Verifikimi i informacioneve që publikohen në mediat online, por edhe ato tradicionale është një praktikë në zhdukje. Shqetësimi ngrihet në publikimin më të fundit të Institutit të Medias, me titull “Peizazhi i medias online në Shqipëri”, ku është realizuar një anketë me kryeredaktore e gazetarë të afro 120 portaleve, përfshi dhe faqet web të mediave tradicionale.

Në këtë raport sillet si shembull ilustrues sesi një deklaratë e kreut të qeverisë Edi Rama për mbi 28  324 të punësuar, nga periudha maj 2017- korrik 2018, ishte publikuar pa kurrfarë verifikimi në pjesën dërrmuese të mediave vizive, print e online, pavarësisht ftesës së tij ndaj gazetarëve për ta konfirmuar një statistikë të tillë:

Në të vërtetë, ky lajm u riprodhua fjalë për fjalë në shumë media tradicionale dhe online, por verifikimi i gazetarëve për këtë shifër të kryeministrit nuk u krye. Si rregull, deklaratat thjesht botohen, nuk verifikohen dhe kjo gjë ka mpakur rolin e gazetarëve si rojtarë dhe gjithashtu ndikon në saktësinë e informacionit të marrë nga publiku. – thuhet në këtë studim.

Publikimi i Institutit të Medias evidenton se portalet online në Shqipëri rrezikojnë të kthehet thjesht në një “rrip transmisioni” riprodhuese e deklaratave nga rrjetet sociale drejt publikut, shkruar në pak radhë dhe pa i vendosur ato në kontekst. Një shembull ilustrues për këtë ishte dhe raportimi i një deklarate të ministrit Bushati mbi diskutimet për kufirin detar midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Në këtë studimi citohet dhe hulumtimi i MediaLook mbi përputhshmërinë e përmbajtjes së deklaratave të Bashkisë Tiranë me lajmet e publikuara në dhjetë ndër mediat print, vizive dhe ato online, që varion nga 47 % deri në 93%. Madje, ky publikim evidenton se kjo problematikë është edhe më e madhe se kaq:

Ndërsa këto të dhëna sasiore tregojnë shtrirjen e fenomenit në terma sasiorë, mbizotërimi i këtyre raportimeve nuk kufizohet vetëm me Bashkinë e Tiranës dhe tregon prirjen e përgjithshme të medias për të ndjekur politikanët, duke dobësuar mbulimin në aspektin e diversitetit të informacionit dhe pikëpamjeve, – thuhet në kërkimin e Institutit të Medias.

Ndërkaq, edhe vetë gazetarët e anketuar nga radhët e mediave tradicionale në versionin e tyre online por dhe ato që operojnë vetëm në linjë evidentojnë si tre ndër problematikat kryesore shkeljen e të drejtës së autorit, mungesën e raportimit cilësor dhe financimin, me respektivisht 53, 47 dhe 36 vota.

Nga ky anketim janë realizuar dhe profilet e medias online. Nga 120 të marra në analizë rezulton se 98 prej tyre ose 81.6% janë me karakter gjeneralist, ndërsa vetëm 18.4% janë media të profilizuara.

Sa i takon numrit të punonjësve, rezulton se 58% e portaleve kanë të punësuar 1-5 vetë, kryesisht gazetarë.

 

 

Copyright Të gjitha të drejtat e artikujve të publikuar janë të rezervuara dhe i përkasin © MediaLook. Ju mund të përdorini, publikoni ose përktheni artikullin me kushtin që ju të atribuoni dukshëm burimin, të kryeni lidhje hiperlink me faqen dhe mos ta përdorni atë për qëllime komerciale.

LINI NJE PERGJIGJE

Ju lutem vendosni komentin tuaj këtu!
Ju lutem vendosni emrin tuaj këtu