Prej dy ditësh qytetarët shqiptarë nuk kanë marrë asnjë shërbim publik pasi e-Albania, i vetmi portal online që i ofron ato, është fikur, me arsyetimin e një sulmi kibernetik.

Për rrjedhojë aplikimet për shtrimet në spital apo marrja e dokumenteve në gjendjen civile, hipotekë, taksa, transportin rrugor, regjistrimet në ciklin e ulët arsimor etj, apo dhe pagesat online si pjesë ë mbi 1200 shërbimeve që ofron e-Albania, janë të pamundura të kryen duke krijuar dëme të parikuperueshme në procedurat me afate dhe kosto shtesë për qytetarët.

Referuar të dhënave që ka bërë të ditur vetë Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj, në prill 2022, rënia e e-Albania i kushton shqiptarëve 17 milion transaksione të munguara çdo ditë, kosto këto që rriten çdo ditë nga mungesa e shërbimit.

As AKSHI dhe as Qeveria në njoftimet e tyre nuk specifikonin ndonjë afat sesa do të zgjasë kjo mungesë shërbimesh, të cilat prej 1 majit 2022 ofrohen vetëm online.

Gjithashtu në reagimet publike nuk janë specifikuar as masat që qeveria ka marrë për të rihapur sportelet deri në rikthimin në normalitet të situatës me e-Albania, duke krijuar një situatë të pazakontë të funksionimit të agjencive publike, që nuk ndodhte prej dekadash në vend.

I pari qëndrim publik ka ardhur nga Ministria e Arsimit e cila ka njoftuar shtyrjen e afatit të regjistrimeve në shkolla. Ky njoftim është pasuar nga ai i Ministrisë së Jashtme e cila bëri të ditur “ndërprerjen e aplikimeve për dokumentet biometrike për të gjitha konsullatat shqiptare në botë deri në rifunksionimin e sistemit të e-Albania”. Por ende nuk ka një vendim të Këshillit të Ministrave për shtyrjen e të gjitha aplikimeve me afat.

Ndërkaq, MediaLook meson se Ministria e Brendshme e Infrastrukturës, e Drejtësisë, e Ekonomisë etj., nuk kanë as shërbim te brendshem interneti. Sipas informacioneve jo zyrtare bëhet me dije se mungesa e këtij shërbimi, që lidhet drejtpërdrejtë me sulmin kibernetik të një dite më parë ndaj e-Albania, është indikator i një ofensive të rëndë që mund të ketë përfunduar dhe me rrjedhje masive të dhënash online. Një burim i MediaLook pranë AKSHI tregon se ende nuk mund të flitet për dëmin e shkaktuar por “besohet se ka humbje të konsiderueshme të dhënash”.

Nga ana tjetër, në deklaratën për media, qeveria shqiptare mohoi cdo pretendim për humbje të dhënash, duke pohuar se “sigurojmë të gjithë qytetarët se të dhënat e sistemeve të informacionit të shërbimeve qeveritare janë të sigurta dhe të paprekura”. Megjithatë, në të njëjtin njoftim pranohet se ende nuk është verifikuar i gjithë sistemi: “Në këtë moment jemi duke verifikuar sistem pas sistemi që këto të fundit të jenë të sigurt në çdo element, përpara se të kthehen sërish online dhe në funksionalitet të plotë”. 

Të dielën Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit njoftoi se “Shqipëria është gjendur nën një sulm masiv kibernetik, të pandodhur kurrë më parë. Sulmi kriminal kibernetik rezulton të jetë i sinkronizuar dhe i sofistikuar nga jashtë Shqipërisë”.

AKSHI njoftoi mbylljen e shërbimit të e-Albania ndërsa evidentoi se ka kërkuar asistencën e ekipit të Microsoft dhe Jones Group International për të penguar cenimin e sistemit tonë të informacionit nga ky akt kriminal.

Ndërkohë qeveria e cilësoi aktin si “një sulm kibernetik tepër të sofistikuar“.

Goditje e hakerave ndaj e-Albania përkon dhe me një fluks në rritje të sistemit Tor, që përdoret kryesisht nga piratet e kompjuterëve dhe jo vetëm pasi siguron anonimitet më të lartë. Në të dhënat që Tor ofron në kohë reale vërehet se niveli i “Bridge users from Albania” për muajin korrik është në një pikun e tretë më të lartë pas zgjedhjeve të Prillit 2021.

Ky është sulmi i parë i madh kibernetik ndaj e-albanias që prej 1 Majit 2022 kur të gjitha sportelet u mbyllët për të kaluar në shërbim online. Megjithatë skandalet që kanë përfshirë rrjedhjen e miliona të dhënave sensitive personale të qytetarëve nuk kanë munguar, fillimisht me databazat e patronazhistëve dhe më pas ato të pagave e targave gjatë 18 muajve të fundit.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu