“Fake news prodhohet nga mediat tradicionale!” – Ky ka qenë një nga konkluzionet e studimit të “Digital News Report 2018” i publikuar nga Instituti Reuters. Sipas këtij hulumtimi ku janë anketuar online gjithsej 74 mijë persona në 37 vende të botës, 75% e audiencës beson se përgjegjësia kryesore është e botuesve të medias mainstream, që botojnë këtë informacione që shpesh herë janë të rreme ose të pabesueshme. Megjithëse i bëjnë përgjegjëse, prirja e qytetarëve është që t’u besojnë më shumë një medie me traditë se një portali të sapokrijuar.

Raporti nënvizon se TV-ja tradicionale mbetet ende një burim kryesor, por trendi në rënie i audiencës” ngre pikëpyetje rreth të ardhmes së televizioneve publike e private dhe aftësisë së tyre për të tërhequr audiencat e gjeneratës tjetër”.

Në këtë studim evidentohet dhe një trend në rënie të përdorimit të mediave sociale, fenomen ky që shënohet për herë të parë në dekadën e fundit. Në raport theksohet rënia me 6% në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në Britani dhe Francë. Por paralelisht me këtë statistike, kërkimi i Institutit Reuters ka evidentuar se kjo është shënuar me një rritje të shpërndarjeve të lajmeve në aplikacione, përfshi dhe WhatsApp, Viber e Messenger.

Në konkluzionet e anketimi janë përfshirë për herë të parë edhe gjetje mbi besueshmërinë e “brand-it” mediatik dhe “news literacy”:

Tendeca e medias bashkëkohore: gjetje të sondazhit në 37 vende të botës

1. Rreth 44% e personave të pyetur në vendet e marra në shqyrtim shprehen se besojnë mediat që ndjekin vetë. Ndërkaq, 34% e të anketuarve përgjigjen se ata besojnë lajmet të cilat i gjejnë në motorët e kërkimit dhe më pak se 23% e tyre thekson se besojnë informacionet që i aksesojnë nga rrjetet sociale.

2. Më shumë se 54% e të anketuarve shprehen se ata janë të shqetësuar për informacionet “real” ose “fake” në internet. Ky shqetësim është më i madh në Brazil me 85%, Spanjë 69% dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 64%. Në këto vende situata politike është e polarizuar dhe përdorimi i rrjeteve sociale është relativisht i madh. Ndërkohë në Gjermani (37%) dhe në Holandë (30%), ku së fundi janë mbajtur edhe zgjedhjet, shqetësimi mbi lajmet e rreme ka qenë në nivele të ulta.

3. Pjesa dërrmuese e të anketuarve besojnë se botuesit (75%) dhe platformat mediatike (71%) kanë përgjegjësinë kryesore për të zgjidhur problematikën me lajmet e rreme ose ato të pabesueshme. Sipas tyre, pjesa dërrmuese e lajmeve që kanë problematika të tilla publikohen nga mediat mainstream krahasuar me informacionet e publikuara dhe shpërndara nga kompanitë, bizneset dhe mediat e reja.

4. Opinioni publik në Evropë (60%) dhe në Azi (63%) beson se qeveritë e vendeve respektive duhet të marrin masa për të parandaluar fenomenin e “fake news”. Ndryshe ndodh me qytetarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku vetëm 41% mendojnë se kjo përgjegjësi i takon qeverisë.

5. Për herë të parë kërkuesit kanë arritur të nxjerrin një statistikë nga personat që kanë ndjekur kurset e “news literacy”. Ata që kanë një edukim më të madh mbi dekriptimin e lajmeve preferojnë më shumë gazetat e mëdha në raport me lajmet televizive. Gjithashtu këta persona kanë një qasje tjetër ndaj lajmeve të cilat i marrin prej rrjeteve sociale krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.

6. Në një kohë kur Facebook po përpiqet të përfshijë në algoritmin e tij një metodë anketimi për të kuptuar besueshmërinë e kompanive mediatike, në këtë raport janë publikuar mediat më të besueshme në 37 shtete. Raporti evidenton se qytetarët edhe pse i bëjnë përgjegjëse për fenomenet e fundit, kanë prirje ti besojnë më shumë mediave me një traditë transmetimi krahasuar me ato që kanë marrë famë të menjëhershme ose të mediat e krijuara së fundi në internet.

7. Aplikacionet e kompanive mediatike, email newsletters dhe njoftimet në telefon janë kthyer gjithnjë e më shumë të rëndësishme. Por në disa vende, lexuesit po ankohen se janë bombarduar me shumë mesazhe.

8. Në disa vende mesatarja e personave që paguajnë për lajmet online ka ardhur në rritje. Statistikat më të larta vijnë nga Norvegjia me 4% rritje, Suedia 6% dhe Finlanda 4%. Në vendet e sipërpërmendura numri i botuesve dhe mediave është i vogël dhe pjesa dërrmuese e tyre aplikojnë strategji për lajmet me pagesë. Por në tregjet më të komplikuara dhe me shumë media, informacioni ofrohet falas.

9. Shqetësimet mbi privatësinë kanë ardhur gjithnjë e më shumë në rritje dhe këtë e tregojnë dhe aplikimet e programeve që bllokojnë reklama (ad-blocking software). Më shumë se ¼ (27%)e të anketuarve i përdorin këto programe në çdo pajisje. Vendi që i aplikon më shumë këto programe është Greqia me 42%, ndërsa ai që i përdor më pak është Koreja e Jugut me 13%.

10. Televizioni vijon të mbetet një burim kritikë për shumë të anketuar. Megjithatë rëniet e audiencës të shënuara vitet e fundit ngrenë pikëpyetje rreth të ardhmes së televizioneve publike e private dhe aftësisë së tyre për të tërhequr audiencat e gjeneratës tjetër.

11. Ndryshe nga sa flitet teorikisht audiencat mbeten ngurruese për të konsumuar video-lajme në website dhe apps. Më shumë se gjysma e të anketuarve i konsumojnë video-lajmet në Facebook ose YouTube. Amerikanët dhe Evropianët preferojnë gjithnjë e më pak video-lajme, ndërsa audiencat në Azi kanë një prirje të kundërt.

12. Podcastet po bëhen gjithnjë e më shumë popullore në botë për shkak të përmbajtjes së tyre dhe lehtësisë në shpërndarje. Ato janë shumë popullore në SHBA (33%) gati dyfish krahasuar me Britaninë e Madhe (18%). Audiencat e reja në moshë janë më shumë të prirur për të përdorur podcastet sesa të dëgjojnë radio.

13. Asistentët zanor dixhital si Amazon Echo dhe Google Home po përdoren gjithnjë e më shumë. Aksesi për to është dyfishuar në SHBA, Gjermani dhe Britani të Madhe. Përllogaritet se gjysma e këtyre audiencave i përdorin këto lexues për lajme dhe informacion.

Shënim: Artikulli i botuar në Reuters Institute mban emrin e gazetarit dhe ekspertit dixhital, Nic Newman. Ai është përshtatur në shqip nga MediaLook.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu