Departamenti Amerikan i Shtetit dhe organizata Freedom House, brenda një jave, kanë kritikuar ashpër mediat në Shqipëri duke vënë theksin te shantazhi mediatik, gjobëvënia dhe përdorimi i tyre për përfitime ekonomike dhe propaganda politike.

Në raportin e përvitshëm për “Të drejtat e njeriut – 2021”, DASH thekson se “përfaqësues të mediave i përdorën kompanite e tyre për t’u bërë shantazh bizneseve duke kërcënuar me mbulim të pafavorshëm mediatik”. Sipas këtij dokumenti, krahas gjobvënies mediatike, pjesa dërrmuese e pronarëve përdorin televizionet për të përftuar përmes bizneseve të tjera që disponojnë.

Pronarët e bizneseve përdorën lirisht mediat e tyre për të përfituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre te partitë politike. Shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar veprimet e qeverisë në drejtim të bizneseve të tyre. Pati raportime të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave përdorën njësitë mediatike për t’u bërë shantazh bizneseve duke kërcënuar me mbulim të pafavorshëm mediatik”, – thuhet ndër të tjera në dokumentin e Departamentit të Shtetit.

Nga ana tjetër organizata Freedom House thekson se tregu mediatik është monopol i tetë personave. Sipas organizatës pronarët e mediave shantazhojnë dhe diskretitojnë zërat e lirë që kritikojnë interesat e tyre politike dhe ekonomike.

“Afro tetë individë kontrollojnë shumicën e tregut mediatik në Shqipëri dhe i përdorin ato për të lobuar në funksion të interesave të tyre dhe për të ruajtur lidhjet e ngushta me partitë politike. Këto media shantazhojnë ose diskreditojnë ata persona që flasin kundër interesave të tyre ose partive politike që ata mbështesin”, – thuhet në raportin e fundit të Freedom House.

Në këtë dokument ngrihet shqetësimi për “monopolizimin e tregut të medias si një rrezik i madh për pluralizmin dhe pavarësinë e tyre”.

Qëndrimet e DASH dhe Freedom House pasojnë konfliktin në televizionin kombëtar Top Channel mes strukturës së re drejtuese të TV-së dhe ish-autorit të emisionit investigativ Top Story, që degradoi në akuza dhe kundërakuza publike për gjobëvënie të ndërsjellta përgjatë disa viteve.

Por ajo që bie në sy është fakti se pavarësisht se prej muajsh opinioni publik është i ndezur nga diskutimet mbi përdorimin e mediave në mënyra të jashtëligjshme, në raportet e AMA-s, megjithëse monitorohet cdo ditë përmbajtja mediatike e emisioneve dhe lajmeve nuk figurojnë problematikat e gjobëvënies, të reklamave të fshehta, propagandës, etj., që evidentohen në raportet vendase dhe ndërkombëtare.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here