Shtatë organizata jofitimprurëse që përfaqësojnë gazetarët ose që punojnë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kritikuan të enjten planet e qeverisë së kryeministrit Edi Rama për “disiplinimin” e medias në internet duke i konsideruar ato si tentativë për krijimin e një regjimi policor mbi median.

“Organizatat besojnë se të dy projektligjet, në formë dhe në frymë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Europiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes e lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet,” shkruhet në letër.

“Parë kjo në kuadër të gjendjes aktuale të medias në Shqipëri, me dominimin e “lajmeve” false që shpërndahen nga zyrat e shtypit dhe që prezantohen si informacione të pavarura në median konvencionale, kryesisht televizione, synimi i projektligjeve duket se është vendosja nën kontroll të plotë të informacionit në duart e qeverisë,” vijon më tej letra.

Autoriteti i Medias Audiovizive dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare zhvilluan të Enjten një seancë dëgjimore të dytë mbi projektligjet e propozuara. Në këtë takim, përfaqësues të organizatave të mbrojtjes së të drejtave të njeriut deklaruan edhe një herë kërkesën për tërheqjen e projektligjeve.

Organizatat nënshkruese të letrës janë BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders, Këshilli Shqiptar i Medias dhe Qendra Shqiptare MediaLook.

Të mërkurën, katër organizata ndërkombëtare të lirisë së medias, Federata Europiane e Gazetarëve, Qendra Europiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi, i dërguan një letër publike kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar të tërheqë projektligjet.

“Iniciativa juaj bie ndesh praktikave më të mira dhe është kundër rekomandimeve të OSBE-së dhe shkakton shqetësime të mëdha për ne,” shkruhet në letër. “Nëse projektligjet e propozuara miratohen nga parlamenti, ato do të dëmtojnë rëndë qarkullimin e lirë të informacionit dhe do të kenë efekt pengues për median në internet e do të kufizojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për akses në informim,” vijon më tej letra.

Dy projektligjet, Për “Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9918 Datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”, synojnë të krijojnë një regjistër të mediave në internet dhe i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Etikës” të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të të tretëve ose të urdhërojë mbylljen e mediave ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë. / reporter.al

Shënim / Titulli në origjinal i reporter.al: Shtatë organizata i kërkojnë qeverisë të tërhiqet nga ligjet për mediat.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

3 KOMENTE

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu