Modeli pronësor, financiar e menaxherial i mediave Shqiptare pengon informimin e plotë, të drejtë dhe paanshëm të qytetarëve. Kjo është një nga problematikat e evidentuara si “dobësi” e mediave komerciale shqiptare në studimin më të fundit të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, me titull “Modelet ekonomike të industrisë televizive në Shqipëri”, me drejtues shkencor Akademik Artan Fugën dhe Prof.As Dr. Mark Marku.

Në këtë botim, të mbështetur financiarisht nga Autoriteti i Medias Audiovizive, evidentohen një sërë faktorësh dhe aktoresh që “mbivendosen në punën dhe profesionin e gazetarit dhe që përcaktojnë filtrin e lajmeve që ky i fundit mund të prodhojë”:

“Mbi të gjitha sistemi bankar, i cili për shkak të nevojës që kompanitë televizive kanë për hua bankare, bëhet i paprekshëm nga ana e TV-ve dhe jo vetëm.
Së dyti, janë reklamuesit dhe gjithë partnerët e tyre financiarë, aksionerët e kompanive të tyre. Është e pamundur që media televizive të ketë forcën të raportojë lajme që nuk “gëlltiten” nga këta operatorë.
Së treti, janë vetë aksonerët e vetë kompanive televizive si dhe interesat ku ata janë shtrirë, ndërtim, tregti, turizëm, arsim, etj.
Së katërti, lajmi përcaktohet nga përfaqësuesit e fuqisë publike dhe drejtuesit e administratës publike, që kanë në dorë vendimmarrjen për tenderët dhe lehtësirat avantazhuese për bizneset mediatike.”

Por pavarësisht se mediat shqiptare bazohen ende te një model pronësor me aksionerë brenda familjes, që në perëndim konsiderohet si i tejkaluar nga koha pasi nuk reflekton zhvillimet teknologjike dhe bashkëveprimin me audiencat, ai do të vijojë të jetë funksional edhe për një periudhë afatmesme, – evidentohet në studim.

Rreziku emergjent i modelit aktual mediatik janë shtimi i platformave në web, që kanë bërë që një pjesë jo e vogël e reklamave të drejtohet në internet. Ndërsa risku afatmesëm, – thuhet në këtë botim, është prirja e kompanive për të ngurtësuar modelin aktual menaxherial me qëllim që të ruajnë monopolin e tyre në treg.

Studimi evidenton rolin e rëndësishëm që kanë luajtur deri më tani operatorët e mëdhej mediatik në Shqipëri, ku nuk duhen injoruar kushtet e vështira dhe trysnitë mbi të cilat janë zhvilluar ato, duke u bërë shpesh herë edhe më cilësore nga pikëpamja e performancës, krahasuar me vendet fqinje. Në botim evidentohen gjithashtu dhe oportunitetet që ofron tregu shqiptar, ndër të cilët dhe “mungesën e operatorëve të huaj konkurrues në fushën e prodhimit të përmbajtjeve televizive lineare dhe jo lineare”.

Ky kërkim shkencor, i cili është bazuar në një metodologji bashkëkohore, që ndërthur të dhënat financiare të deklaruara nga operatorët, intervistat me drejtues e pronarë medias, anketat me punonjësit e televizioneve dhe të dhënat e audiencës, ka evidentuar 12 gjetje, 10 rekomandime për operatorët dhe AMA-n si dhe një analizë të një spektri të gjerë problematikash ekonomike, por jo vetëm, me të cilat përballen sot kompanitë mediatike.

Sakaq, në gjysmën e dytë të botimit “Modelet ekonomike të industrisë televizive në Shqipëri”, realizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit, janë publikuar dhe të dhënat e plota të paqyruara grafikisht të “Pyetësorit të sjelljes së audiencës mbi modelin ekonomik të mediave shqiptare” me një kampion prej 500 personash  dhe  50 faqe me të dhënat e anketës me stafin e televizioneve të peizazhit mediatik në vend.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu