Po të shohësh peizazhin mediatik shqiptar vëren se ka mjaft radio dhe televizione lokale, domethënë që kanë licencë për të mbuluar vetëm pjesë të përcaktuara të territorit të vendit dhe jo të gjithë hapësirën e tij. Në fakt, duket si çudi që edhe radio apo televizione që nuk bien më poshtë nga cilësia nga të tjerë që quhen media kombëtare, të mbeten ende të konsideruara juridikisht si media audiovizive lokale.

Përveç kësaj anomalie që nuk ka vend për të ekzistuar, duket se shfaqet edhe një e dytë. Radio dhe televizione që kanë licencë për transmetime lokale shpesh nuk e shohin këtë status edhe të lidhur me përmbajtjen e programacionit të tyre, por vetëm me hapësirat e mbuluara prej tyre. Në fakt, do të ishte e udhës që televizionet dhe radiot lokale të mos u ngjanin mediave kombëtare edhe nga programacioni. Ndofta do të kishte vend që instanca rregullatore të insistonte më fort që përqindje të konsiderueshme të hapësirave të transmetimit të tyre t’u kushtoheshin problemeve lokale.

Në hapësirat metropolitane kryesore të vendit ende nuk janë të zhvilluara ose nuk paraqiten fare në nivelin e duhur ato që quhen media lokale. Nuk është fjala vetëm për radiot dhe stacionet televizive, por edhe për median e shkruar, revistat, gazetat periodike apo edhe të përditshme.

Nuk duhet harruar se vetë media dhe industrializimi i saj lindi si një fenomen i mirëfilltë urban. Është qyteti ai që e ka të pamundur të bazohet më në një komunikim sy më sy, sikur ka qenë karakteristikë e zonave rurale tradicionale. Qyteti është një hapësirë që mbledh çdo ditë e më shumë individë dhe grupe që nuk kanë asnjë njohje me njëri-tjetrin. Metropolet nisin të marrin një shtrirje të tillë gjigante, saqë askush nuk di se çfarë bëhet përtej lagjes së tij, apo edhe më ngushtë sesa aq. Ndërkohë që të gjithë duan të dinë informacione për qytetin ku jetojnë, ku ka punë, ku ka informacione për punë, çfarë ndodhi gjatë ditës, çfarë të rejash ka, dhe mbi të gjitha sesi funksionon demokracia lokale.

Nevoja për informacion lokal urban është, në fakt, kërkesë për të rikrijuar virtualisht lidhjet sociale të shprishura dhe të zbehura fort nga ai që quhet proces atomizimi i shoqërisë urbane. Familja mbyllet disi brenda vetes. Individi e ka të vështirë tanimë që të njohë të tjerët që e rrethojnë në lagjen e tij, në pallatin e tij, apo edhe në zonën e qytetit ku ai jeton.

Qytetin e bën një të tërë vetëm informacioni që vjen nga mediat lokale, të cilat mund ta riprodhojnë atë në mënyrë tërësore dhe unike, duke tejkaluar fragmentizimet që shkaktojnë përvojat e kufizuara dhe të izoluara të jetës së përditshme të çdo qytetari.

Mediat gjeneraliste kombëtare, sado që edhe trajtojnë dukuri lokale, për nga formati dhe interesimet e tyre nuk janë në gjendje të mbulojnë detaje të rëndësishme të jetës së metropoleve të mëdha shqiptare. Në mos jo një media lokale për çdo qytet, të paktën të tilla për çdo qark apo rajon.

Unë mendoj dhe jam gati të vendos një bast me këdo se ka audiencë të interesuar për të marrë një informacion nga mediat lokale të mbetura ose në tentativë ose në një nivel ende të pazhvilluar nga pikëpamja e cilësisë apo edhe shpërndarjes. Është një fushë biznesi interesante dhe me të ardhme. Kjo lloj media do të bënte që informacioni i përditshëm televiziv të zbriste më në detaje, më afër jetës dhe interesimeve qytetare të individëve, familjeve, grupeve dhe shoqatave të ndryshme. Dihet nga teoria e informacionit masiv se sa më pranë të jetë informacioni gjeografikisht me shqetësimet e audiencës, sa më afër të jetë me shqetësimet e jetës të saj, aq më e interesuar bëhet kjo audiencë për mediat.

Do të kishte qenë, veç të tjerave, edhe një media që do të ndihmonte edhe demokracinë lokale. Pushteti lokal ka nevojë, sikurse ndodh me pushtetin qendror, që të veprojë nën dritën e projektorëve të mediave. Ndofta bashkitë e metropoleve të mëdha duhet të mendojnë pak më shumë për të subvencionuar këto media lokale, pse jo, mund të mendojnë edhe të krijojnë stacione radioje ose televizive të tyre apo të subvencionuara prej tyre. Në këtë mënyrë edhe ato ekzistueset do të kenë mundësi të rrisin cilësinë e tyre.

Ne kemi nevojë si qytetarë të shohim të botuara vendimet e këshillave bashkiake, debatet e atjeshme, çështjet që trajtohen, të shohim të botuara iniciativat e marra, kritikën e gazetarëve lokalë ndaj qeverisjes lokale, mendimin e opinionit publik lokal si edhe gjithçka që ka të bëjë me shpërndarjen e burimeve financiare, apo me analizën e statistikave lokale për qarkullimin, kriminalitetin, gjendjen e arsimit, si edhe analiza të jetës ekonomike qytetare.

Është një nevojë urgjente…

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu