Pas publikimit të raportit të plotë, të përpiluar nga eksperti i pavarur mbi lirinë e medias Dr. Joan Barata Mir, ku rekomandohen ndryshime esenciale ligjore për të ashtuquajturën “paketën antishpifje”, Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, i ka dërguar këtë ekspertizë Kryeministrit Edi Rama, ndërsa këshillon maxhorancën e drejtuar prej tij të marrë në konsideratë këto ndryshime.
Përmes një njoftimi për shtyp, zyrtari i lartë i OSBE-së për median thekson se mbetet shpresëplotë se ndryshimet në ligjet “Për Median Audiovizive në Shqipëri” dhe ligjin “Për Komunikimet Elektronike” do të reflektohen gjatë diskutimit të tyre në komisionin parlamentar:
“Vlerësoj rolin konstruktiv dhe bashkëpunues të autoriteteve shqiptare, ndonëse duhet të ndërmerren ende disa ndryshime dhe përmirësime të draft ligjeve. Shpresoj që rekomandimet e OSBE-së të merren në konsideratë dhe modifikimet të kryen gjatë proceseve parlamentare në mënyrë që këto ligje të përputhen me standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias.” – deklaron z. Desir.
Në reagimi e tij të tretë brenda këtij muaji, z.Desir evidenton se në raportin e fundit janë bërë ndryshime të rëndësishme krahasuar me draftet fillestare, ndërsa rendit si ndër më kryesorët përcaktimin e objektit dhe qëllimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive.
“Theksoj se ka patur ndryshime të rëndësishme krahasuar me draftet e përgatitura vitin e kaluar. Versioni i fundit i draft-ligjit “Për median Audiovizive” përfshin parashikime të reja, të cilat përcaktojnë qartësisht objektin dhe qëllimin e ligjit dhe nënvizojnë nevojën e një autoriteti si AMA që të respektojë standardet rajonale dhe ndërkombëtare gjatë vendimeve të saj. Është pozitive fakti që parashikimet problematike në lidhje me regjistrimin e detyruar të domaineve dhe bllokimin e kontentit online janë hequr dhe se propozimet përfshijnë miratimin e të drejtës për përgjigje në ambientin mediatik online.” – pohon Desir.
Në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Désir theksoi disa çështje të mbetura që ende duhet të adresohen, të cilat ai rekomandon për të ndryshuar në procesin legjislativ. Rishikimi ligjor propozon, në veçanti, të modifikojë nenin 132/1 që i jep AMA-s kompetencën për të detyruar ofruesit e shërbimeve të botimeve elektronike të publikojnë një kërkesë faljeje, të heqin përmbajtjen ose të vendosin një njoftim pop-up në rastet e shkeljeve të dispozitave në veçanti në neni i ri 33/1. Në këtë artikull, referimi ndaj konceptit të “respektit të privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve”, i cili është i gjerë, i jep AMA-s fuqi të tilla që mund të ndikojnë në lirinë e shprehjes”, thuhen në letrën e tij.
Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së thekson gjithashtu se “AMA ose ndonjë organ administrativ apo rregullator nuk duhet të merret me çështjet e shpifjes, të cilat duhet të mbeten nën kompetencat e gjykatave”. Z. Desir shpreh shqetësim dhe për nenin 133 të projektligjit i cili ende i referohet gjobave ekonomike shumë të larta që do të vendosen në rastet e kundërvajtjeve.
Analiza gjithashtu sugjeron një formulim të ri për paragrafin 3 të nenit 132, i cili përcakton mundësinë, në rastet kur shërbimet e medias elektronike “mund të favorizojnë” veprat penale të pornografisë së fëmijëve, inkurajimi i akteve terroriste ose shkelja e sigurisë kombëtare, “të bllokojnë qasjen në internet “. Formulimi i propozuar synon gjithashtu qartësimin e kompetencave të Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (NAECES), AMA dhe AKEP në këtë fushë.
Shqyrtimi ligjor, – shkruan Desir, – ngre shqetësime rreth kompetencave të dhëna AKEP-it në propozimin për ndryshimin e Ligjit për komunikimet elektronike, lidhur me miratimin e masave për të mbrojtur një gamë të gjerë interesash, duke përfshirë interesat e vendit, sigurinë publike, të drejtat themelore dhe çdo dispozitë të përfshirë në sistemin ligjor shqiptar. Këto nocione mund të jenë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të sigurisë juridike, parimit të proporcionalitetit dhe të domosdoshmërisë dhe nuk përfshijnë rregulla specifike për mënyrën e sigurimit të mbrojtjes së lirisë së shprehjes.
Ky reagim i Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, vjen 12 ditë pasi kjo organizatë publikoi ekspertizën e saj të tretë dhe finale të drafligjeve, që pasonte konsultat dhe korrespodencat me qeverinë shqiptare prej janarit 2019.
Më herët, më 19 korrik, dhjetë ndër organizatat më të mëdha për çështjet e medias dhe lirive e të drejtave të njeriut i kërkojnë Kuvendit të Shqipërisë të mos miratojë dy drafligjet e të ashtuquajturës “paketa antishpifje” pasi ato censurojnë median përmes një organi rregullues si AMA, nuk adreson realisht problematikën e “fake news” dhe nxit propagandën qeveritare.