Televizioni klasik me programacion vertikal po e humbet dita ditës terren në panoramën mediatike në Shqipëri. Zhvillimi i teknologjisë së aparateve televiziv e celularëve, shtrirja më e gjerë e internetit me linja fikse e të lëvizshme si dhe përhapja e kabllorëve ka afruar audiencat, veçanërisht ato në moshë të re, drejt shërbimeve të konverguara. TV-ja, interneti, paketat dixhitale e telefonia shihen si platforma të veçanta por që së bashku ofrojnë një shërbim më cilësor televiziv, komplementar të njëri-tjetrit. Sot, ajo që një dekadë e gjysmë më parë Prof. Hernan Galperin do të cilësonte si revolucionarizuese, është një realitet i përditshëm për qytetarët.

Këtë fakt e konfirmon dhe tendenca gjithnjë e në rritje e audiencave në Shqipëri për të blerë shërbime të integruara Telefoni-Internet-TV. Vetëm në 3-mujorin e tretë të vitit 2017 u përllogarit që numri i pajtimtarëve arriti në rreth 199 mijë vetë, një rritje kjo me 12.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të AKEP, numri i klientëve për paketat trefishe, përbënte 50% e totalit të pajtimtarëve me paketa të integruara, ndërsa 39% janë me paketa Internet –Telefoni dhe 11% Internet-TV.

Përdorimi në masë i këtyre shërbimeve e njëherësh dhe platformave në ekranet e vegjël të celularëve, si Whatsapp, Viber e Facebook, shërbimi i të cilave gjenerohet përmes internetit, konfirmon një tezë të njohur të studiuesit Manuel Castells, i cili thekson se impakti i këtyre mediave shumë platformëshe ka sjell dhe konvergim kulturor të audiencave, të cilat tashmë janë multitask. Sipas tij, zhvillimi i jashtëzakonshëm i teknologjisë së konverguar ka edukuar edhe në një kulturë të re te audiencat. “Konvergjenca është në thelb kulturore”, – shprehej Castells, “dhe zë vend më së pari në mendjet e subjekteve komunikuese të cilat integrojnë mënyra dhe kanale të ndryshme komunikimi në bashkëveprimin e tyre me njëri-tjetrin”.

Ajo që Castells cilëson si “konvergim kulturor” konfirmohet edhe nga një studim i gjerë mbi “Sjelljen e audiencave dhe dixhitalizimin e transmetimeve audio-vizive në Shqipëri” realizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Në këtë kërkim shkencor, të botuar në vitin 2015, u arrit në konkluzion se “koha mesatare e përdorimit të smartphonëve në Shqipëri është mbi katër orë, gati dy herë më e madhe se ajo e të parit televizor linear”.

I njëjti anketim me një kampion prej 300 personash të intervistuar evidentonte gjithashtu se 41% e personave të pyetur përdornin celularin për lundrim në web, sms dhe komunikim në rrjetet sociale gjatë kohës kur shihnin televizor.

Që nga ajo periudhë e deri në ditët e sotme, koha e përdorimit të ekranit të vogël në raport me ekranin e madh ka ardhur me një tendencë në rritje. Këtë fakt e konfirmon edhe katërfishimi i rritjes së trafikut të internetit përmes celularëve. Vetëm për tremujorin e tretë të vitit 2017 AKEP raporton se trafiku i konsumuar përllogaritet të jetë 12.4 milionë GB, një sasi kjo e barabartë me totalin e përdorur gjatë gjithë vitit 2015 nga abonentët. Ndërkohë, mesatarja mujore e një përdoruesi aktiv në celular, gjatë tremujorit të tretë të 2017-ës, është 1.91 GB internet, që përbën një rritje të ndjeshme me 153% ose 2.5 herë më shumë krahasuar me konsumin mesatar mujor prej 0.76 GB gjatë të njëjtës periudhë të vitit 2015.

Statistikat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë një tendencë të dukshme në rritje të përdorimit të internetit në ekranin e vogël, e cila shkon për rrjete sociale, navigim në internet, portale të mediave tradicionale, mobile TV, etj… Në këtë punim do të ndalemi kryesisht te ofertat televizive që ofrohen në web, si shërbime alternative të televizionit linear, platformave numerike, VOD-it e IPTV-së.

Tipologjitë e ofertave televizive në web

Gjatë një vëzhgimi të kryer në portalet shqiptare e të huaja janë vërejtur mes të tjerave të paktën shtatë tipologji ofertash televizive të cilat tërheqin audiencat dhe reduktojnë kohëqëndrimin e tyre përpara ekranit klasik:

Aktivitetet politike dhe social-kulturore – Sikurse theksonte Eric Scherer “armiku më i madh i mediave tradicionale nuk janë portalet dhe platformat online, por vetë koha”.[6]   Duke parë avantazhet e rrjeteve sociale si platforma të njëçastshme të cilat ofrojnë një komunikim të drejtpërdrejtë, të pacensuruar dhe interaktiv me publikun, zyrat e PR-it, por dhe vetë politikanët i transmetojnë aktivitetet, konferencat dhe tubimet e tyre në Facebook, përmes shërbimit “Facebook live”. Madje, kreu i qeverisë aktuale, Edi Rama ka hapur një televizion online nën logon “ERTV”. Përballë këtij fenomeni, që ekspertët e komunikimit e cilësojnë si “ç’mediatizim të mesazhit”, ku politikani i drejtohet publikut pa ndërmjetësimin e medias dhe gazetarëve, ndodh rëndom që televizionet kombëtare e private në Shqipëri të transmetojnë “live” ose në edicionet informative këto përmbajte mediatike. Pra, mediat klasike u kushtojnë hapësira të konsiderueshme televizive një produkti të destinuar për web, të ndërtuar dhe kontrolluar nga zyrat e PR-it të qeverisë, duke sjellë një mbivendosje të ofertave televizive. Në këtë rast rreziku i manipulimit të opinionit publik është i madh pasi materialet janë të gatshme në konceptim, regji, diskurs publik dhe reagime qytetarësh.

Portalet me filma – Në këtë kategori përfshihen faqet të cilat mundësojnë shikimin e filmave online pa pagesë ose shkarkimin e tyre. Mes tyre mund të përmendim www.filma24.tv , www.filmaon.com,  www.azfilma.al etj… Ato ofrojnë premierat e fundit sipas zhanerave të ndryshëm, dokumentarë e filmat e animuar, të gjithë të titruar në shqip. Ky produkt mediatik, që ofrohet në disa cilësi transmetimi, përfshi dhe “full HD”, në pjesën dërrmuese të rasteve vjen me një “playlist” të rifreskuar me filmat e fundit, të cilat nuk gjenden as në platformat dixhitale e ato IPTV. Sikurse sqarohet në shënimet e këtyre portaleve, ata nuk e blejne materialin filmik që publikojnë, por operojnë si palë të treta, që do të thotë se shërbejnë vetëm si transmetues të një produkti mediatik.

Portalet e ndeshjeve sportive – Ku përfshihen një seri adresash, mes të cilave www.ifirstrow.eu e www.livesport24.net, që ofrojnë pa pagesë të gjitha aktivitetet sportive në dhjetëra shtete, përfshi futboll, basketboll, volejboll, bilardo, etj… Këto faqe, që gëzojnë një audiencë të gjerë edhe në Shqipëri, funksionojnë në mënyrë pirate dhe transmetojnë ndeshje nga platformat dixhitale të cilat operojnë kundrejt pagesës. Së fundi, është vërejtur një tendencë për transmetimin e takimeve sportive, kryesisht futbollit, në disa profile të Facebook, përmes “Facebook live”.

Programe dhe zhanere televizive – Që janë faqe, të kategorizuara në “purely online media” të cilat ofrojnë emisione dhe përmbajtje profesionale televizive. Këtu mund të përfshihen një serë emisionesh, mes të cilave “Vështrim Kritik” e “Zululand” në Tema TV, “Fakt” në Syri.net, apo “Thumb” që transmetohej në You Tube. Suksesi i këtyre produksioneve në linjë ishte aq i madh sa këto programe u kontraktuan nga kanale të konsoliduara. Kujtojmë këtu që emisioni “Thumb” transmetohet në televizionin “ABC News”, ndërsa tematikat e trajtuara në programet e tjera online, kanë furnizuar vazhdimisht me tituj kryesorë gazetat e përditshme dhe mediat online.

Në këtë kategori përfshihen edhe iniciativa për prodhimin e zhanereve televiziv, ku mund të përmendim ciklin e reportazheve “Njerëz”, i cili financohej dhe transmetohej në portalin “TiranaToday”, e që realizohej nga gazetarja Erjona Rusi. Sikurse evidenton kryeredaktori i kësaj faqe të lajmeve të aktualitetit, Bardhi Quku, këto materiale u pritën mirë nga audienca, fakt ky që dëshmohet edhe nga numri i shikimeve apo hapësira e dedikuar për komente.

Përmbajte televizive të mediave tradicionale – Këto faqe janë zgjatime të televizioneve ose gazetave. Në to hidhen dhe arkivohen online përmbajtjet televizive që prodhohen në redaksitë klasike të mediave tradicionale dhe mund të shihen në çdo kohë pa pagesë në web. Kjo praktikë është një lloj shërbimi “Catchup TV” që ofrohet nga vetë produksionet e mediave tradicionale. Kryesisht në to gjenden emisione talk show, reality, spektaklet, telenovela, edicionet informative dhe kronikat e lajmeve. Këto faqe nuk kanë produksione mediatike të dedikuara për në web.

Rubrika të programeve talk show – Emisione të caktuara të zhanrit talk show, mes të cilave Opinion e Dritare, ofrojnë në faqet e tyre www.opinion.al dhe www.dritare.net kategori të dedikuara për emisionin e tyre. Mes tyre mund të evidentohet rubrika “off the records” dhe “si u veshën…” ku ofrohen video të shkurtra të personazheve të ftuar në këto programe televizive para apo pas kuintave, brenda ambienteve të televizionit.

Video lajme – Këtu përfshihen materiale filmike të realizuara nga ajo që njihet si “citizen journalism” ose “gazetaria qytetare” me video të shkurtra pa koment ose kamera amatore nga vendngjarja. Zakonisht këto materiale i bashkëlidhen ngjarjeve të aktualitetit ose kategorive të humorit në web.

Rritja e buxhetit të reklamave në web

Trendi i zhvendosjes së audiencave drejt faqeve në web ka bërë që kompanitë kryesore të reklamave të rrisin ndjeshëm buxhetet e tyre kushtuar portaleve online. Këtë fakt e dëshmojnë të dhënat e Revistës Monitor të cilët vlerësojnë se “tregu online është në zhvillim të shpejtë ndonëse më i vështiri për t’u matur, për shkak të informalitetit të lartë. Sipas Monitor “në 2016-n, sipërfaqja e reklamuar u rrit me 68% me bazë vjetore. Zgjerimi ka vijuar edhe në 2017-n, ndonëse me ritme më të ngadalësuara prej 16%”.

I njëjti burim evidenton se totali i buxhetit të kompanive të reklamave gjatë vitit 2017, me financues kryesor Vodafone dhe Telecom Albania, ishte rreth 38.4 milionë euro. Nga këto pjesa dërrmuese e tortës vijon të shkojë për televizionet, duke u përllogaritur në rreth 31 milionë euro. Por ajo që bie në sy është fakti që krahas TV Klan, ABC News, Report TV dhe Scan TV, trendi i financimit me reklama të televizioneve të tjera ka pësuar një frenim. Ky buxhet, sikurse pjesa dërrmuese e parave që vite më parë financonin gazetat tashmë shkojnë për mediat online.

Në një analizë të saj për vitin 2016, revista “Monitor” vlerësonte se “reklamat në faqet kryesore të internetit në vend vlerësohen në rritje të shpejtë dhe trendi duket të jetë i tillë. Sipas kësaj reviste nga 1.5-1.7 milionë euro që përllogaritej financimi në fund të 2015-s, deri në 11-mujorin e vitit 2016, reklamat në internet arritën në 2.5-2.8 milionë euro, pothuajse sa reklamat në shtypin e shkruar.

Nga monitorimet rezultoi se portali www.anabel.al kishte më shumë reklama për vitin 2016, por kryesimin e totalit të buxhetit nga hyrjet e reklamave vijon ta mbajë Balkanweb, të ardhurat e të cilit janë mbi 30 mijë euro në muaj dhe tendenca është në rritje.

Disa përfundime:

  • Televizioni linear po humb dita ditës audiencat. Këto të fundit po shkojne drejt platformave alternative dixhitale, IPTV, mobile TV ose te ofertat televizive në web;
  • Teknologjia e konverguar me shërbimet e integruara shumëplatformëshe ka sjellë dhe konvergimin kulturor të audiencave shqiptare;
  • Nëse më parë ishin mediat online që zbardhnin përmbajtjet televizive, aktualisht, të ndodhur përballë fenomenit të njohur si “ç’mediatizim i mesazhit”, ku zyrtarë të lartë anashkalojnë median dhe transmetojnë aktivitete e konferenca në web e rrjete sociale, janë televizionet klasike që transmetojnë përmbajtje televizive të destinuara për web;
  • Filmat, ndeshje sportive, emisione talk show dhe videot online janë disa nga produktet mediatike që tërheqin audiencat drejt web-it;
  • Zhvendosja e audiencave në linjë po ndikon dhe në rritjen e buxhetit të reklamave në web.

 

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu