Pasi dështoi tentativa për të miratuar “paketën antishpifje” e prezantuar në publik si një përpjekje për të luftuar fake news, Kuvendi ka ngritur Komisionin e Posaçëm Parlamentar për luftën ndaj dezinformimit i cili shqyrton dhe miraton të mërkurën draftin me katër objektiva me qëllim ‘koordinimin për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”.

Një prej katër synimeve kryesore të tij, të kontestuar edhe nga opozita e cila bojkotoi takimin e parë të konstituimit më 26 Qershor 2024 është dhe “mbrojtja e promovimin i lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe pluralizmin online dhe offline” me qëllim “rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe nxitja e debatit publik rreth angazhimit kundër dezinformimit”.

Drafti ju prezantua të enjten organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të mediave nga vetë kryetari i këtij komisioni, Erion Braçe dhe nga Sekretarja Etilda Gjonaj, të cilët theksuan se puna e tyre do të finalizohet me hartimin e një strategjie kombëtare në luftën kundër dezinformimit, e cila do tu përcillet më pas institucioneve që lidhen me fushat respektive. Këta të fundit evidentuan gjatë takimit se dy parimet kryesore të veprimtarisë së Komisionit do të jenë transparenca e gjithëpërfshirja, dhe, në emër të tyre, ata i lanë dy ditë pune përfaqësuesve të OJF-ve të shprehin komentet mbi këtë draft, duke njoftuar mesditën e sotme si afatin përfundimtar të depozitimit të tyre.

Ndërkaq, në faqen e Kuvendin është njoftuar agjenda e takimit të radhës së komisionit, vetëm një ditë më pas, në të cilin theksohet se do të “shqyrtohet dhe miratohet  projektvendimi “Për miratimin e objektivave të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar””. Kjo do të thotë se anëtarët do të kenë në dispozicion më pak se 24-orë për të shqyrtuar komentet apo mendimet e depozituara nga grupet e interesit.

Kjo urgjencë në afatet e konsultimit publik sipas z. Braçe justifikohet me mbylljen e sesionit parlamentar, duke e kthyer dëgjesën dhe parashtirmin e argumenteve prej grupeve të interesit në një proces krejtësisht formal.

MediaLook, në përgjigje të ftesës së mbërritur përmes emailit nga kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar, Erion Braçe, analizoi draftin dhe depozitoi në rrugë elektronike në Kuvend komentet e tij vetëm mbi objektivin e katërt me titull: “Mbrojtja dhe promovimi i lirisë së shprehjes, lirisë së medias dhe pluralizmin online dhe offline, aksesin në informacion, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe nxitja e debatit publik rreth angazhimit kundër dezinformimit”, pasi kjo pikë përputhet me ekspertizën e saj.

Sikurse thuhet në dokumentin e vënë në dispozicion nga Kuvendi, objektivi 4-ër parashikon:

  1. Forcimin e organizatave të shoqërisë civile dhe rritjen e kapaciteteve të mediave të pavarura: për të zbuluar, ekspozuar dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut për dezinformimin dhe manipulimin e informacionit.
  2. Mbështetje për kërkimin e pavarur të fakteve, raportimin investigativ dhe gazetarinë e këtij lloji në nivel kombëtar, përfshirë dhe në fokus dezinformimin.
  3. Mbështetje të organizatave të shoqërisë civile që promovojnë informacion të besueshëm dhe media të lirë, përfshirë edukimin në raport me internetin dhe aftësitë digjitale, duke ruajtur të gjitha liritë themelore.

Në analizën e dërguar të gjithë anëtarëve, që në krye të herës, MediaLook, së pari, ka shprehur shqetësimin në lidhje me frymën që një Komision Parlamentar të ketë si objektiv dhe përpiqet të disiplinojë, forcojë, seleksionojë apo të tentojë të rrisë kapacitetet e mediave të pavarura apo organizatave të shoqërisë civile me argumentin se “po mbron lirinë e shprehjes, mediave off/on line”. Nuk mundet që “pushteti legjislativ” i cili  mbikëqyret nga “pushteti i katërt”, të ndërmarrë një nismë të tillë me qëllim për të “korrigjuar” pushtetin e katërt. Ka një ngatërrim rolesh, konceptesh, ka një ndërhyrje në pavarësinë e pushtetit të katërt (OJF/Media/gazetarë) dhe është një alarm apo përpjekje për ta cenuar dhe jo mbrojtur lirinë e shprehjes.

Së dyti, Qendra MediaLook vëren me shqetësim faktin se një komision parlamentar “ofron mbështetje për kërkim të pavarur të fakteve… me fokus dezinformimin”, pra ka një përpjekje të legjislativit për të ndërhyrë në përmbajtjen mediatike dhe për të udhëzuar mediat sesi të kërkojnë, si të hulumtojnë, çfarë burimesh të përdorin dhe si të raportojnë tematika të ndryshme, nën ombrellën e dezinformimit. Kjo mbështetje vjen pikërisht nga një prej institucioneve kryesore të propagandës politike.

Së treti, dokumenti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar thekson se “ka për qëllim të rrisë kapacitetet e mediave të pavarura dhe të forcojë OJF-të për të ekspozuar dhe zbuluar manipulimin e informacionit”. Kjo pikë në mënyrë të veçantë nënkupton kthimin e Kuvendit në një donator apo ndërmjetësues për donacion, pra për financimin e mediave/OJF-ve në rritje kapacitetesh në burime njerëzore dhe infrastrukturë. Praktikisht, nëse ky është një objektiv i Komisionit të Posaçëm, ka një përpjekje për të ndikuar nëpërmjet financimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthortë në diktimin e përmbajtjes mediatike.

Së katërti, drafti i Komisionit të Posaçëm Parlamentar evidenton se do të ofrojë “mbështetje organizatave të shoqërisë civile që promovojnë informacion të besueshëm dhe media të lirë”. Pyetja që ngrihet lidhet me faktin se si do të përcaktojë ky komision se kush janë OJF-të dhe mediat që ofrojnë informacion të besueshëm dhe ato që nuk ofrojnë informacion të besueshëm. A kanë tagër ligjor apo profesional një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë të vlerësojnë cilësinë dhe vërtetësinë e përmbajtjes së këtyre mediave/OJF-ve, ku politika ndërhyn dhe përcakton se çfarë është informacion i besueshëm dhe çfarë jo? Do të shënohej një precedent i rëndë.

Së pesti, MediaLook i ka kërkuar kryetarit Braçe, informacion në lidhje me rolin e deputetes, znj. Etilda Gjonaj në hartimin e këtij drafti, por nuk ka marrë një përgjigje. Arsyeja nuk lidhet me figurën e respektuar të deputetes, por me faktin se znj. Gjonaj ka qenë në krye të institucionit të Ministrisë së Drejtësisë në periudhën e hartimit të të ashtuquajturit “draft antishpifje”. Ky draft, i kontestuar gjerësisht nga të gjitha organizatat vendase apo ndërkombëtare se “cenonte lirinë dhe pavarësinë e mediave”, ishte përpiluar nga një grup pune pranë kësaj Ministrie dhe është prezantuar nga vetë zëvendësja e znj.Gjonaj përgjatë seancave konsultuese me grupet e interesit. “Shqetësimi ynë, – thuhet në analizën e MediLook, në lidhje me rolin e znj.Gjonaj ka të bëjë me faktin se si mundet që një promotorë e “draftit antishpifje” që censuronte median online, por jo vetëm, të jetë promotorë e një drafti në një komision me qellim mbrojtjen e lirisë së medias.  

Në konkluzion të analizës së saj MediaLook vlerëson se Komisioni i Posaçëm Parlamentar duhet të heqë/rishikojë objektivin nr. 4 të tij, i cili “në frymë dhe përmbajtje ka si synim cenimin e lirisë së medias, kontrollin e përmbajtjes mediatike dhe nxitjen e dezinformimit. Në momentin aktual cdo lloj financimi me para publike nga institucione me varësi politike, do të përbënte një problem serioz për median dhe gazetarët e pavarur.

Në vend të kësaj pike, përfaqësues të MediaLook kanë sugjeruar se i vetmi mjet dhe e vetmja ndihmë që ky Komision mund t’i japë reporterëve, mediave dhe gazetarëve është të krijojë akses, liri dhe heqjen e masave shtrënguese që Kuvendi ka apo planifikon të ketë në raport me mediat dhe gazetarët. Për këtë, thuhet në dokumentin e depozituar nga MediaLook, sugjerojmë që ky objektiv të zëvendësohet me një seri masash në Parlament për, të lejuar gazetarët të raportojnë dhe zbërthejnë propagandën politike që vjen nga salla e Kuvendit:

  1. Garantimin e informacionit në kohë reale dhe transparentë për të gjithë gazetarët dhe mediat;
  2. Garantimin e lëvizjes së lirë, aplikimin e të drejtës për të raportuar, xhiruar dhe intervistuar ligjvënës dhe zyrtarë të tjerë të Kuvendit, në çdo ambient të tij nga gazetarët e akredituar.
  3. Garantimin se asnjë punonjës i sigurisë / gardës nuk do të mund të prekë fizikisht apo të ushtrojë trysni verbale gazetareve, operatorëve apo punonjësve të tjerë të akredituar të medias. Kjo do të specifikohet në rregulloren e punonjësve të sigurisë në Kuvend.
  4. Vëmë në dispozicion shërbimet multimediale për transmetim, pamje, xhirime etj., në funksion të rritjes së transparencës së punimeve të Kuvendit, etj., sipas interesit të mediave/gazetarëve.

Mbetet për tu parë se cili do të jetë qëndrimi i Komisionit të Posaçëm të Parlamentit dhe sa gjithëpërfshirës do të jetë ky i fundit për të marrë në konsideratë komentet dhe ekspertizat e grupeve të interesit, të cilat janë kundër cdo lloj strategjie kombëtare të edukimit të medias prej Kuvendit dhe institucioneve të varura politikisht për të luftuar dezinformimin.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu