Në këtë epokë të fake news dhe të teorive të konspiracionit, ekonomia e vëmendjes po bëhet ekonomi e dezinformimit, thotë Stephan Russ-Mohl.

Përdorimi i trolls-eve të internetit dhe i bot-eve sociale i verifikuar gjatë zgjedhjeve në Gjermani përbën shembullin më të fundit se si lajmet e rreme (fake news) po përdoren për të patur një impakt ndaj demokracisë. Shkrime që pretendonin për manipulim të votimit, duke synuar mobilizimin e votuesve të krahut të djathtë u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale gjatë 24-orëshit të fundit përpara zgjedhjeve të shtatorit 2017.

Duke sfiduar rolin e gatekeeping në gazetari, është bërë më e lehtë për matrapazët e lajmeve të rreme, për teoritë e konspiracionit dhe për dezinformimin që të tërheqin vëmendjen publike. Si rrjedhim, ekonomia e vëmendjes po shndërrohet me shpejtësi në ekonomi të dezinformimit

Ekonomia e dezinformimit

Korniza teorike për analizën e ekonomisë së dezinformimit u ofrua në origjinë nga të paktën tre shkencëtarë të shkencave sociale. Në prag të mijëvjeçarit të ri, përpara se interneti dhe dixhitalizimi të ndërhynin në biznesin tradicional të lajmit, Georg Franck publikoi konceptin e tij të Ekonomisë së vëmendjes, i ndjekur më pas nga Thomas Davenport dhe John C. Beck.

Franck vuri në dukje se si institucionet, si dhe politikanët, drejtuesit e bizneseve, artistët, sportistët dhe personat VIP po bëhen gjithnjë e më të etur për vëmendje publike. “Personat VIP përfitojnë miliona prej vëmendjes. Fama është një nga format më të bukura të përfitimeve tokësore, pasi ajo të siguron në të gjallë por edhe pas vdekjes statusin e një përfituesi të lartë të vëmendjes”, shkruan Franck. Ai shton: “Sa më e pasur dhe më e hapur të jetë një shoqëri, aq më e hapur dhe më e kushtueshme bëhet lufta për vëmendje”.

Rritja e konkurencës për vëmendje e ka ndryshuar diskursin publik, shkruan Franck. Përballë kapitalizmit të dikurshëm material ai sheh të shfaqet një kapitalizëm i ri mental. Franck paraqet një cikël të dytë biznesi që gjithnjë e më shumë po anashkalon dhe tejkalon shkëmbimin tradicional të mallrave dhe të shërbimeve për parả. Sipas Franck, në ekonominë e vëmendjes informacioni gjithnjë e më shumë po përdoret për tërheqjen e vëmendjes publike.

Ekonomia e vëmendjes është formësuar prej rritjes së shpejtë dhe profesionalizimit të industrisë së marrëdhënieve publike. PR-i i ofron klientit të vet vizibilitet publik. Gazetaria ndërkohë humbi në besueshmëri dhe nuk ishte më në gjendje të shfaqte supremacinë e vet ndaj “industrisë furnizuese” – përkatësisht ndaj ekspertëve të PR të cilët jo vetëm që ofrojnë falas lajmet për gazetarët, por gjithashtu e “sheqerosin” botën sipas interesave të klientëve të vet.

Furia dixhitale dhe rrjetet sociale po kërcënojnë gjithashtu edhe besueshmërinë e gazetarisë.

Konsumatorët e lajmit të trullosur prej morisë së zgjedhjeve

Gjithsesi, ajo që gjendet me bollëk e humbet vlerën. Njëlloj siç torturojmë ne vehten për të marrë një vendim mes llojeve pafund të çerealeve, po ashtu edhe rrjedha e lajmeve na trullos ne si konsumatorë të lajmeve. Ekonomistët në këtë rast flasin për Paradoksin e Zgjedhjes.

Gjithnjë e më shumë përdoruesit presin që lajmet më të rëndësishme t’i gjejnë ata. Duke qenë pasivë, ata e lënë përzgjedhjen e lajmeve në dorë të rrethit të miqve të tyre dhe të algoritmeve të Facebook dhe Twitter.

Gjigandët e IT rrëmbyen të ardhurat e kompanive të vjetra të mediave

Dixhitalizimi ka vënë nën presion ofruesit tradicionalë të lajmeve. Kufijtë e të ardhurave nga reklamat po shuhen. Gjigandët e IT kanë rrëmbyer rrjedhën kryesore të të ardhurave të kompanive të vjetra të medias: Falë motorrëve të kërkimit dhe rrjeteve sociale, reklamuesit mund t’i arrijnë vetë dhe drejtpërdrejt grupet e targetuara. Shumica e të ardhurave nga reklamat online tek të cilat shpresonin kompanitë e mediave tradicionale, tani po gjenerohet nga Google, Facebook, e kompani.

Gjithkush që është rritur me informacion falas në internet, e ka të vështirë të paguajë për gazetarinë. Për sa kohë që shumica e njerëzve nuk arrijnë të shohin se ç’luhet në prapaskenën e operacioneve mediatike, cilësia e gazetarisë nuk është gjithnjë  e dukshme për përdoruesit. Kësisoj, nga ana e blerësit ekziston një  mungesë e ndërgjegjësimit për cilësinë, e cila shpesh përkthehet në mungesë vullneti për të paguar.

Krahas kësaj, shumica e redaksive po shkurtojnë kostot. Redaktorët kanë hequr dorë nga abonimet në agjensitë e lajmeve sepse gjithçka në internet është “falas”. Dhe shumë menaxherë të medias mendojnë se stafi editorial duhet shkurtuar, ngaqë redaksitë e lajmeve janë plot me deklarata shtypi të cilat mund të transformohen në “gazetari” vetëm me disa komanda “copy-paste”. Edhe gazetarët freelance po paguhen më shumë me vëmendje se sa me parả: a nuk është nder të shkruash për TagesspiegelSüddeutsche Zeitung, The Times apo për Huffington Post?

Dobësimi i gazetarisë është shfrytëzuar për të manipuluar audiencat me propogandë apo për të fituar parả përmes fake news. Për ta kthyer ekonominë e vëmendjes në një ekonomi të dezinformimit, po bëhet ekonomikisht apo politikisht me përfitim për një numër gjithnjë e më të madh aktorësh që të tërheqin vëmendjen përmes fake news, përmes gjysëm-të-vërtetave dhe propogandës.

Gjithashtu prodhimi i fake news kushton shumë më pak se sa lajmet “reale” dhe shpesh qarkullon në mënyrë virale.

Për shkak të përhapjes së shpejtë të këtyre llojeve të lajmeve të rreme, përpjekjet dinjitoze për verifikim të fakteve dhe për të nxjerrë në dritë të vërtetën, mund të dështojnë lehtësisht. Për pasojë, gjithnjë e më shumë aktorë  që qëndrojnë në ballë të gazetarisë po shtrojnë çështjen nëse, në këto kushte ia vlen akoma që të mbështetemi tek sistemi i vjetër i rregullave të gazetarisë që bazohet tek raportimi i fakteve dhe tek kërkimi serioz i së vërtetës.

Nëse nuk do t’i kushtojmë vëmendjen e duhur dhe nuk mobilizojmë forcat kundërvepruese, atëhere do të jetë vetëm një hap larg që të kalohet nga ekonomia e dezinformimit në një shoqëri të dezinformuar.

Ky artikull është botuar në EJO Albania.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu