Çdo përpjekje për të përkufizuar “pedofilinë online” përbën një sfidë të veçantë nga pikëpamja metodologjike.
Së pari, termi hapësirë publike online (cyberspace) i referohet një rrjeti kompjuterik ku zhvillohen diskutime në grup, shkëmbime email, rrëmim në motorët e kërkimit, chat-et në platformat “Messenger” të cilat ndryshojnë opsionet e tyre në mënyrë të vazhdueshme dhe gjithsecila ka karakteristikat e saj specifike. Disa prej tyre janë private, disa të tjera janë publike, et.,,
Së dyti, kategoria e “pedofilisë online” përfshinë disa nën-tipologji individësh:
- Ato persona që konsumojnë pornografi online me fëmijë, të cilët janë thjesht vëzhgues;
- Personat të cilët ndërveprojnë duke regjistruar dhe shpërndarë pornografi me fëmijët;
- Predatorët online – ajo kategori e rrezikshme pedofilësh, të cilët përdorin internetin për të arritur qëllimin e tyre final, abuzimin seksual me fëmijët.
Megjithatë, për lehtësi komunikimi, ne do të përdorim termin “pedofil online” për të treja nënkategoritë e sipërcituara.
-
A ndikon interneti dhe hapësira publike online në inkurajimin e pedofilëve në abuzimin seksual?
Të përcaktosh ndikimin që ka shikimi i pornografisë në internet në nxitjen apo reduktimin e prirjes për të abuzuar seksualisht me fëmijët, është një detyrë tepër e vështrirë. Disa studiues besojnë konsumimi i pornografisë zvogëlon në mënyrë të ndjeshme mundësinë për të abuzuar me fëmije në përditshmëri, pasi ata “shfryjnë” impulset e tyre përpara kompjuterit. Ndërkaq, disa të tjerë besojnë se, nga njëra anë këta persona qëndrojnë pasiv, nga ana tjetër ata justifikojnë fajësinë e tyre për sjelljet dhe veprimet devijante duke i legjitimuar ato.
Duhet bërë një dallim mes dëshirave të pedofilëve dhe sjelljeve e veprimeve të tyre. Duhet thënë se faktorët që nxisin individët të kryejnë veprime të tilla ndryshojnë nga një person te tjetri, por jo vetëm. Ndikim të qenësishëm kanë dhe rrethanat dhe ambienti në të cilin ata qëndrojnë. Do të ishte e ekzagjeruar të pohonim se interneti prodhon devijanca të reja. Ajo që mund të themi është se rritja e aksesit ndaj pedofilisë në internet si rrjedhojë e zhvillimeve teknologjike, mund të nxisin një interes ekzistues devijant të individit. Të gjitha këto nuanca duhet të mbahen parasysh kur ne i qasemi shumëdimensional të pornografisë online.
-
Tipologji të pedofilëve online
Sipas të dhënave dhe nga informacionet që ne mund të sigurojmë nga ato individë të identifikuar nga sistemi gjyqësor si individë që kanë kryer vepra penale të këtij karakteri, duhet thënë se nuk ka një profil tipik të një pedofili online, përvec faktit se më së shumti ato i përkasin gjinisë mashkullore. Mund të identifikojmë të paktën katër kategori kryesore të pedofilëve online, nga vëzhgimet që i janë bërë identikiteve të personave që kanë konsumuar veprën e pornografisë me të mitur.
- Mbledhësit e fotove – ato individë të cilët kanë komunikim me përdorues të tjerë interneti. Zakonisht, këta persona janë të mbyllur dhe pasiv, pak të rrezikshëm.
- Mbledhësit dhe shpërndarësit e materialeve pornografike me të mitur – individi i cili është aktiv në komunitetet online ku diskutohet dhe shkëmbehen foto/video të fëmijëve të mitur. Këta persona shkëmbejnë gjithnjë këshilla mbi teknikat që duhen përdorur për ti shpëtuar arrestimit, pasi janë të ndërgjegjshëm që ndarja e këtyre materialeve është një krim ndërsa pasioni i tyre është një devijancë.
- Predator online / offline – kategoria më e rrezikshme e pedofilëve të cilët pasi kryejnë dhe regjistrojnë aktin seksual me fëmijët, e shpërndajnë krimin e tyre online.
- Vëzhguesi – individi i cili konsumon përmbajtje pedofilie në internet, por ai është i pagjurmueshëm pasi nuk i shkarkon asnjëherë këto materiale.
-
Nën-tipologjitë e predatorëve online
Predatorët online, një koncept që mungon në legjislacionin shqiptar, janë ata individë të cilët përdorin internetin për të komunikuar me minoren përmes email, chat-it apo mesazheve në rrjetet sociale me qëllim final kryerjen e aktit seksual ose abuzimit me fëmijën e mitur. Sipas Qendrës Kanadeze për Mbrojten dhe Fëmijës, ekzistojnë të paktën dy nënkategori të predatorëve online:
Në të parën, përfshihen të gjithë ato individë të cilët fshihen pas identitetit të një të riu dhe që synojnë të manipulojnë viktimat potenciale me qëllimin për të abuzuar seksualisht me to;
Në të dytën, janë ato individë që nuk gënjejnë për moshën apo interesin e tyre seksual por që përpiqen të krijojnë profilin e një miku, personi të besuar, një mentori që do ti ndihmojë këto të fundit të zbulojnë dëshirat dhe seksualitetin e tyre.
Ajo që duhet mbajtur në konsideratë është se pjesa dërrmuese e pedofilisë apo abuzimit me fëmijët zhvillohet nga familjarët apo persona të tjerë të njohur me viktimën e mitur, pasi ka akses dhe kontakt me të. Ndërkaq, rastet e abuzimit me të mitur, kontakti i të cilit është krijuar përmes internetit, sigurisht që ekzistojnë, por janë shumë më të rrallë.
-
Të luftosh pedofilinë online: modeli kanadez
Lufta ndaj pedofilisë online paraqet sfida shumë të mëdha për çdo shtet, por masat që duhen ndërmarrë duhet të shtrihen në të paktën tre fusha:
Së pari, zhvillimi i teknologjisë për zbulueshmërinë dhe mbikëqyrjen nga an e autoriteteve të policisë. Kjo do të ndihmojë për të adresuar problematikat kryesore në hetimin dhe parandalimin e çështjeve të pedofilisë online. Veçanërisht në periudhën e sotme, ku zhvillimi i platformave komunikuese në internet ka patur një zhvillim të vrullshëm, kërkohet bashkëpunim mes disa departamenteve të forcave policore. Kanadaja është një vend me një legjislacion tepër të zhvilluar sa i takon problematikës së pornografisë në internet. Me miratimin e paketës ligjore C-22 në mars të vitit 2011, kompanitë e shpërndarjes së internetit (ISP-të) dhe kompanitë e mëdha Google e Facebook, të raportojnë pornografinë me të mitur online te autoritetet policore. Sipas Qendrës Ndërkombëtare për fëmijët e humbur dhe trafikuar, Kanadaja është vendi lider në luftën kundër pedofilisë online.
Së dyti, hapa të rëndësishëm duhen të ndërmerren për të promovuar nisma të shoqërisë civile, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për të raportuar website, imazhe apo komunikim që nxit dhunën dhe pedofilinë ndaj fëmijës. Këto nisma të shoqërisë civile duhet të gjejnë dhe mbështetjen e mediave.
Së treti, por shumë e rëndësishme, janë fushatat edukuese me fokus kryesor fëmijët, prindërit dhe mësuesit. Këto fushata duhet të mbështeten në zhvillimin e një qasje kritike rreth përdorimit të internetit , edukimin e të rinjve mbi seksin dhe më pak te frika nga predatorët online.
Për ta përmbyllur, ngritja e shqetësimit në opinionin publik, edukimi i shoqërisë dhe zhvillimi i mjeteve për të nxitur zbulueshmërinë janë tre momentet kyçe në luftën ndaj pornografisë me të mitur dhe pedofilëve online.
Artikulli është publikuar në Institutin Kombetar mbi Krimet Seksuale në Kebek. U shqipërua nga MediaLook