Mëngjesin e 10 majit të vitit 2016, Julian Delvina është paraqitur pranë një banke të nivelit të dytë dhe ka kryer një pagesë në vlerën 87.200 lekë për zhdoganimin e një automjeti BMW X5. Juliani e kreu pagesën për llogari të pronarit të mjetit Xhuljano Sorra. Transaksioni kryhet normalisht dhe fatura e bankës i hap rrugë procesit të regjistrimit të mjetit që hyn në tregun shqiptar.

Kjo është ajo që rezulton nga letrat e depozituara në dosjen e DRSHTRR-së, ndërsa e vërteta është krejt tjetër.

Makina është futur kontrabandë, të dhënat e saj janë falsifikuar gjatë zhdoganimit, ndërsa Julian Delvinës i është përdorur karta e identitetit dhe i kanë falsifikuar firmën. Hetimet e Prokurorisë së Tiranës zbuluan mashtrimin me falsifikimin e dokumenteve. Pas marrjes në pyetje dhe në përfundim të hetimeve rezultoi se pagesa për të zhdoganuar këtë automjet nuk ishte kryer nga Juliani. Gjithashtu, gjatë aktit të ekspertimit të firmës së tij, të kërkuar nga Prokuroria e Tiranës, ka rezultuar se: “Nënshkrimi i plotë, emër mbiemër firmë, që shfaqet në dokumentin mandat pagese nën logon e “Credins Bank” shfaqet si nënshkrim i sajuar.”

Por ku e kanë marrë kontrabandistët kartën ID të Julianit?

Në fillim të 2016, Juliani Delvina paraqitet në polici dhe denoncon humbjen e kartës së identitetit dhe më pas kryen procedurat pranë ALEAT për tu pajisur me një kartë të re. Ndonëse ID-ja e tij ishte deklaruar si e humbur, brenda vendit ajo vijon të jetë funksionale.

Burime të MediaLook bëjnë me dije se personat që kanë marrë këtë kartë e kanë përdorur atë për të kryer edhe të paktën 14 falsifikime të tjera të ndryshme për mallrat e futura kontrabandë, kryesisht automjete, nga dogana e Përmetit dhe Sarandës.

Ne kontaktuam prokurorinë e Përmetit dhe drejtuesi i saj Asllan Bajramaj na konfirmoi se “nga hetimet rezultoi se shtetasit Julian Delvina i ishin vjedhur të dhënat personale dhe i janë përdorur” nga një grup personash të dyshuar për falsifikim dhe kontrabandë. Sipas tij, hetimet vijojnë, por Juliani është në cilësinë e dëshmitarit dhe jo të pandehurit.

Nga ana tjetër, Prokuroria e Sarandës, nuk pranoi të vinte në dispozicion informacionin mbi pozicionin e Delvinës. Në dy shkresat e dërguara prej tyre pas insistimit të MediaLook, thuhet se çështja është regjistruar fillimisht në Shtatori të 2017-ës, u pezullua dy vite më vonë për zbulim të autorit, por u rihap sërish pas regjistrimit të një procedimi të ri në Prill të 2021-shit, për veprat e kontrabandës dhe falsifikimit. Për këtë arsye, evidenton Prokuroria Sarandë, asnjë akt ku përmendet Julian Delvina nuk mund të vihet në dispozicion pasi çështja është në hetim.

Por burime pranë Drejtorisë së Doganave, bëjnë me dije se “pavarësisht se Julianit i është përdorur karta ID, mbi të rëndon një gjobë që përllogaritet në afro 5 mln lekë të rinj për shmangie të detyrimit doganor dhe penalitetet që janë sa dyfishi i vlerës së taksës reale”.

Rasti i Julian Delvinës nuk është i vetmi. Janë me mijëra qytetarët që kanë humbur dhe denoncuar kartat e identitetit, por këto të fundit nuk nxirren nga tregu, por vijojnë të jenë të vlefshme brenda territorit.

Në lidhje me këtë çështje, SPAK po heton një dosje voluminoze ku janë bashkuar 44 procedime të regjistruara mbi falsifikimin e dokumenteve dhe kontrabandës së makinave. Në këtë proces janë me dhjetëra persona të cilëve u janë përdorur identitetet, në një formë ose një tjetër, pa dijeninë e tyre.

Madje, një agjent doganor në kushte anonimati na tregoi se përdorimi i identiteteve të rreme po kthehet në një skemë, pasi “në disa raste janë vetë personat e grupit kriminal të cilët vetëdekralojnë një kartë të humbur në polici, për ta përdorur më pas këtë të fundit për transaksione, me qëllim mos identifikimin e tyre”.

Institucionet nuk verifikojnë dot vlefshmërinë e kartave të identitetit  

Zyrat noteriale, bankat, pikat e këmbimit valutor, të mikrokredive, të transferimit të parave e çdo institucion tjetër publik e privat që kërkon mjetin e ID-së për të ofruar shërbimin nuk kanë një regjistër të përbashkët online për të verifikuar nëse karta e dorëzuar është denoncuar apo jo si e humbur apo e vjedhur, ndonëse numri i tyre sipas policisë në katër vitet e fundit (2017-2020) rezulton të jetë i konsiderueshëm, në mbi 268 mijë.

Informacioni mbi ID-të e vjedhura apo të humbura shënohet vetëm në sistemin TIMS dhe në të kanë akses vetëm një numër i kufizuar institucionesh si SHISH, Prokuroria, Drejtoria e Policisë, Doganat, Tatimet dhe “Pastrimi i Parave”. Kjo u mundëson grupeve kriminale e kontrabandistëve, që, ashtu si në rastin e Julianit, të kryejnë falsifikime e transaksione të paligjshme me karta të vjedhura, pa lënë gjurmë për identifikimin e tyre.

MediaLook iu drejtua zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë e cila konfirmon se “pranë Sektorit të Rregullimit të Profesioneve të Lira (noterët, avokatet e përmbaruesit), si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë, nuk disponohet një regjistër i tillë” për verifikimin e vlefshmërisë së kartave.

Ne u interesuam pranë disa zyrave noteriale të cilat na sqaruan se përmes sistemit e-Albania ato mund të verifikojnë vetëm të dhënat në gjendjen civile të individit, por jo vlefshmërinë e kartës së paraqitur. Iu drejtuam në rrugë zyrtare Drejtorisë së Gjendjes Civile e cila konfirmon se në sistemin e saj nuk disponohet informacioni mbi kartat e vjedhura dhe të humbura: “Ju bëjmë me dije se këto të dhëna nuk disponohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në Ministrinë e Brendshme, por nga koncensionari dhe Policia e Shtetit”.

Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë, si institucioni që ka licensuar 12 bankat e nivelit të dytë, 33 subjekte financiare të huadhënies dhe mikrokredive, 17 shoqërive të kursimit të kreditit dhe 556 pika të këmbimit valutor, shprehet se këto subjekte “mund të zgjedhin ta kryejnë identifikimin e klientëve të tyre nëpërmjet mjeteve të ndryshme të identifikimit në përdorim” dhe verifikim të afatit ligjor të ID-së.

Nga vëzhgimet e kryera në sportelet e disa prej këtyre institucioneve të licensuara, është vërejtur se bankat e nivelit të dytë, institucionet financiare jo bankare apo pika të transferimit të parave e kërkojnë por nuk e verifikojnë kartën e identitetit, ndonëse në këto të fundit, në jo pak raste, janë kryer transferta parash apo janë marrë kredi me identitet të rremë.

Gentian Trenova – Ekspert i ligjit dhe procesit hetimor

Për ish-prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, Gentian Trenova, në rastin “e përdorimit të ID-ve duhet patjetër të krijohet mundësia teknike që të verifikohet vlefshmëria në moment. Për shembull, noteri duhet të ketë mundësinë që gjatë kryerjes së veprimit noterial të verifikojë menjëherë vlefshmërinë e ID-së, po kështu edhe një punonjës në bankë, kur kryet një transfertë, apo në institucione të tjera ku individi paraqitet me një kartë identitetit”.

Sipas ish-prokurorit, pamundësia për të verifikuar vlefshmërinë e kartës nga ana e institucioneve “krijon hapësira për abuzim dhe kryerje të veprave penale nga më të ndryshmet. Rrezikshmëria në këto raste rritet për shkak të vështirësisë që mund të krijohet në identifikimin më pas të përdoruesit të kartës së pavlefshme”.

Një iniciativë të tillë ka ndërmarrë Dhoma Kombëtare e Noterëve që prej vitit 2017. Synimi i projektit, që ka mbetur pezull deri në futjen e sistemit të noterisë në efiçencë sipas ligjit të ri, ishte verifikimin përmes gjurmës së gishtit të personit që paraqitet pranë noterit.

Mimoza Sadushaj – Kryetare e Dhomës Kombëtare të Noterëve të Shqipërisë

“Për të qenë të sigurtë ne kemi kohë që kemi nisur një projekt me ALEAT për vendosjen e aparaturave në çdo zyrë noteriale për verifikimin e gjurmës së gishtit ,- shprehet Mimoza Sadushaj, Kryetare e Dhomës së Noterëve.

Sipas saj kjo pajisje do të lidhet me sistemin dhe shuan çdo lloj aludimi për përdorim të identitetit apo falsifikim firmash: “Duke qenë se shumë qytetarë ankohen që nuk kanë qenë në zyrën e noterit dhe nuk kanë firmosur, kjo aparaturë lë gjurmë për një periudhë 20-vjecare në sistemin e noterisë, që vërteton faktin që ky person, në këtë orë, në këtë datë, ka qenë në zyrën e noterit dhe kjo vërtetohet nga gjurma e gishtit. Pra, jo vetëm që vërtetohet vlefshmëria e kartës por gjurma e gishtit evidenton dhe personi ka qenë në zyrën e noterit”, – përfundon znj. Sadushaj.

Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve pohon se tashmë që sistemi i noterisë është konsoliduar do rinisin bisedimet me ALEAT dhe kompani të tjera për vendosjen e këtyre pajisjeve.

Policia dhe koncensionari nuk asgjesojnë dot ID-në e humbur, kopja fizike funksionale brenda vendit deri në skadencë

Në territorin e Shqipërisë, në katër vitet e fundit, janë denoncuar nga qytetarët si të humbura apo të vjedhura mbi 268,515 mijë karta dhe pasaporta biometrike përgjatë viteve 2017-2020. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë i është përgjigjur kërkesës sonë për informacion, duke evidentuar se 2019 ka qene viti me numrin më të lartë të denoncimeve.

 

Por çfarë ndodh kur qytetari humbet një kartë identiteti? A pezullohet apo shfuqizohet ajo menjëherë kur qytetarët bëjnë denoncimin në polici? A njoftohen të gjitha institucionet për këtë shfuqizim?

MediaLook i është drejtuar Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme dhe nga gjithë informacioni i grumbulluar rezulton se e vetmja masë që këto institucione marrin është “ndryshimi i statusit të kartës apo pasaportës biometrike në sistemin TIMS si e vjedhur apo e humbur” dhe pajisja e qytetarit me një vërtetim nga Policia që i shërben për marrjen e një karte të re.

Kjo do të thotë se ID-ja mbetet e vlefshme për tu përdorur brenda vendit për transaksione bankare apo veprime noteriale, blerje kartash telefonike apo kredi marrje, sikurse janë me qindra rastet e denoncimeve në polici e prokurori, pasi asnjë prej këtyre institucioneve nuk kanë akses në këtë sistem.

Ne kërkuam informacion zyrtar edhe pranë shoqërisë ALEAT, e cila u rezervua në përgjigje duke na drejtuar te Ministria e Brendshme si autoritetin e përcaktuar në kontratën koncensionare për të dhënë informacion.

Megjithatë, punonjësit në disa zyra të ALEAT në Tiranë dhe Durrës në kushte anonimati na treguan se “qytetari që aplikon për të bërë kartën e re duhet të ketë vërtetimin e humbjes apo vjedhjes së saj lëshuar nga policia e shtetit si dhe kuponin”. Gjithashtu, – shprehen punonjësit, “operatorët shfuqizojnë çipin e kartës së vjetër, e cila humbet shërbimet elektronike por jo vlefshmërinë e saj, pasi kopja fizike e kartës është e vlefshme deri në skadencë”.

Këto pohime të punonjësve konfirmohen edhe në rubrikën “Shfuqizimi i Funksioneve Elektronike në Kartë”, në faqen zyrtare të ALEAT në të cilën shpjegohet: Arsyeja e Shfuqizimit = Letërnjoftimi i humbur apo vjedhur. Letërnjoftimi është ende i vlefshëm, pas shfuqizimit të certifikatave. Letërnjoftimi është i vlefshëm deri në vlefshmërinë i tij dhe nuk do të jetë e mundur për t’u përdorur për Shërbimet Elektronike.

Skema e ALEAT: Kur shfuqizohet karta dhe nga e-Sherbimet!

Kjo do të thotë se falsifikatorët apo kontrabandistët mund ta përdorin një ID të vjedhur deri në skadimin e saj. Potencialisht të 268,515 mijë kartat dhe pasaporta biometrike të denoncuara si të vjedhura dhe të humbura mund të përdoren për qëllime kriminale deri në përfundimin datës së vlefshmërisë.

Për ish-Prokurori Gentian Trenova në kushtet e rritjes së numrit të denoncimeve për ID-të e vjedhura dhe të humbura nevojitet hartimi i një plani të detajuar me ekspertë. Një zgjidhje sipas tij për minimizimin e abuzimeve me përdorimin e identitetit mund të jetë dhe lidhja e kartës me numrin personal: “Në këto raste mund të krijohet një mundësi teknike që personi zotërues i kartës origjinale të vihet në dijeni elektronikisht me mesazh se karta e tij po përdoret në kryerjen e një veprimi”.

Ndërsa për ekspertin e zhvillimit të faqeve dhe platformave online Erion Elezi, “mos shfuqizimi i kartës menjëherë pas denoncimit të saj, krijon hapësira për përdorimin e ID-së në shumë krime online”.

Sipas ALEAT, shfuqizimi i menjëhershëm i letërnjoftimit bëhet vetëm në rastet të veçanta kur “autoritetet kompetente Shqiptare kanë një dyshim për identitetin e personit ose personi është nën hetim”.

Por, nga informacionet zyrtare që morëm në Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme, praktika e zakonshme që ndiqet pasi ID-ja denoncohet si e vjedhur apo e humbur, nuk është shfuqizimi i menjëhershëm, por është ndryshimi i statusit në TIMS dhe lëshimi i një vërtetimi që i përcillet ALEAT-it nga qytetari, sipas kohës dhe vullnetit të tij.

Databaza e patronazhistëve burim krimesh online, ekspertët: me ato të dhëna mund të hapen profile false dhe biznese fiktive!

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021 u publikua një databazë që dyshohej se ishte ndërtuar nga stafi në Partinë Socialiste me të dhëna sensitive personale të 910 mijë votuesve të Tiranës nga mosha 19 deri në 99 vjeç. Kjo bazë të dhënash, me një kapacitet prej 369 MB, ruante identitetet dhe numrat e kartave ID, numrat e telefonit, qendrën e votimit, vendin e punës, patronazhistin dhe shënimet mbi përkatësinë politike.

Erion Elezi – Ekspert per zhvillimin e faqeve & platformave online

Databaza e publikuar online apo dhe ajo që qarkulloi në rrugë elektronike mes gazetarëve dhe individëve, është ndoshta një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit”, – shprehet eksperti Elezi.

Këtë fakt e konfirmoi dhe Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që nisi një hetim administrativ për këtë cenim të rëndë të jetës private për 910 mijë individët, të dhënat e të cilëve qarkulluan online pa dijeninë e tyre: “…nisur nga shkalla jashtëzakonisht e gjerë e përpunimit të të dhënave, në kundërshtim me parimet dhe kriteret e përpunimit të të dhënave personale, Zyra e Komisionerit vlerëson se përhapja masive e Bazës së të Dhënave përbën cenimin më të rëndë të jetës private dhe të së drejtës së shtetasve për mbrojtjen e të dhënave të tyre personale, e cila në fjalorin ligjor ndërkombëtar njihet si “personal data breach”, – thuhet në raportin e Komisionerit.

Kjo databazë, përveçse cenon të dhënat personale të qytetarëve, mund të përdoret nga individë apo grupe kriminale. Për ekspertin e procesit hetimor, Gentian Trenova, me ID-të dhe informacionet e tjera personale, mund të hapen profile false edhe në e-Albania:

“Ka një rrezik për personat të cilët nuk kanë aplikuar ndonjë herë te platforma e-Albania, të cilët nuk janë të pakët. Ka shumë individë në Shqipëri apo dhe emigrantë që nuk janë të regjistruar me profil të tyre te kjo platformë. Në këto raste keqdashësit mund të marrin numrin e ID kartës nga të dhënat e publikuara të personit që nuk ka aplikuar ndonjëherë duke krijuar një profil false”, – pohon ai.

Në vijim të argumentit të ish-prokurorit, eksperti Elezi deklaron se “me krijimin e profileve në e-Albania grupet kriminale mund të aplikojnë dhe hapin biznese si persona fizik ku mund të kanalizojnë transfertat, pastrojnë paratë por dhe të mos identifikohen”. “Për këtë arsye”, – shtoi ai, – “autoritetet shqiptare duhet të qëndrojnë mjaft vigjilente për të parandaluar këto krime”.

AKSHI nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion të MediaLook në lidhje me numrin e personave të regjistruar në e-Albania dhe atyre me mundësi regjistrimi sipas regjistrit të gjendjes civile, por që ende nuk kanë krijuar një llogari.

Ekspertët thonë se personat në moshë, që nuk kanë një llogari në portalin qeveritar, janë targetgrupi më i rrezikuar për të rënë pre e vjedhjes së identitetit.

Shënim: Investigimi u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnereve. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Partnerëve.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

2 COMMENTS

  1. Pershendetje,
    Problematika qe ju ngrini padyshim qe qendron por shpjegimi dhe arsyeja pse ndodh ka nevoje per permiresim. ID e cdo personi eshte e pandrushueshme dhe merret qe ne momentin qe regjistrohet i porsalinduri e deri sa vdes personi qe ka ate ID. Problemi eshte qe ne Shqiperi ka dokument identifikimi ( karte identiteti dhe pashaporte ) biometrike qe do te thote qe verifikimi i te dhenave te kartes kryhet vetem me mjete elektronike. Perdorimi i ID kart es vetem nga ana e saj vizuale nuk eshte as i sigurte dhe as ligjor, prandaj kudo ku kerkohet identifikim per kryerje transaksionesh duhet te kete patjeter lexues te kartes. Aktualisht disa banka te nivelit te dyte e perdorin. Gjithashtu edhe regjistrimi ne e-albania duhet te kryhet nepermjet identitetit elektronik qe eshte brenda kartes biometrike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here