Pas diskutimit mbi gjendjen e medias dhe statusin e gazetarit në Shqipëri në takimin e organizuar nga AMA me kërkesë të Komisionit të Medias në muajin maj, në tryezën e krerëve të këtij komisioni ka mbërritur një draft me gjashtë propozime nga shoqatat e gazetarëve, drejtues medias e përfaqësues të botës akademike, ku ndër të tjera parashikohet dhe vendosja e një page minimale për gazetarët.

Drafti i përgatitur pas propozimeve të grupeve të interesit, një kopje të të cilit e zotëron dhe MediaLook, krahas pagës minimale, parashikon dhe përcaktimin e një kontrate tip bazuar në Kodin e Punës si dhe disa kushte për rritjen e transparencës së operatorëve mbi personat e punësuar.

Sikurse thuhet në këtë propozim, “m.q.s profesioni i gazetarit është i parregulluar me ligj, caktimi i pagës minimale mund të realizohet përmes iniciativës së një ministri për t’i bërë një ndryshim, Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 399, datë 3.5.2017 “Për përcaktimin e pagës minimale në bazë vendi”, duke shtuar një parashikim edhe për profesionin e gazetarit dhe duke e arsyetuar bazuar në Nenin 111, paragrafi 2 të Kodit të Punës”.

Gjithashtu, ndryshe nga sa ndodh aktualisht në marrëdhëniet kontraktuale punëdhënës-gazetar, ku kontratat përgjithësisht janë 1-vjeçare me të drejtë rinovimi, bazuar në Nenin 140, paragrafi 2 i Kodit të Punës, është propozuar që kontrata të lidhet për një periudhë të pacaktuar. Në të kundërt, nëse operatori mediatik kërkon një marrëveshje kontraktuale me kohë të kufizuar, ajo duhet të përmbajë dhe arsyet objektive.

Meqenëse Operatorët Mediatik shpesh herë shfrytëzojnë gazetarët, moderatorët por dhe punonjësit e teknikës e postproduksionit duke i ngarkuar me punë përtej sektorit të tyre, drafti i kërkon mediave që në kontratat e punës të specifikohet përshkrimi i punës, si një nga elementët bazik të kodit të punës.

Një tjetër pikë që përbën një risi në këtë draft është ndryshimi i një prej dispozitave të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” (të ndryshuar), ku Operatorët Mediatik detyrohen të publikojnë në faqen e tyre zyrtare në internet listën e gazetarëve të punësuar pranë tyre.

Propozimet e dërguara Komisionit të Medias u parashtruan në vija të gjera gjatë tryezës me temë: “Rregullimin ligjor në marrëdhëniet e punës së gazetarëve në transmetimet audiovizive”, organizuar nga Komisioni për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, më 11 Maj 2018. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Operatorët Mediatik, shoqatat dhe grupimet e gazetarëve, ekspertë të medias, përfaqësues nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës si dhe ekspertë të institucioneve shtetërore që mbulojnë aspekte të punësimit.

Panoramë e “zymtë” në media, UGSH: gazetarët pa kontrata, ka censurë dhe vonesa pagash

Propozimet në Komisionin e Medias, mbërrijnë në një kohë kur situata mediatike në vend paraqitet shumë e “zymtë”. Aktualisht në mediat shqiptare janë të punësuar afro 6 mijë e 200 punonjës, nga të cilët vetëm 2 mijë e 600, ose 1/ 3 e tyre janë gazetarë me kohë të plotë nëpër redaksi, ku një pjesë e madhe e tyre nuk kanë kontrata pune, as individuale as kolektive me pronarët.(Zëri Amerikës)

Në raportin e fundit të publikuar në muajin Prill, për katër mujorin e parë të 2018-ës, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë evidentoi se gjatë kësaj periudhe “62 gazetarë kanë humbur vendin e tyre të punës për “kapriço” të punëdhënësve, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm reporterësh dhe punonjës të mediave nuk kanë marre pagën e tyre për muaj me radhë”.

Sipas raportit të UGSH-së, ankesa për pagat e vonuara kanë ardhur nga korrenspodentët e mediave qendrore e lokale, ndërsa janë evidentuar disa problematika kryesisht nga televizionet Vizion Plus, Klan e gazeta Panorama Sport.

Unioni i Gazetarëve ka denoncuar dhe një politikë bojkoti të pronarëve të medias ndaj raportimit të të dhënave mbi punonjësit e tyre për organizatën që mbron të drejtat e gazetarëve. Sipas kreut të tij, Aleksandër Çipa kjo nuk është gjë tjetër veçse censurë. Sipas tij gazetarët janë aq shumë nën presion dhe nën censurë sa nuk guxojnë të pasqyrojnë as raportet vendase dhe ndërkombëtare mbi shkeljen e lirisë së fjalës, madje ata bojkotojnë edhe mbledhjet ku trajtohen me shqetësim vështirësitë dhe mungesat minimale në punën e vet reporterëve.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu