Në 20 tetorin e 2023-it Skënder Gjinushi u rikonfirmua në detyrë si kryetar i Akademisë së Shkencave në mungesë të transparencës me opinionin publik dhe pa praninë e mediave, Gjinushi mori 51 vota pro dhe vetëm dy kundër.

Votimi i rikonfirmimit në detyrë të Skënder Gjinushit ngjason me atë të vitit 2019 kur ai erdhi për herë të parë në krye të Akademisë së Shkencave. Ndërsa zëvendëskryetar u rizgjodh Vasil Tole, po i njëjti në 2019.

Megjithëse, sipas rregullores së Akademisë së Shkencave data e votimit parashikohet të caktohet 30 ditë para mbarimit të mandatit të kreut të këtij institucioni, Akademia e Shkencave preferoi që ta realizojë procesin pa bërë asnjë njoftim publik dhe pa lajmëruar mediat.

Nga ana e tij, Gjinushi duke folur për gazetarët tha se ligji ia jep këtë të drejtë që të marrë një mandat të dytë.

Secili ka kandidat ka në dorë veten e vet. Gjithkush nga Akademikët kanë qenë i ftuar dhe jo vetëm se ligji ta jep të drejtën. Në një shoqëri demokratike, lejohet kandidimin e lirë, kur pengohet është problem. Garë është se votohet po jo. Vazhdoni i bini një kambanë. Dinë se ç’bëjnë 53 akademikë. Mos bëni sikur jeni më të mençur se 53 akademikët”, u shpreh ai pas rizgjedhjes në krye të ASH-së.

Por nga rrjedh procedura e zgjedhjes së Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave duke marrë një mandat të dytë e duke u çimentuar në drejtimin e këtij institucioni. Gjithçka nis në janarin e vitit 2023, kur deputetët socialistë Ismet Beqiraj dhe Petro Koçi propozuan në Kuvendin e Shqipërisë një ndryshim ligjor për Akademinë e Shkencave. Ndryshimi parashikonte që t’i hapte rrugën rizgjedhjes së kryetarit Skënder Gjinushi për një mandat të dytë, siç edhe rezultoi

Një vit më parë, në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit kryeministri Rama nuk ngurroi që të deklaronte hapur mbështetjen për Gjinushin.

Falë reformës së vitit 2019 e cila u realizua nën një ndërveprim të udhëhequr nga Akademia e Shkencave dhe përsëri edhe kjo u realizua në lidershipin e Skënder Gjinushit, imagjinojeni sa domethënëse është kjo. Përsëri duhet dikush i asaj kohe akademike që të garantojë këtë kohë kaotike me shpresën që do të kemi dhe ne kohën tonë akademike. Sot Akademia nga një vend i pashpresë përshpirtjesh, ku mbledhjet më të rëndësishme ishin ato që i jepnin lamtumirën ndonjërit që ikte në botën tjetër është kthyer në një hapësirë që po mbillen fidanët e të nesërmes”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit në 10 tetorin e vitit 2022.

Duke iu referuar mënyrës së rizgjedhjes së Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave përmes manovrimeve ligjore dhe mbështetjes politike të mazhorancës socialiste, akademiku i njohur Apollon Baçe shprehet se rizgjedhja e Gjinushit në krye të këtij institucioni është bërë sipas interesave që favorizojnë kryeministrin Edi Rama.

Për këtë, ai solli në vëmendje rastin e ish-kreut të Akademisë së Shkencave Gutar Beqiraj që sipas Baçes u hoq nga ai post se nuk i pëlqente Edi Ramës dhe tashmë Gjinushi një figurë e afërt me të rimerr drejtimin e Akademisë.

Dikur ka qenë që mund të qëndroje të sa të doje. Të gjitha ndryshimet te ne nuk bëhen për parime. Por bëhen domethënë ngaqë ty të pëlqen një individ i caktuar apo nuk të pëlqen një individ i caktuar në këtë.

Kur u kufizua mandati, më parë, ishte se nuk i pëlqente Ramës Gutar Beqiraj dhe e ndryshoi, madje për pak mbylli edhe Akademinë komplet. Politika nuk duhet të përzihet me Akademinë”, u shpreh akademiku Baçe i pyetur posaçërisht në kuadër të këtij shkrimi.

Megjithëse ligji për Akademinë e Shkencave pa ndryshimin që parashikonte se një akademik nuk mund të drejtonte këtë institucion më shumë se një mandat, deputetët socialistë u angazhuan duke propozuar që të shfuqizohej kjo dispozitë e ligjit.

Heqja e termit “por jo radhazi” që lejonte që një kryetar të kishte jo më shumë se një mandat vijues tregoi se ishte një ndryshim në ligj me qëllimin për të mbajtur edhe për një mandat tjetër, Skënder Gjinushin.

Po në nenin 11, pika 4, riformulohet si bashkim i pikës 8 dhe 9 duke shtuar ne fillim të fjalisë së parë, togëfjalshin “Kryetari dhe”, si dhe hiqet nga fjalia e dytë, togëfjalshi “por jo radhazi”, si vijon: “4. Mandati i Kryetarit dhe zëvendeskryetarit është 4 vjet, ndërsa ai sekretarit shkencor dhe drejtuesve të seksioneve është 5 vjet”, thuhet në propozimin për ndryshime në ligj, një propozim që bart edhe gabime të theksuara drejtshkrimore.

Madje ndryshimet ligjore shkuan deri aty sa ndryshuan edhe kufizimi i moshës deri në 75-vjeç, duke i hapur rrugën edhe në këtë drejtim rizgjedhjes së Gjinushit.

“…ligji nuk përfshin më kategorinë e akademikut të përhershëm, duke iu dhënë akademikëve mbi 75 vjeç; statusin Emeritus dhe duke i çliruar ata nga disa detyrime institucionale të pjesëmarrjes në veprimtarinë e Akademisë”, shkruhet në relacionin shpjegues të dorëzuar për ndryshimet në ligjin për Akademinë e Shkencave.

Gjithashtu, në relacionin që shoqëron propozimin për shtesat në ligjin e Akademisë së Shkencave nuk jepen shpjegimet e duhura se përse nevojiten të tilla të ndryshime teksa ka qenë vetë mazhoranca socialiste ajo e cila miratoi këtë ligj katër vite më parë me pretendimin për të reformuar Akademinë e Shkencave.

Nisur nga ndryshimet e kryera posaçërisht në ligjin që i shtroi rrugën Skënder Gjinushit për t’u rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave, akademiku Apollon Baçe nënvizon se ligji është përdorur sipas interesave të caktuar dhe politika ka futur hundët në shkencë.

Politika është politikë, shkenca është shkencë. Këto janë manipulimet që ti e përdor ligjin, heq atë që nuk të duhet dhe pastaj kur është ai tjetri që të duhet t’i bën një ligj tjetër. Kjo dëften se si bëhen ligjet te ne”, shpjegoi Baçe.

Me anë të këtij ligji, në vitin 2018, në krye të Akademisë së Shkencave u soll Skënder Gjinushi, ish-kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe tashmë një politikan në pension. Zgjedhja e tij u refuzua nga presidenti i asaj periudhe Ilir Meta duke mos e lejuar as të betohej në Presidencë. Me forcën e kartonëve, socialistët ndryshuan ligjin duke bërë që Gjinushi të betohej në Kuvend dhe jo para kreut të shtetit shqiptar.

Mazhoranca socialiste e përdori sërish forcën e kartonëve për të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë edhe shtesat e propozuara në ligj nga deputetët e PS-së Ismet Beqiraj dhe Petro Koçi duke i hapur rrugën rizgjedhjes në krye të Akademisë së Shkencave, ish-politikanit Skënder Gjinushi.

Ndërkohë mandati i Skënder Gjinushit kishte përfunduar dhe me ligjin që vijonte të ishte në fuqi ai nuk kishte të drejtë të rikandidonte.

Për këtë arsye, Gjinushi mbante pezull datën e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave duke pritur të kryheshin ndryshimet ligjore në favor të tij për të bërë të mundur rizgjedhjen në krye të Akademisë.

Në mëngjesin e së premtes kur ora shënonte 5:00 e 21 korrikut 2023, shumica socialiste votoi ligjin e shumë-kontestuar që i jepte mundësinë Skënder Gjinushit që të rizgjidhej për një mandat tjetër në Akademisë së Shkencave, megjithëse ishte kundërshtuar më parë në komisione nga deputetët e opozitës.

Po ndërhyni në garë që t’i jepni një mandat të dytë Gjinushit, Kuvendi po bëhet vegël e ambicieve personale të një individi,” tha deputetja e PD-së, Ina Zhupa, relatorja e e opozitës për këtë projektligj.

Madje, mazhoranca shkeli Rregulloren e Kuvendit duke e futur në rend dite ndryshimet e ligjit për Gjinushin kur ndërkohë nuk kishin kaluar as 48 orët.

Me gjithë kërkesat dhe letrat dërguar nga akademikë të njohur në vend si Artan Fuga dhe deputetë të opozitës, të cilët bënin thirrje presidentit të vendit që të mos dekretonte ndryshimet në ligj, kreu i shtetit, Bajram Begaj dekretoi edhe rizgjedhjen e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave më 30 tetor 2023.

Skënder Gjinushi nuk është i njohur vetëm për rizgjedhjen në krye të Akademisë së Shkencave përmes kalkulimeve politike dhe ligjore por edhe si një akademik që nuk njeh autorët të cilët i citon nëpër konferenca të ndryshme ose më saktë nuk është i informuar nëse autorët që citon janë të vërtetë apo jo. Kështu ndodhi në nëntorin e vitit të kaluar kur Skënder Gjinushi citoi një autor të huaj (që në fakt nuk ekziston) në 50-vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Drejtshkrimit.

Gjinushi citoi një gjuhëtar të huaj, Manuel Zrinzo Caruana (emër i shpikur) thuhet se është një maltez “antropolog, politolog dhe burrë shteti”, sipas të cilit ka një lidhje mjaft të rëndësishme mes unifikimit të gjuhës, si Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972, me ekzistencën e shtetit të fortë.

“….studiuesi Emanuel Karuana, gjuhëtar dhe antropolog, në librin e tij Shteti dhe drejtshkrimi, i ka renditur qartazi faktorët shtetërorë, si faktorë përshpejtues në njëjësimin gjuhësor, veçanërisht në Evropë, pasi asnjë gjuhë nuk është vetënormësuar,” deklaroi Gjinushi në fjalën e tij, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, madje ky i fundit pati deklaruar se qenia në krye të Akademisë së Shkencave e Skënder Gjinushit, ia ka hequr atij alergjinë që kishte ky institucion. (shiko videon në minutën e 10-të)

Por autori dhe libri i tij, të cilit iu referua Gjinushi nuk ekziston por është një personazh i trilluar në blogun kolektiv “Peizazhet e Fjalës” nga blogeri Gjeto Bashari, (pseudonim i një autori që merret me gjuhësi).

Kjo shkaktoi një habi dhe shokoi akademikët e studiuesit për paaftësinë e kreut të Akademisë së Shkencave për të respektuar parimet e botës akademike, duke nisur nga citimi dhe verifikimi i burimit.

Referuar figurës së Skënder Gjinushit të rizgjedhur në krye të Akademisë së Shkencave, akademik Apollon Baçe theksoi se “Akademia do dy gjëra, e do edhe shkencëtar, e do edhe menaxhues.  Çështja është ky njeri a ka ide apo jo? Por politika këtu te ne, gjithnjë mundohet të vendosën njeriun e vet.

Por pavarësisht të gjithë atyre që renditëm më lart duke përfshirë edhe gafën akademike, Skënder Gjinushi drejton Akademinë e Shkencave prej 24 majit 2019 ndërsa mori edhe një mandat të dytë përmes mbështetjes politike të mazhorancës duke ndryshuar ligjin posaçërisht për të.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu