Organizatat shqiptare në fushën e medias dhe lirive e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje qeverisë shqiptare të tërheqë dy draftligjet për median online, pasi ato nuk i demokratizojnë por e censurojnë median në web-in 2.0

Kërkesa është bërë nga drejtues të organizatave BIRN Albania, Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders, Këshilli Shqiptar i Medias dhe Qendrës Shqiptare MediaLook gjatë një konference për shtyp.

Në këtë qëndrim të përbashkët, pas ekspertizës së tregut mediatik dhe analizës së drafteve këto OJF evidentojnë “se këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin”:


“Të dy projektligjet synojnë të krijojnë një regjistër të çdo faqeje në internet dhe i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Etikës” të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të të tretëve ose të urdhërojë mbylljen e mediave ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Projektligjet parashikojnë krijimin e mundësive ligjore për gjobitjen e medias online pa ndonjë procedurë të mirëfilltë gjyqësore dhe mbylljen e tyre nga AMA ose tatimet, duke krijuar rrezikun e censurës dhe rritjes së vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare”, – thuhet më tej në njoftimin për mediat.

Në këtë reagim organizatat po ashtu evidentuan se pretendimi i hartuesve të këtyre dy drafteve, pra grupet e punës së përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe disa ekspertë, se ato mbështeten në “modelin kroat” nuk rezulton i vërtetë. “Nga verifikimet tona, – thuhet ne njoftim, në Kroaci nuk ekziston asnjë legjislacion i ngjashëm për mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e medias në internet”.

Sipas shtatë organizatave “nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, ne gjykojmë se kjo do të përbëjë një pikë kritike, një vijë ndarëse mes përpjekjeve për demokraci dhe krijimit të një regjimi jodemokratik në Shqipëri”.

Në këto kushte zgjidhja që ofrojnë drejtuesit e këtyre OJF-ve është “vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut përmes fushatave për rritjen e njohurive mbi median, propagandën, dizinformimin apo lajmet e rreme janë mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit”.

Kjo është kërkesa e dytë publike e këtyre organizatave. Qëndrimi i tyre është në të njëjtën linjë me OSBE-në dhe katër ndër organizatat më të mëdha ndërkombëtare për lirinë e medias dhe gazetarëve, si Reporterët pa Kufij, Qendra Europiane për Lirinë Mediatike, Federata Europiane e Gazetarëve dhe PEN International të cilat i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të heqë dorë nga dy draftligjet e propozuara nga shteti për rregullimin e medias online dhe regjistrimin e detyrueshëm të tyre.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu