Krisja e marrëdhënieve mes “Top Channel” dhe qeverisë “Rama 2” e shënoi “kurbanin” e parë: Drejtorin e Informacionit e njëherësh drejtuesin e emisionit “Top Story”, Sokol Balla.
Ky nuk është një lajm i ri!
Sa herë ka rotacion politik apo ndryshim interesash ekonomikë, pronarët e mediave presin kokat e drejtuesve të informacionit. Rastet më të freskëta për memorien e opinionit publik janë largimet e Armand Shkullakut nga posti i Drejtorit të Lajmeve në ABC News, kur ky televizion ishte në kulmin e një “sulmi frontal” me qeverinë apo dhe shkarkimi që pronari i MAPO-s i bëri ish-Drejtorit, Alfred Lela, i cili kishte qenë kritik ndaj qeverisë, ndonëse punëdhënësi i tij kish kohë që kishte ndërruar kurs.
Sigurisht, të gjitha rastet në fjalë kanë nevojë për analizë, por ajo bëhet e domosdoshme po të marrim parasysh faktin se këtë radhë “koka e prerë” ishte e drejtuesit të lajmeve të një televizioni kombëtar si Top Channel, një biznesi privat por që administron një frekuencë që është pasuri publike.
Zhurma mediatike që trazon opinionin është legjitime, por po aq janë dhe vendimet e Bordit të Drejtuesve në Top Channel, për sa kohë që edhe vetë Gjykata Kushtetuese e ka certifikuar me vulën e saj përqendrimin e aksioneve në një dorë të vetme edhe për mediat kombëtare.
Kemi legjitimuar edhe de juro monopolin mediatik!
Tashmë po ndjejmë dhe do të ndjejmë pasojat e këtij vendimi që prek pazgjidhshmërisht opinionin, interesin publik dhe demokracinë në vend.
Duket e habitshme sesi ky monopol të jetë legjitimuar nga organi më i lartë i drejtësisë, Gjykata Kushtetuese, arsyetimet e të cilit përdoren dhe si referencë për çështje të ngjashme.
Në këtë vendim Kushtetuesja shfuqizoi paragrafin e mësipërm, i cili parashikonte që “asnjë person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, nuk të ketë më shumë se 40 për qind të kapitalit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare, që zotëron një licencë kombëtare për transmetimet audiovizive”.
Kjo do të thotë se një person i vetëm, mund të ketë sot në Shqipëri 100% të aksioneve të një televizioni kombëtar, duke i hapur rrugë përqendrimit të kapitalit në një dorë të vetme, pra monopolit mediatik.
Vendimi në fjalë është paralajmëruar kohë më parë si problematik nga institucionet ndërkombëtare, konkretisht në raportin e Komisionit Europian për vitin 2016, por edhe ng`a gazetarë, opinionistë e universitarë, por zëri i tyre ra në “vesh të shurdhët”…
Por cili ishte arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese, dhe këtu do të ndalem jo te analiza ligjore por te ajo mbi median si biznes dhe interesin publik të trajtuar nga trupa gjykuese, që çoi në këtë vendim 28 faqesh, me hapësirë 1.5 mes rreshtave (sipas modelit standard të vendimeve të gjykatës).
Në parantezë, më lejoni të bëjë një kapërcim logjik e kohor për të thënë se, nëse Jurgen Habermas (themelues i konceptit të hapësirës publike) apo Walter Lippman (i njohur si themelues i gazetarisë moderne) do të lexonin arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese mbi “Pretendimin për mungesën e interesit publik”, fytyra e tyre do të qeshej për argumentin gati gati naiv ndërsa jepet një ekstrakt mbi përkufizimin e medias.
Ja sesi përshkruhet rëndësia e medias në shoqëri në pikën 22 të këtij vendimi:
Gjykata i ka vënë theksin edhe pozicionit të “privilegjuar” të medias në një shtet demokratik, duke u shprehur: “…Është pikërisht ajo që e bën pushtetin shtetëror më të prekshëm për njerëzit, më të kontrollueshëm dhe më transparent. Media ndikon që individët e angazhuar në të tria pushtetet, si persona të zgjedhur apo zyrtarë, të kenë disa cilësi të reja. Ata janë më afër me median, më të komunikueshëm me njerëzit, më të kujdesshëm në përmbushjen e detyrave dhe të funksioneve të tyre, si dhe në jetën e angazhimet e tjera shtetërore e private. Media është gjithashtu një bazë e rëndësishme për të kontrolluar dhe gjykuar se si funksionarët e veshur me pushtet ushtrojnë autoritetin publik dhe si i menaxhojnë fondet publike. Garantimi i lirisë së medias, ndër të tjera, zvogëlon mundësinë e manipulimeve me pushtetin publik, si dhe nxit identifikimin e rasteve korruptive. Arma e saj më e fuqishme është kritika e vazhdueshme ndaj dukurive negative që rrezikojnë demokracinë, si formë e qeverisjes” .
Më pas vijohet me citimin e paragrafëve nga vendime të GJEND-së, lidhur me çështjet: “Manole dhe të tjerët kundër Moldovës, vendim i datës 17 dhjetor 2009, §.99-100; dhe çështjen Europa Qendrore 7.S.R.L dhe Di Stefano kundër Italisë, vendim i datës 7 qershor 2012”.
Një gjykim i tillë semplist, ku media ngrihet në piedestal si pushteti i drejtë e pakorruptuar që monitoron tre pushtetet e tjera, është rrëzuar në kohë dhe nga koha!
Që nga Walter Lippman-i në SHBA-në vitin 1920 e deri në ditët e sotme, dihet që “mediat janë instrumente transparence, shumë të dobishme, që duhet të garantojnë:
– Informimin e drejtë të qytetarëve;
– Diskursin për çështje me interes publik;
– Monitorimin e tre pushteteve të tjera;
Por, në të njëjtën kohë mediat mund të jenë dhe mjete propagande e manipulimi që dëmtojnë opinionin publik…”
Këtë të fundit, pra prirjen që media të orientohet drejt propagandës për qëllime dhe interesa të caktuara, trupa e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm që nuk e përmend në asnjë rast, por përkundrazi, me këtë vendim, që i hap rrugë përqendrimit të aksioneve te një njeri i vetëm, krijon terrenin e përshtatshëm për manipulimin e opinionit përmes mediave kombëtare.
Sot, ka me qindra studime në vend e në botë që e evidentojnë me të madhe rrezikun e manipulimit të opinionit nga drejtuesit e mediave, nga “Propaganda” i Edward Bernays te “Public Opinion” i Walter Lippman, “Manufacturing Consent” i Noam Chomsky & Edward Herman, “Mediamorfoze dhe metakomunikim” e “Komunikim në shoqërinë masive” nga Artan Fuga dhe një kolanë e gjerë kërkimesh shkencore e doktoraturash që janë publike në internet, librari, Librin Universitar, etj…
Së dyti, referuar”pretendimit për cenimin e parimit të proporcionalitetit”, Gjykata kushtetuese në gjithë frymën e saj analizon mediat audiovizive me licencë kombëtare si biznese të mirëfillta dhe në asnjë moment nuk evidenton faktin që këto biznese private administrojnë një të mirë publike si spektri i frekuencave. Në këtë vendim nuk vihet aspak theksi te kontrata e mediave kombëtare me qytetarin shqiptar (i përfaqësuar institucionalisht nga AMA), të cilit i detyrohet një informim të drejtë (parim kushtetues) dhe jo një raport biznesi i mirëfilltë “unë shes- ti blen”…
Por, edhe në këtë pikë, duke peshuar argumentet sipas “parimit të proporcionalitetit”, Gjykata Kushtetuese, ka arsyetuar se peshorja anon nga ana e pronarëve të medias, të cilëve u cenohet sipërmarrja private dhe jo publikut. Pra, mes interesit privat dhe atij publik, Kushtetuesja u shpeh në favor të privatit.
Së treti, vendimi i Kushtetueses thekson monopolin në panoramën mediatike në Shqipëri, në një kohë kur gjithë procesi kapitalit të mediave kombëtare, duhej orientuar drejt decentralizimit. Ligjvënësit dhe ligjzbatuesit duhet të kujdeseshin për përmirësimin e mekanizmave që i shpërndanin aksionet e pronarëve të mediave, që edhe me formulën e vjetër rezultuan të dështuara, pasi aksionet (40-40-20%) ndaheshin brenda familjes ose rrethit të ngushtë shoqëror.
Së katërti, në vendimin e Gjykatës i “tërhiqet veshi” ligjvënësve që kanë propozuar kufizimin e aksioneve për mediat kombëtare, pa paraqitur një ekspertizë apo studim ku argumentohet kërkesa.
Pretendimi është në kufijtë e qesharakes pasi, siç evidentuam më sipër, trupës së gjyqtarëve u mjaftonte konsulenca e një eksperti, ose thjesht dhe vetëm një kërkim në Google, në Bibliotekën Kombëtare ose një e-mail pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin Histori-Filologji në UT, për të marrë kopje të tëra të punimeve shkencore, konferencave, doktoraturave të cilat trajtojnë çështje të tilla mbi pronësinë e medias, rolin në shoqëri, propagandës mediatike, risitë dhe rreziqet e mediave të reja, etj… me argumente të specializuara që mund të përfshiheshin edhe në vendimin e Gjykatës, e mbase të ndërronin edhe logjikën e arsyetimit.
Por as kjo nuk u krye! Ndoshta edhe Kuvendit (me mosparaqitjen, sipas Gjykatës, të ekspertizës); operatorëve mediatik, madje, dhe vetë AMA-s i shkonte për shtat një vendim i tillë i Gjykatës.
Për habi, ajo që ra në sy gjatë këtij procesi, ishte fakti që edhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, i cili është institucioni që ngarkohet nga ligji për të mbrojtur interesin publik, si një palë e interesuar në proces u rreshtua përkrah kërkesës së Shoqatës së Mediave Elektronike, pra interesit privat, me argumentin se ligji për median, edhe pa paragrafin 3 të tij, ka mekanizma për parandalimin e situatave monopol në treg.
Por, përkundër pretendimeve të AMA-s, realiteti në tregut mediatik tregon se publiku dhe çështjet me interes publik po gjejnë gjithnjë e më pak hapësirë në mediat kombëtare.
Humoret dhe interesat e pronarëve të medias do vijojnë të “presin kokat” e gazetarëve, ndërsa këta të fundit do vazhdojnë të mbeten shërbyes të tyre…, e jo të interesit publik!