“Fake news”, termi i përdorur gjerësisht nga kandidati republikan dhe më pas Presidenti Donald Trump në SHBA, u shpall nga fjalori i mirënjohur “Collins” si fjala e vitit 2017. Shpjegimi që gjuhëtarët i dhanë këtij koncepti, që përbën dhe një nga problematikat kryesore me të cilat përballen mediat sot në botë ishte:

Fake news – Informacion i rremë, shpesh herë sensacional, i përhapur gjerësisht në formën e një lajmi. (Burimi: Fjalori Collins)    

Sigurisht, në shqip, termin “Fake news” ne e gjejmë shkurtimisht të përkthyer si “lajm i rremë” dhe kjo është një përshtatje e saktë. Megjithatë, edhe sinonimi “kazan”, i përdorur nga kryeministri Edi Rama për të përshkruar mediat tradicionale dhe ato online, më duket po kaq i përshtatshëm. Kjo jo vetëm i ndikuar nga ngjashmëritë e rrethanave, ku të dyja konceptet janë artikuluar nga politikanët më të rëndësishëm të momentit në SHBA dhe në Shqipëri në luftën e tyre me median, por edhe për shkak të një prej kuptimeve që fjala “kazan” mban në fjalorin tonë:

Kazan – Vendi ku zhvillohet vazhdimisht një veprimtari e ethshme, ku zien lufta e mendimeve etj.; vendi ku përpunohet një mendim për të mashtruar të tjerët, burimi nga lind dhe përhapet një trillim, një shpifje etj. (Burimi: Fjalori i Gjuhës Shqipe)

Nga një kërkim i thjeshtë në “Google trends”, gjatë 12 muajve të fundit në Shqipëri, fjala “kazan” është përdorur 1320 herë në faqet web që njeh ky motor kërkimi.

Sa më sipër, nëse do të gjykojmë sipas një koncepti të shkencave ekzakte, duke përdorur shkallën e zvogëlimit të ndikimit të liderit dhe territorit që ai drejton, duhet thënë se ashtu si “Fake news” pati një popullaritet të gjerë në SHBA e përtej, kjo edhe për shkak të gjuhës, etiketimi “kazan” gëzoi një popullaritet jo të vogël, në territorin shqiptar, e, madje, dhe në disa media në trevat shqipfolëse.

Pra, me shkallë zvogëlimi, rezulton se përplasja në distancë Rama-Trump përfundon në barazim.

Të njëjtin parim, atë të shkallës së zvogëlimit, përdori kryeministri edhe në Prill të 2016-ës, kur teksa komentonte kandidatin republikan për president në SHBA, në intervistën me gazetarin Richard Quest në CNN, tha që “Dhasht Zoti, z.Trump nuk zgjidhet President”!

Ups! Megjithatë, gara në distancë vijoi…

Duke patur parasysh kazanët mediatik vërdallë, Edi Rama është kryeministri i parë në vendet me demokraci hibride dhe të konsoliduar, që hap televizionin e tij në Facebook, të pagëzuar me emrin ERTV. Themelimi i këtij televizioni online mban zyrtarisht datën 25 Mars 2017.

Shembullin e Ramës e ndoqi dhe Presidenti Amerikan Donald Trump, afro katër muaj më vonë (30 Korrik 2017). Megjithatë, ky i fundit nuk pati mjaftueshëm këllqe sa të themelonte një televizion me parametrat dhe teknologjinë e kryeministrit shqiptar dhe u kënaq me një program të njohur si “Real news update”, i cili në SHBA njihet si Televizioni Trump.

Koha e dha verdiktin e saj!

“Real news update” jo vetëm që nuk transmetohet në televizionet tradicionale si CNN, FOX, CBS, NBC, ABC, etj., dhe shtypin e shkruar në formatin e tyre online, si New York Times, Washington Post, etj., por është kritikuar gjerësisht nga këto media si një transmetim që synon ti imponohet opinionit publik duke bërë propagandë.

Ndërkohë, në Shqipëri, situata duket më optimiste… për ERTV-në!

Takimet e kryeministrit, fjalimet e tij, video-kronikat, intervistat, çdo aktivitet që pasqyrohet në televizionin Edi Rama TV transmetohet, me përjashtime të vogla, në të gjitha televizionet me licencë kombëtare e private, madje edhe në televizionin publik. Këto kronika radhiten në krye të edicioneve informative, ndërsa televizionet 24-orëshe i transmetojnë edhe në kohë reale. Ditët e fundit kryeministri shtoi stafin në televizionin personal ERTV e bashkë me të dhe dy rubrika të reja: Intervistën dhe lajmin ekskluziv!

Madje, në njoftimet që u vijnë gazetarëve nga ministrat e kabinetit të tij, theksohet se interpelanca e këtij apo atij ministrit mundësohet me sinjal të ERTV-së! Pra, së fundi, ERTV-ja na vjen dhe si shtëpi prodhimi, me infrastrukture e sinjal bashkëkohor…

Për çudi, edhe pse televizionet transmetojnë me orë të tëra materiale nga ERTV-ja, kreu i qeverisë vijon ti etiketojë ata “kazane” mediatike!

Pra, kryeministri Rama dhe produktin e tij e cilëson “kazan”, një shpifje! (sipas fjalorit të gjuhës shqipe)

Megjithatë, kjo ka pak rëndësi! Ajo që vlen është fakti se “kazani” i Ramës është ku e ku krahasuar me “Fake” apo “Real news-in” e Trumpit…

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu