Projektligji “antishpifje”, i iniciuar nga qeveria shqiptare, e që është hedhur së fundi për diskutim publik nga AMA, si autoriteti i ngarkuar për kthimin në një ligj dhe zbatimin e tij, rrezikon të kthehet në një mjet censure e medias online dhe fjalës së lirë në internet.

MediaLook ka analizuar draftin në fjalë i cili përmban një sërë problematikash konceptuale, që i hapin rrugë abuzimit me këtë draft-ligj, që pritet të integrohet në ligjin aktual nr.97/2013 të mediave audiovizive.

Në parantezë, MediaLook, edhe më herët është shprehur me një sërë artikujsh pro një kuadri ligjor rregullues të tregut të mediave online, me qëllim parandalimin e abuzimit, shpifjes e fyerjes dhe formalizimin e tregut të medias në internet, me kushtin e vetëm që kjo nisëm pozitive e qeverisë të mos degradojë në një mjet censure për to, gazetarët dhe lirinë e shprehjes në një fushë kaq delikate sa është komunikimi në internet.

Parimi bazë mbi të cilën një draft i tillë duhet ndërtuar është jo një kuadër ligjor mbi shpifjen dhe abuzimin në përgjithësi, por një ligj i cili domosdoshmërisht duhet të mbajë parasysh specifikat e mediave online, me tiparet dhe karakteristikat revolucionarizuese të komunikimit në web 2.0 si një vlerë e shtuar në debatin publik, demokratizimin e leximit dhe shkrimit, ndërveprimin qytetar-media dhe “rikonceptimin” e medias e profesioneve të reja online.

Për t’u rikthyer te projektligji në fjalë, janë të paktën tre problematike bazike që mund të prodhojnë këtë censurë mediatike. Le t’i marrim me radhë:

Së pari, draft-ligji në fjalë nuk ka një përkufizim se çfarë do të quajmë dhe përfshijmë në media online. Në këtë dokument të prezantuar, në nenin 3/1 dhe 3/2, mediat online përfshihen brenda konceptit të “ofruesit të shërbimit të publikimeve elektronike” dhe “publikimit elektronik”, me të cilin kuptojmë: 

“Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike” është personi fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike, që ofron shërbime të publikimit elektronik. 
Publikimi elektronik”përfshin por nuk kufizohet në programe/publikime, përmbajtja e të cilave, nëpërmjet internetit, transmetohet/publikohet në mënyrë ditore ose periodike, nga ofruesit e publikimeve elektronike, me qëllim informimin, argëtimin dhe edukimin e publikut.

Përkufizimi i mësipërm i termit ligjor i hap rrugë një praktike abuziviste që tejkalon median online dhe përfshi çdo lloj sektori, faqe apo publikimi në internet, duke prodhuar censurë, pasi i lënë në dorë AMA-së kompetenca ndëshkuese për çdo gjë që ne na shfaqet online, pavarësisht në janë  media apo portale filmash, portale kompanish, blogje, rrjete sociale, forume, faqe institucionesh publike a private., mbi çdo gjë.

Nga ana tjetër, në radhët e qëllimeve të listuara në publikimin elektronik anashkalohet një koncept bazik, ai i fitimit, pra i një portali mediatik të krijuar thjesht dhe vetëm për biznes. Ky koncept duhet të ishte themelor në kategorizimin e mediave dhe formalizimin e tregut online, pasi mbi bazën e tij kryhet regjistrimi në “regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike”, si fitimprurëse dhe jofitimprurëse, çka përcakton dhe marrjen ose jo të NIPT-it.

Çështja e tretë, brenda pikës së parë, që është po kaq themelore, ka të bëjë me trajtesën e disa formave të portaleve mediatike që në botën perëndimore njihen si “gazetari qytetare” (citizen journalism), “portale mbledhës lajmesh” (news aggregator) si dhe komentet në këto faqe. Ligji në fjalë i përfshin mediat në “një kallëp”, pa mbajtur parasysh specifikat e tyre, duke sjellë censurë e shkatërruar këto koncepte gazetarie që na kthejnë në epokën e Gutenbergut. 

Së dyti, draft-ligji i propozuar, për të njëjtën kundërvajtje administrative vendos një standard të dyfishtë ndëshkimi me gjobë, duke goditur mediat online në raport me televizionet lineare, pavarësisht audiencës që ato kanë, e cila lidhet me masivitetin e dëmit kundrejt palës së dëmtuar.

Pra, shikoni dispropocionin alogjik dhe antikushtetues. Kur një televizion kombëtar, për shembull, me audiencë në te gjithë territorin, i cili transmeton një fake news ose një shpifje të cilësuar si kundërvajtje administrative, dënohet deri në 400 000 lekë dhe në rastet e mosrespektimit të të drejtës së përgjigjes me një gjobë 300 000 lekë:    

Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga i licencuari ose i autorizuari, kur nuk përbëjnë vepër penale, janë kundërvajtje administrative dhe dënohen si më poshtë:
  1. Me gjobë nga 40 000 deri në 400 000 lekë për rastet kur: a) nuk respekton detyrimet që rrjedhin nga neni 33 i këtij ligji;
  2. Me gjobë në masën 300 000 lekë për rastin kur i licencuari dhe/ose i autorizuari nuk respekton të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53 të këtij ligji.

Ndërkohë për të njëjtin lajm fake news ose shpifje të publikuar në një media online, edhe pse audienca është me qindra fish më e ulët, masa ndëshkuese për kundërvajtje administrative është më shumë se dyfish, deri në 1 000.000 lekë dhe në rastet e mosrespektimit të të drejtës së përgjigjes me një gjobë 800 000 lekë:

“Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHPE-të, kur nuk përbëjnë vepër penale janë kundërvajtje administrative dhe dënohen:
1.Me gjobë nga 100 000 (njëqind mijë) lekë deri në 1 000 000 (një milion) lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji;
2.Me gjobë në masën 800 000 (tetëqind mijë) lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji.”.

Ky standard i dyfishtë ndëshkimi për të njëjtën shkelje mund të kthehet në një mjet presioni, censure dhe intimidimi i fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në vend, të cilat, me përsëritjen e kësaj kundërvajtje administrative deri në pesë herë shkojnë drejt mbylljes.

Së treti, në radhët e detyrimeve të mediave online të pagëzuara si “OSHPE”, janë dhe dy pika të para që do të bënin me dhimbje koke të gjithë auditorët e fakulteteve amerikane të gazetarisë, por jo vetëm, dhe mediave më të mëdha në nivel ndërkombëtar. Në to mediat detyrohen që publikimet e tyre të jenë të vërteta, të paanshme e objektive por “spektri i kësaj të vërtete” i mbetet në dorë punonjësve të AMA-s, një institucioni që në raportin e fundit të reporterit Knut Flekenstein, i miratuar në Parlamentin Europian, thuhet se ka bërë një progres të pjesshëm sa i takon transparencës dhe pavarësisë së saj.

Sa më sipër, është e dukshme që projektligji në fjalë ka nevojë për rishikim, veçanërisht kur kemi të bëjmë me një tematikë kaq të ndjeshme që prek drejtpërdrejtë lirinë e fjalës, të shprehjes, të medias por sigurisht dhe abuzimet me shpifjen, fyerjen e fake news. Ndaj, do të ishte e udhës, që ky draft t’i lihet në dorë edhe ekspertëve të fushës, akademikëve, gazetarëve, pedagogëve, juristëve të pavarur dhe ekspertëve të shkencave të teknologjisë dhe informacionit, të cilët duke njohur konkretisht si problematikat ashtu dhe benefitet e mediave te reja online do të prodhonin një ligj që do ta mbrojë qytetarin e gazetarin, t’i japë mundësi medias të korrigjojë vetveten, e rrjedhimisht do të shëndoshë dhe cilësinë e debatit publik.

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

2 KOMENTE

  1. […] Gjithashtu, sikurse është shprehur shqetësimi dhe në tryezat konsultuese nga ana e përfaqësuesve të medias, MediaLook, vëren se as në relacionin bashkëlidhur këtyre drafteve nuk përmendet ndonjë studim, statistikë apo rast konkret, mbi të cilat është ndërtuar kjo bazë ligjore që ka prodhuar dhe gjoba irracionale ku mediat online gjobiten më shumë se televizionet kombëtare për të njëjtin lajm të publikuar, të cilat, sikurse është analizuar dhe më herët, prodhojnë censurë të medias dhe fjalës së lirë. […]

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu