Pas letrës së kreut të OSBE-së për mediat, Harlem Desir, katër ndër organizatat më të mëdha ndërkombëtare për lirinë e medias dhe gazetarëve, i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të heqë dorë nga dy draftligjet e propozuara për rregullimin e medias online dhe regjistrimin e detyrueshëm të tyre.

Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, organizatat Reporterët pa Kufij, Qendra Europiane për Lirinë Mediatike, Federata Europiane e Gazetarëve dhe PEN International gjykojnë se dy draftet në fjalë janë hartuar “me dyer të mbyllura”, pa u konsultuar më parë me grupet e tjera të interesit, ekspertë të OSBE-së dhe ato të BE-së:

Ne shprehim shqetësimin e thellë se këto drafte janë hartuar me dyer të mbyllura, pa përfshirë në konsultime paraprake gazetarë dhe organizatat e shoqërisë civile. Nëse këto dy draftligje do të miratohen nga Parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë informimin e lirë, do të ndikojnë negativisht për raportimin e lirë në spektrin e medias online, e rrjedhimisht do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për të patur akses në informacion.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave theksojnë se e kanë mirëkuptuar qëllimin e qeverisë për të luftuar “fake news” por janë shprehur kundër mënyrës së njëanshme të zgjedhur prej saj për të rregulluar, duke theksuar se në vendet demokratike tregu i medias funksionon sipas parimit të vetërregullimit:

Qeveria juaj ka propozuar një sërë ndryshimesh për rregullimin e fushës së medias: rregullim shtetëror të mediave online dhe regjistrim të detyrueshëm të medias online. Ne e mirëkuptojmë qëllimin tuaj, i cili motivohet nga lufta kundër dezinformimit nga burime dhe grupe të paidentifikuara, të cilët kërkojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre në opinionin publik.
Shqipëria nuk është i vetmi vend në botë që është prekur nga kjo problematike por në vendet demokratike si Belgjika, Britania, Gjermania dhe të tjera, media online funksionon sipas një parimi të vetërregullimit të tregut. Gjithashtu, zyrtarë të lartë të OSBE-së për lirinë mediatike kanë bërë të qartë se “shtetet nuk mund të urdhërojnë regjistrimin e detyruar për mediat online si parakusht për të vijuar punën e tyre, pasi kjo do të kishte një efekt negativ në lirinë mediatike”.   

Në këtë letër, këto organizata kërkojnë nga qeveria angazhim me shkrim se do të heqë dorë nga kjo nisëm për rregullimin shtetëror të medias online:

Ne kërkojmë nga ju qe të hiqni dorë nga kjo iniciativë për të amenduar dy ligjet në fjalë dhe ju bëjmë thirrje të përfshini gazetare, organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të OSBE-së për lirinë e medias, ekspertë të BE-së dhe Këshillit të Evropës në çdo iniciativë tjetër e cila prek të drejtat e lirisë së shprehjes, medias dhe gazetarëve. Mbetemi në pritje të një angazhimi me shkrim nga ana e qeverisë suaj, se kjo nismë nuk do të vijojë më tej.

Më herët, kryeministri Edi Rama ka marrë dhe një letër nga ana e kreut të OSBE-së për mediat, Harlem Desir i cili shprehu shqetësimin e tij për procedurën dhe tonet kërcënuese kundrejt portaleve.

Zyrtari i lartë i OSBE-së i bëri thirrje autoriteteve shqiptare, që të rishikonin këto qëndrime, të shqyrtojnë të gjitha alternativat për t’iu adresuar saktë çështjes së shpifjes dhe të zhvillojë një debat sa më gjithëpërfshirës me shoqërinë civile dhe aktorët mediatik.

 

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

4 KOMENTE

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu