Pas ultimatumit 72 orësh të AKEP për regjistrimin dhe publikimin e NIPT-it nga ana e 44 portaleve, duke i kërcënuar këto të fundit me mbylljen e tyre, ka ardhur reagimi i ashpër i Kreut të OSBE-së për mediat, Harlem Desir. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të organizatës në internet, z.Desir shprehu shqetësimin e tij për procedurën dhe tonet kërcënuese kundrejt portaleve.

Zyrtari i lartë i OSBE-së i ka dërguar dhe një letër kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pas mbështetjes që qeveria i ka dhënë këtij procesi, duke i ofruar asistencën e OSBE-së për normalizimin e tregut pa dëmtuar lirinë e medias.

“Shtetet nuk duhet të vendosin ultimatume për regjistrimin e medias online pasi kjo ka një efekt shumë negativ në lirinë e medias. Këto praktika, kur aplikohen, mund të dëmtojnë seriozisht aksesin publik në burime të ndryshme të informacionit, larmishmërinë e zërave dhe ideve dhe mund të përbëjë një kërcënim për të drejtën dhe lirin e shprehjes e informimit online”, – tha z.Desir.

Zyrtari i lartë i OSBE-së i bëri thirrje autoriteteve shqiptare, të rishikojnë këto qëndrime, të shqyrtojnë të gjitha alternativat për tiu adresuar saktë çështjes së shpifjes dhe të zhvillojë një debat sa më gjithëpërfshirës me shoqërinë civile dhe aktorët mediatik.

“Është me rëndësi themelore për të patur informacionin e plotë për objektivat konkrete që duhet të arrihen, si dhe kriterin e qartë të përzgjedhjes së 44 websiteve”, – deklaroi Desir. Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias kërkoi gjithashtu sqarime mbi bazën ligjore që është përdorur për ti kërkuar portaleve publikimin e NIPT-it në faqet e tyre dhe po ashtu nenin që specifikon mbylljen e portaleve që nuk e bëjnë një gjë të tillë.

Në letrën dërguar kreut të qeverisë shqiptare, z.Edi Rama, Desir bëri thirrje për respektimin e rekomandimeve të OSBE-së në mbrojtjen dhe respektimin e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes në nismat ligjore për përmbajtjet online.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu