, në muajin mars pritet të nisë edhe faza e parë e rindërtimit të tij. Them faza e parë, pasi kapaciteti fillestar pritet të jetë 4500 vende, ku përfshihen dy tribunat qendrore dhe ato ballore. Do të ketë të gjitha kushtet për një stadium modern”, tha Bizhdili.
Por pavarësisht deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të klubit Nexhat Bizhdili, kjo është hera e dytë përgjatë qeverisjes së kryeministrit Rama që premtohet ndërtimi i stadiumit të “Besës” së Kavajës.
Hera e parë daton para gati 9 viteve kur kryetari i bashkisë së Kavajës në atë periudhë Elvis Roshi (i cili ishte ndër të parët zyrtarë që u prek nga ligji i dekriminalizimit duke qenë se kishte pasur probleme me drejtësinë gjermane dhe atë italiane, por që nuk e kishte shënuar në formularin e vetëdeklarimit ndërsa mbante edhe disa emra të tjerë) bënte të ditur projektin për stadiumin e ri të Kavajës. Stadiumi i ri pritej të ndërtohej nga kompania italiane “Ital Project Studio”.
Sipas projektit që mund ta shikoni edhe në videon e mëposhtme stadiumi i ri i “Besës” së Kavajës parashikonte të kishte një kapacitet prej 15.000 vendesh ndërsa bashkia Kavajë e asaj kohe shpjegoi se në vitin 2016 do të nisnin punimet për ndërtimin e stadiumit të ri.
Ndërkohë që jemi në vitin 2024 dhe gjithçka vijon të jetë në 3D edhe për projektin e dytë të premtuar nga kryeministri Rama, teksa stadiumi dhe fusha e futbollit ndodhet jashtë funksionit dhe në të nuk organizohet asnjë aktivitet përveçse shërben si mjedis ku kullotin dhitë dhe delet e Kavajës.
Kjo ka bërë që skuadra e Besës së Kavajës t’i zhvillojë ndeshjet jashtë qytetit, ndërsa në të dyja rastet e projektit dhe premtimit për stadiumin e ri nuk është bërë e ditur se cila do të jetë kostoja për ngritjen e impianti të ri të futbollit për këtë qytet.
Projekti i lançuar në vitin 2015 nga kryebashkiaku Elvis Roshi u përdor edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021 nga mazhoranca socialiste, gjë për të cilën ish-futbollisti kavajas i kombëtares shqiptare Andi Lila denoncoi edhe projektin që sipas tij, vijonte të ishte në 3D.
“Shqipëria 3D! Ju kërkoj shumë ndjesë tifozëve të Besës Kavajës, futbollistëve dhe ish-futbollistëve të Besës për statusin tim të disa ditëve më parë, për stadiumin Besa që kullosnin delet. Sot, sapo më njoftuan se stadiumi i ri Besa ka përfunduar, edhe më i bukur sesa “Air Albania”. Shikojeni dhe vlerësojeni. Sot nuk është as 1 prilli, përsëri do i besojmë këto gënjeshtra 3D???”, shkruante me ironi në 8 shkurtin e vitit 2021, ish-futbollisti Andi Lila.
Vlora, me “dy herë” stadium
Përveç premtimit për ndërtimin e stadiumit të ri të “Besës” së Kavajës, kryeministri Edi Rama përdori edhe projektet e tjera për Vlorën, Durrësin dhe Korçën si instrument propagande gjatë fushatës elektorale. Midis tyre ishte edhe stadiumi “Selman Stërmasi” në kryeqytet.
Rama i kishte skicuar idetë e tij për këto tre projekte që në janar të vitit 2023 dhe më pas ripërdori përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit po të vitit të kaluar.
“3 stadiume të reja nisin me 3 konkurse ndërkombëtare brenda pranverës, në Durrës, Vlorë dhe Korçë⚽
Dhe “Selman Stërmasin” me Bashkinë e Tironës besoj”, shkruante Rama krah fotos së skicuar me emrat e qyteteve për ndërtimin e stadiumeve.
Më 6 maj, 8 ditë para ditës së zgjedhjeve, kryeministri Rama së bashku me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit mori pjesë në prezantimin e finalistëve të projektit të stadiumit të ri “Flamurtari” në qytetin e Vlorës, ku garonin 3 studio prestigjioze të arkitekturës bashkëkohore: FUKSAS (Itali), OPPENHEIM Arkitekturë (SHBA & Zvicër) dhe XDGA (Belgjikë), ku fitues rezultoi kjo e fundit.
“Vlora, prej kohësh kërkon një stadium siç i ka hije, sot është koha për ta ndërtuar sepse ju e dini që Vlora kaloi periudhë izolimi dhe braktisje. Dhe vetëm vitet e fundit ka ardhur në vete. Edhe pse ishte buzë detit Vlora dikur nuk vizitohej. Sot është krejt e kundërta, sepse ka zhvillim. Për ne, sporti është prioritet i shpallur përmes veprimit”, tha Rama.
Megjithatë, ashtu si në rastin e stadiumit të “Besës” së Kavajës, edhe projekti për ndërtimin e stadiumit “Flamurtari” në Vlorë është një premtim i dytë i kryeministrit Edi Rama.
Më tetor të vitit 2017 kryeministri Edi Rama i cili atë vit kishte marrë mandatin e dytë qeverisës premtoi ndërtimin e stadiumit të ri të Vlorës teksa inspektoi infrastrukturën sportive në shoqërinë e kryebashkiakut të asaj kohe, Dritan Leli dhe presidentit të “Flamurtarit”, Sinan Idrizi. Rama u zotua se stadiumi i ri do të ndërtohej brenda 4 viteve mbi rrënojat e atij ekzistues.
“Ne do të punojmë intensivisht për këtë dhe kemi ndarë dhe detyrat me kryetarin e bashkisë, po ashtu dhe zv.ministri Kostandin Shkurti do të merret më të gjitha projektet sportive”, u shpreh kryeministri Edi Rama atë tetor të vitit 2017.
Ai nuk ngurroi ta përmendë po të njëjtin premtim 1 vit më pas në vitin 2018.
“Jemi duke punuar për të nisur ndërtimin e stadiumit të ri të Flamurtarit. Është një projekt që nuk përfshi vetëm stadiumin, por edhe rindërtimin e një pallati sporti, ashtu si dhe një kompleks sportiv që mbetet për t’u përcaktuar vendi se ku do të ndërtohet”, u shpreh kryeministri në nëntor të 2018-s.
Stadiumi i “Skënderbeut” në Korcë, Rama pjesë e jurisë
2 muaj para zgjedhjeve vendore, të 14 majit, kryeministri Edi Rama bëri të ditur përmbylljen e fazës së parë të garës ndërkombëtare për 3 stadiumet e reja në Durrës, Vlorë, Korçë.
Duke i paraprirë fushatës elektorale përgjatë muajve prill-maj, kryeministri Edi Rama i përdori fazat e garës ndërkombëtare të projekteve për ndërtimin e stadiumeve të lartpërmendur si kartë për të mbledhur votat e qytetarëve shqiptarë.
Në këtë mënyrë, më 2 maj 2023, kryeministri Rama mori pjesë në eventin për shpalljen e fituesit “të Konkursit Ndërkombëtar për Projektin e Stadiumit “Skënderbeu”, ku u prezantuan 3 studio të mëdha finaliste ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë)”
Fituesi i kësaj gare ishte kompania daneze CEBRA dhe pjesë e jurisë ishte edhe vetë kryeministri Edi Rama, ish-ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo.
Kjo rriti edhe dozën e politizimit dhe përdorimit të projekteve për ndërtimin e stadiumeve në vend për efekt elektoral politik, pasi bëhen pjesë e jurisë kreu i qeverisë, ministrja e Arsimit dhe Sportit dhe kryebashkiaku i qytetit të Korçës, të tre persona me background politik.
Stadiumi i ri është pjesë e projektit të qeverisë me Federatën e Futbollit, për rikonceptualizimin e impianteve të futbollit, ku përveç Korçës investime të tilla do të realizohen edhe në qytetet e Durrësit dhe atë të Vlorës, siç mund të evidentohet edhe në videon e mëposhtme.
“Dhe me projektin fitues të Stadiumit të Ri të Korçës, konceptuar si një qendër e re e qytetit, në harmoni me Parkun Olimpik ju uroj një ditë të mbarë”, shkruante Rama në mëngjesin e 3 majit, 2023.
Ashtu si stadiumet e tjera, edhe ky impiant sportiv nuk do t’i shpëtojë bashkëngjitjes së tij me hotele, dyqane e qendra tregtare në strukturën e tij, siç ndodhi edhe me stadiumin “Air Albania”. Kjo shihet si një strukturë dhe hapësirë multifunskionale që do të shërbejë më shumë se sa për futbollin, siç mund ta vëreni edhe në videon e shpërndarë nga vetë kryeministri Edi Rama.
Sikurse ndodhi në rastin e Vlorës, edhe për ndërtimin e stadiumit të Korçës, premtimet e kryeministrit Rama datojnë më herët se viti 2023.
Dy vite pasi kishte ardhur në pushtet, kryeministri Edi Rama premtoi në vitin 2015 ndërtimin e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë gjatë një vizite që bëri në këtë qytet për të parë nga afër terrenet sportive të shkollës “Raqi Qirinxhi”
“…duke filluar nga skuadra kombëtare, e cila na ka imponuar me rezultatet e saj që të fillojmë që në nisje të vitit tjetër, ndërtimin e Arenës Kombëtare në Tiranë, që do të jetë stadiumi i tretë dhe sigurisht, edhe më i madhi në zinxhirin e stadiumeve që ne kemi nisur të rindërtojmë, apo ndërtojmë nga e para dhe ku pa dyshim do t’i vijë radha edhe stadiumit të Skënderbeut, sidomos pas fitores me Sportingun e Lisbonës”, u shpreh kryeministri Rama në 8 nëntorin e vitit 2015.
Të njëjtin premtim Rama nuk ngurroi ta përdorë edhe në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2021.
Në fjalën e tij në takimin elektoral të mbajtur në stadiumin e Skënderbeut Rama tha se nëse korçarët i japin 7 mandate do të ndërtojë një stadium të ri për ta.
“Kur hyra sot këtu, u befasova, është hera e parë në stadiumin e Korçës. Për Korçën e Niko Peleshit, nuk është një stadium që mund të rri shumë gjatë, por po ju them, po na dhatë 7, stadium i ri i Korçës do të jetë gjerdani që do i shtohet të gjithë këtyre që kemi bërë”, tha Rama në fjalën e tij gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, 2021.
Pra, si në rastin e Kavajës, Vlorës ashtu edhe atë të Korçës është luajtur i njëjti “film” përgjatë fushatave elektorale duke i përdorur premtimet për ndërtimin e stadiumeve në këto qytete për të përfituar vota për mazhorancën socialiste.
Stadiumi i Durrësit dhe “përdorimi” i Mançester City-t për fushatë elektorale
Përveç qyteteve të lartpërmendura edhe qyteti i Durrësit bënte pjesë në përdorimin e kryeministrit Edi Rama në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit, 2023.
Një javë para zgjedhjeve, kryeministri Rama bëri të ditur edhe fituesin e projektit për ndërtimin e stadiumit të Durrësit “Niko Dovana” nga studioja belge “51N4E” e arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels, i cili është kontestuar shpesh nga shoqëria civile për afërsinë e tij me kryeministrin Edi Rama pasi Ingels është edhe fitues i projektit për ndërtimin e Teatrit të ri pas prishjes së godinës së vjetër në kryeqytet.,
Ndërkaq, stadiumi do të ketë rreth 15 mijë vende, ndërsa veçantia e tij do të jetë tribuna qendrore, që do t’i ngjasojë asaj të stadiumit “La Bombonera” të klubit të njohur argjentinas, Boka Zhuniors. Ashtu si në projektet e mësipërme të Korçës, Vlorës dhe Kavajës, edhe stadiumi i ri i Durrësit do të shoqërohet me qendra tregtare.
Kryeministri Rama përdori për propagandë edhe emrin e klubit të njohur të futbollit anglez, Manchester City i cili pritet të hapë një Akademi futbolli në qytetin e Durrësit.
Më 26 prill të vitit të kaluar ai bëri të ditur se “Akademia e klubit të Manchester City dhe shkolla e tij e futbollit për fëmijët do të kenë në Durrës kampusin e tyre për rajonin”
“Sapo ka nisur kapitulli i ri i një historie miqësie e ardhmërie, në një rrugë të përbashkët suksesi me miqtë tanë të paçmuar të Emirateve të Bashkuara, falë mbështetjes së të cilëve Shqipëria hyn edhe në hartën prestigjioze të CITY FOOTBALL GROUP, bashkë me Anglinë, Spanjën, Francën, Italinë, Belgjikën, SHBA, Australinë, Brazilin, Uruguain, Japoninë, Indinë dhe Kinën”, shkruante Edi Rama në rrjetin social në Facebook më 26 prill 2023.
“Hapi paralel është që ne do ngremë grupin tonë këtu “Durrës City”, do të jetë një bërthamë që do zhvillohet në të ardhmen edhe si një skuadër më vete. Ajo që duhet të theksohet është se Akademia dhe Shkolla e Futbollit u shërben të gjitha klubeve në Shqipëri”, u shpreh më 4 maj të 2023-it.
Kush do të shkojë stadium kur shqiptarët largohen nga vendi
Ndërkohë që qeveria së bashku me pushtetin vendor përdorin projektet për të ndërtuar stadiume, aeroporte, porte apo duke rregulluar fasadat e qyteteve, emigracioni vijon të jetë në rritje.
Në këtë mënyrë, sipas të dhënave të INSTAT të publikuar në vitin 2023 për vitin 2022, theksohet se “popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2023 rezulton 2.761.785 banorë, duke pësuar një rënie me 1,1 %, krahasuar me 1 janar 2022”
Sa i përket numrit të imigrantëve në “vitin 2022 ishte 13.963 persona: 51,9 % më shumë, krahasuar me një vit më parë”.
Gjithashtu, reflektohet edhe zbrazja e qyteteve të vogla siç tregohet edhe nga tabela më poshtë.
Edhe numri i emigrantëve është rritur me 10.5 për qind më shumë në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021.
“Numri i emigrantëve ishte 46.460 persona: 10,5 % më shumë, krahasuar me vitin 2021.
Migracioni neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve) shënoi një përmirësim të lehtë, krahasuar me një vit më parë: nga -32.853 në -32.497 banorë në 2022”, thuhet në raportin e hartuar nga INSTAT.
Po ashtu vërehet edhe moshimit të popullsisë ku sipas INSTAT “raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit: nga 23,1 % në 24,4 % gjatë të njëjtës periudhë”.
Ndërkohë është zvogëluar edhe raporti varësisë së të rinjve.
“(Raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2022: nga 24,0 % në 23,8 %”, thuhet në të dhënat e INSTAT. Ndërsa mosha mesatare është 38,8 vjeç nga 38,2 që ishte më 1 janar 2022.
Nisur nga këto të dhënat shtrohet pyetja se cilën popullsi projektohen dhe ndërtohen stadiumet, kur largimi i shqiptarëve vijon të jetë në rritje.